Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Liria ekonomike është çelësi i një shoqërie të begatë

Instituti i Lirisë Ekonomike pranë Fondacionit Heritage në Washington, botoi këtë muaj Indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë të vitit 2017 për 180-shtete, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Është ky një indeks vjetor që matë nivelin e lirisë ekonomike në të gjitha vendet e botës.  Indeksi bazohet në parimin, pak a shumë të ngjashëm me atë të Adam Smith-it, ekonomistit dhe filozofit skocez të shekullit të 17-tët — të përmbledhur në veprën e tij klasike Pasuria e Kombeve, “Se institucionet kryesore, të cilat mbrojnë lirinë e individit për të ndjekur dhe për të realizuar interesat e veta ekonomike, rrjedhimisht dhe njëkohësisht sigurojnë begati më të mëdha edhe për mbarë shoqërinë.”

Raporti i “Fondacionit Heritage” mbi lirinë ekonomike në botë për vitin 2017, nënvijon pikërisht këtë fakt se vendet ku tregtarët dhe sipërmarrësit janë të lirë që me krijimtarinë dhe aftësitë e tyre t’u ofrojnë njerëzve prodhimet dhe shërbimet të cilat ata i duan dhe për të cilat kanë nevojë, shënojnë një rritje shumë më të mirë ekonomike në krahasim me vendet të cilat janë tepër autoritare, kufizuese ose shkelëse të lirisë ekonomike dhe lirive bazë të njeriut, në përgjithësi.  Raporti vjetor sjellë shumë shembuj, ku vendet me lirinë më të madhe ekonomike kanë shënuar edhe suksese të mëdha dhe dinamike në sigurimin e begatisë — si për individët ashtu edhe për shoqëritë e ndryshme të cilat gëzojnë lirinë ekonomike dhe liritë e tjera bazë të njeriut. Ndër 10 vendet me më shumë liri ekonomike, sipas raportit të “Fondacionit Heritage”, për vitin  2017 janë Hong Kongu, Singapori, Zelanda e Re, Zvicra, Australia, Estonia, Kanadaja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irlanda dhe Kili.

 Shqipëria radhitet në vendin e 65-të, ndërsa Kosova në vendin e 46-të të listës për lirinë ekonomike, ku përfshihen180 vende të botës, të renditura në indeksin e lirisë ekonomike të “Fondacionit Heritage”, për këtë vit. Në profilin e raportit mbi Shqipërinë vihet në dukje se Shqipëria është kandidate për antarësim në Bashkimin Evropian, është anëtare e NATO-s dhe kontribuese në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan dhe shënon se, një marrveshje për Partneritet Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ka për qëllim rritjen e bashkpunimit, përfshirë përmirësimin në fushën e sistemit të drejtësisë dhe atë gjyqësor.  Në raport thuhet gjtihashtu, se tranzicioni drejtë një sistemi ekonomik më të lirë është mundësuar 10-vitet e fundit nga një ristrukturim i dukshëm në vend, ndërkohë që Shqipëria po ecën në rrugën e një rimkëmbjeje graduale ekonomike, përballë disa kushteve sfiduese të jashtme dhe të mbrendshme.  Por, megjithkëtë, autorët e raportit theksojnë se Shqipëria ka nevojë për “Më shumë reforma ekonomike nëqoftse dëshiron të sigurojë rritjen e lirisë ekonomike, ashtuqë të realizojë një zhvillim ekonomik më të fortë e më të qendrueshëm.” Thuhet mëtej se, “Në Shqipëri sistemi ligjor mbetet i paefektshëm dhe viktimë e ndërhyrjeve politike, ndërkohë që korrupsioni është tepër i përhapur në të gjithë sektorët e shoqërisë.”  Në profilin mbi Shqipërinë, karakterizohet projektimi i legjislacionit mbi pronat si një ndërmarrje copa-copa dhe aspak i bashkrenduar mirë dhe shton se ndonëse gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura, ato mbeten subjekt presionesh politike dhe frikësimesh. Në Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë mbi Shqipërinë, përmendet, ndër të tjera, edhe ligji i vitit 2015 i cili ndalon të dënuarit për krime që të mbajnë detyra të larta në sektorin publik shtetëror e qeveritar, por thuhet se megjithëkëtë ligj, “Administrata publike vazhdon të jetë e paefektshme, e paaftë dhe e prekur nga një korrupcion i gjithëanshëm.”

