Ramush Haradinaj uron Ditën e Veteranit: Bashkë mposhtëm armikun, ditë krenarie dhe lavdie

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar bashkëluftëtarët e tij me rastin e Ditës së Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë ditë si ditë krenarie dhe lavdie për Kosovën. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka rikujtuar sulmin e parë mbi familjen Jashari, të cilin e ka quajtur moment kyç që ndezi mobilizimin e përgjithshëm për liri dhe pavarësi. Ai theksoi se rruga e UÇK-së ishte rrugë sakrifice, vendosmërie dhe qëndrese. “Kaluam së bashku ditë të paharruara, me vështirësi e flijime, të pikëlluar kur humbnim shokët, por të lumtur kur korrnim fitore. Që nga sulmi i parë mbi familjen Jashari, që ndezi mobilizimin e përgjithshëm për liri e pavarësi, bashkë mposhtëm armikun dhe i sollëm lirinë vendit krah aleatëve”, ka shkruar Haradinaj. Në përmbyllje, kreu i AAK-së ka shprehur mirënjohje për kontributin e veteranëve ndaj atdheut: “Urime Dita e Veteranit, ditë krenarie e lavdie. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut.”

Kontrolloni gjithashtu

Arbreshë Krasniqi pas humbjes: Numerikisht humbëm, por ka humbur Kosova

Arbreshë Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas humbjes së partisë së saj në zgjedhjet …