Ndërkaq, në profilin e raportit mbi Kosovën thuhet se tranzicioni i shtetit më të ri në Evropë, “Drejtë një ekonomie më të hapur dhe të bazuar  në forcat e tregut, vazhdon të shkojë përpara me një ritëm në rritje e sipër të lirisë ekonomike”.   Raporti thekson se megjith atmosferën sfiduese të zhvillimeve ekonomike në rajon, Kosova megjithse me një ekonomi pa dalje në det — në krahasim me fqinjtë — ka shënuar çdo vit, ç’prej shpalljes së pavarësisë, rritje të lirisë ekonomike. Por, megjithë përparimin e dukshëm në modernizimin e kornizave ligjore dhe hapjes së ekonomisë ndaj tregëtisë botërore, raporti në fjalë shënon se, Kosova përballet, “Me mungesa dhe pengesa të vazhdueshme institucionale dhe strukturore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe me mos zbatimin e ligjit”. Këto sipas raportit, “Po ngadalsojnë rritjen dhe konkurencën ekonomike në treg, duke kufizuar kështu forcimin e një sektori më të fortë privat”, në atë vend.  Ashtu si edhe në rastin e Shqipërisë, raporti thotë se gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura në Kosovë, por në praktikë nuk janë të tilla dhe influencohen nga politika. Korrupsioni mbetet një problem i madh edhe për Kosovën, thuhet në raporti.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 17-të indeksit për nga liria ekonomike, pas Estonisë, që duhet përmendur se është një shtet që ishte dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, por që ka miratuar dhe tani zbaton një politikë që ka për qëllim promovimin e lirisë dhe të rritjes ekonomike në vend.  Raporti mbi Shtetet e Bashkuara kritikon atë që cilëson si, ”Agjendën e interesave të veçanta politike të viteve të fundit në Washington”, politikë e cila ka kufizuar shumë lirinë ekonomike për amerikanët e thjeshtë, si individë dhe si sipërmarrës, thekson raporti. Autorët e Indeksit të Lirisë Ekonomike në botë të “Fondacionit Heritage” mbeten skeptikë nëse Kongresi dhe administrata Trump do të mund të miratojnë politika dhe reforma ekonomike gjatë vitit të parë të administratës së re, ndërkohë që nënvijohet se disa shtete të tjera, megjithë mungesën, historikisht, të lirisë ekonomike dhe lirive bazë, siç janë shtetet – si Gjorgjia dhe Letonia — që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, kanë shënuar përparim dhe suksese të dukshme në fushën ekonomike.  Në parathënjen e raportit, autorët Terry Miller dhe Anthony B. Kim thonë se në shumë vende, përparimi në fushën e lirisë ekonomike, pasqyrohet drejtë për drejtë në zhvillimet e sukseshme dhe të dukshme ekonomike të atyre vendeve dhe mund të shihet edhe në një jetë më të mirë e më të begatë për popujt e vet. Por, në parathënje të raportit thuhet se mbi të gjitha, “Shpirti njerëzor është burimi i vërtetë i begatisë ekonomike”.

Indeksi i Lirisë Ekonomike në botë radhitë gjithashtu, vendet të cilat kanë nevojë për një liri më të madhe ekonomike dhe liri të tjera bazë, nëqoftse dëshirojnë zhvillim më të dukshëm ekonomik dhe begati më të madhe për popujt e vet, duke radhitur në këtë kategori, në fund të listës së shteteve të Indeksit të “Fondacionit Heritage”, e që konsiderohen vende pa liri ekonomike, Korenë e Veriut, Venezuelën dhe Kubën.

Nga përvoja e tyre, ndërkohë që për përpilimin e këtij raporti dhe indeksi kanë studiuar ekonomitë dhe lirinë ekonomike në 180-vende të botës — autorët e raportit theksojnë se është e qartë se nuk ekziston një politikë e njëjtë lirie dhe zhvillimi ekonomik njësoj për të gjithë. Ata nënvijojnë se secili vend duhet të gjejë vet rrugën e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik, bazuar në kulturën, historinë dhe kushtet historike dhe gjeografike nën të cilat gjëndet vendi.  Por, përgjithësisht, autorët e këtij raporti kanë zbuluar se vendet të cilat gëzojnë një liri më të madhe ekonomike, në krahasim me të tjerët, përparojnë më shumë dhe më shpejt, sepse ato shfrytëzojnë njohuritë dhe aftësitë e të gjithë personave në shoqëritë e tyre, pa dallim.

Por në fund të fundit, siç shkruan edhe “Presidenti i Fondacionit Heritage”, Jim Demint në parathënjen e raportit, gjëja që ka më rëndësi se çdo gjë tjetër – është se zgjidhjet e problemeve të mëdha politike dhe ekonomike me të cilat përballen sot vendet e ndryshme dhe bota në përgjithësi – me siguri do të rrjedhin dhe do të realizohen, jo nga qeveritë dhe udhëheqës autoritarë –por nga individë, të cilët sipas Milton e Rose Friedman – janë të lirë të vendosin vet fatin e tyre. Sepse në mungesë të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë ekonomike, dikush tjetër, si qeveria, shteti ose udhëheqsi autoritar do të vendoste dhe do të ushtronte kontrollin e plotë mbi aktivitetet ekonomike të individit.  Një qeveri e mirë dhe një udhëheqje politike legjitime nuk kufizon lirinë ekonomike as liritë e tjera bazë të njeriut, pasi duke mohuar dhe kufizuar ndër të tjera, lirinë ekonomike — siç vihet në dukje në raportin vjetor të “Fondacionit Heritage” — kufizohet dhe pengohet gjithashtu edhe begatia dhe mirëqenja ekonomike për të gjithë.  Liria ekonomike është pra çelsi për krijimin e një shoqërie të shëndosh dhe të begatë.

 

Frank Shkreli: Shqiptarë, mos kini frikë nga identiteti juaj!

“Jeta është e shkurtër e studimi është i lodhshëm, njeriu është përtac nga mendja, publiku është i durueshëm dhe perdja është e siguruar kundrejt vërshëllimave, kështu që përse dikush të shqetësohet për faktet, kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?”  Kjo thënie e të urtit Faik Konica m’u kujtua ndërsa po lexoja në shtypin shqiptar të ditëve të fundit, pohime sulmuese dhe reagime në lidhje me identitetin e nenës së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Ia lëmë fajin muajve të verës, pasi politikanët janë në pushime dhe si rrjedhim ka shumë pak lajme për të shkruar e për të diskutuar nga anlaistë e komentatorë, pasi duhet mbushur faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve m debate.  Por, a duhet që në këtë mungesë aktivitetesh politike të kësaj vere – me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike — t’i kushtohet një diskutim i tillë një personaliteti të kombit siç është figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbe dhe etnicitetit të nënës dhe babait të tij.  Është ky një debat i mbrendshëm dhe i pa nevojshëm midis shqiptarëve por për më tepër është shumë i dëmshëm, pasi sjellë ujë në mullirin e atyre që historikisht dhe sidomos viteve të fundit, kanë  venë në pikëpyetje jo vetëm rolin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, si Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, por edhe identitetin dhe madje edhe historinë e shqiptarëve në përgjithsi, të cilën ata kanë kërkuar dhe kërkojnë që ta ndryshojnë, sipas interesave të tyre.  Këta protagonistë, shqiptarë dhe të huaj — të kësaj fushate për tjetërsimin e historisë së kombit shqiptar, ose të pakën për hedhjen e dyshimeve ndaj fakteve historike — nuk janë as historianë, as akademikë, por janë politikanë të huaj dhe veglat e tyre shqiptare për të cilët,     Faik Konica ka shkruar se nuk shqetësohen aspak për faktet historike, “Kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?”  Përsa u përket të huajve, kjo nuk është për tu habitur, kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë qëndrimi I tyre ndaj historisë së kombit shqiptar dhe Heroit Kombëtar Gjergj Katsrioti Skënderbe.  Por që shqiptarët, të luajnë kartën e të huajve duke hedhur dyshime mbi historinë dhe herojtë e vet, kjo është pak e rëndë dhe e papërgjegjshme.  Në të vërtetë, ky ka qenë dhe është objektivi përfundimtar i të huajve, që të mbjellin dyshime në vetë radhët e shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre. Kujt i intereson që në këtë moment të historisë të sulmohet figura e kombit shqiptar, sidomos nga njerëy që nuk kanë të bëjnë me historinë, por të cilët mund të kenë një platformë për të përhapur dyshime.

Mohimi i historisë dhe i identitetit kombëtar të shqiptarëve nga të huajt, historikisht, nuk është një subjekt i ri. Në kohë të caktuara është bërë dhe bëhet për qëllimet e tyre anti-shqiptare. Ne shqiptarët që kemi jetuar nën ish-Jugosllavinë e dimë mirë këtë lojë të armiqve të shqiptarëve, ndërkohë që regjimet e asj kohe bënin ç’mos që të ndryshonin identitetin e shqiptarëve në trojet e veta, me ndryshim emrash e mbiemrash, por edhe toponimesh. Por që kësaj fushate t’i bashkohen vet shqiptarët, kjo është diçka e re.  Këto mohime të historisë dhe të heronjve kombit shqiptarë, përfshirë Gjergj Kastriotin Skendërbe dhe familjen e tij, i kemi dëgjuar vazhdimisht  nga qarqe politike, akademike dhe fetare, kryesisht nga qendrat historikisht anti-shqiptare: Beogradi, Stambolla e Athina.  Këta kanë mohuar dhe madje kanë kërkuar zyrtarisht edhe ndryshimin e historisë së shqiptarëve sipas orekseve të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit. Këto pretendime disa prej udhëheqësve më të lartë të këtyre vendeve i kanë shprehur madje edhe zyrtarisht, jo vetëm nga larg por edhe gjatë vizitave zyrtare në Kosovë e në Shqipëri, ashtu siç ka bërë edhe Presidenti turk Erdogan në disa raste, ndërkohë që udhëheqsit shqiptarë nga të dy anët e kufirit  heshtin ndaj këtyre pretendimeve dhe sulmeve kundër historisë së shqiptarëve autoktonë në torjet e veta me mijëra vjetë.   Për arsye që nuk dihen dhe mbeten të pashpjegueshme, përfaqsuesit e kombit shqiptar sot — përballë këtyre sulmeve të vazhdueshme, të jashtme dhe të mbrendshme, ndaj historisë kombëtare dhe veçanërisht fushatat e herë pas hershme kundër Gjergj Kastriotit Skenderbe — nuk mbrojnë historinë, figurat historike dhe identitetin e kombit shqiptar.

Mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar janë çështje të shënjta të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit.  Përgjegjësia numër një e një shteti dhe e përfaqsuesve të tij është që të mbrohet historia dhe identiteti kombëtar ashtu siç do të mbrohej kufiri, në rast të një sulmi ushtarak.  Mbrojtja e interesave kombëtare historike dhe të identitetit kombëtar, kur ato sulmohen pa të drejtë dhe pa fakte nga kushdo qoftë, nuk është shprehje nacionalizmi, por është vet-mbrojtje e ekzistencës së një kombi. Kombi shqiptar nuk ka krizë identiteti dhe udhëheqsi shqiptarë nga të dy anët e kufirit duhet të mbrojnë interesat kombëtare madje edhe para udhëheqsve të huaj – para të cilëve shpesh bëjnë temena.

 Sikur Shqipëria nuk ka probleme të tjera për të cilat analistë dhe komentuesit e gazetarët duhet të ndihmojnë në propozimin dhe gjetjen e  zgjidhjeve, në vend që të merren me  historinë  dhe identitetin e kombit.  Me historinë të merren historianët. Por me të gjitha këto halle të vet shkaktuara, shumica e shqiptarëve e dinë se cili është identiteti i tyre, cila është historia dhe kush janë heronjtë e saj, si dhe cili është roli i Gjergj Kastriotit Skennderbe në historinë e shqiptarëve ndër shekuj. Shpresojmë se Shqipëria do të jetojë përgjithmonë me identitetin e saj unik në zemrat e bijve dhe bijave të saj më të mirë, të atyre shqiptarëve që sipas At Gjergj Fishtës nuk janë vetëm shqiptarë me fis e me trup, por që janë shqiptarë me shpirt.  “Shqiptarët me shpirt” të At Gjergj Fishtës, sot më shumë se kurrë, duhet të ruhen e të kenë kujdes  interesat kombëtare nga sulmet e “zuzarëve” të Faik Konicës që “u lindën në Shqipëri”, por të cilët luajnë lojën e dikujt tjetër.

E fillova me fjalët e urta të Faik Konicës dhe po e mbaroj me Faik Konicën. O shqiptarë, nëqoftse nuk kini çka u bëni të hujave që sulmojnë historinë dhe heronjtë e kombit shqiptar, përfshirë Gjergj Kastriotin Skenderbeun – atëherë Konica porositë shqiptarët që të pakën t’i luftojnë ata që janë të “lindur shqiptarë” por që punojnë kundër interesave të kombit, pasi “Eshtë turp prej kësi krimbash,Të mundohet një komb trimash!”

 

Tema: Poezi Për Atdheun

 

Flamuri

 

Skenderbeu kur jetonte

Shqipëria lulëzonte.

 

Ishe e fortë, ish e zonjë

Kish në flamur një shqiponjë

 

Një shiponjë me dy krerë

Ai lirisht hapej në erë.

 

Kur armiku na vërvitej

Flamuri i kombit ngrihej

 

Gjëmonin një mij trumbeta

Suleshin treqind mij veta.

 

Derdhjin gjakun si të marrë

Që të mbaheshin Shqipëtarë.

 

Derdhjin gjakun pa peshuar

Për flamunrin e bekuar.

 

Po trimat shkuan përjetë,

Shqipëria mbet e shkretë

 

Trimat shkuan edhe vanë

Kordhët po ndryshken mënjanë.

 

Kordhët ndryshkën e në baltë

Na ra flamuri i naltë!

 

Na ra flamuri i naltë

Mbeti e u kalb në baltë!

 

Sot kan dalë ca zuzarë

Që ulërtinë shqipëtarë,

 

Po këtë emër e lanë

U bashkuan me aganë

 

E punojnë nat’ e ditë

Që të mebtemi pa dritë,

 

O zuzar, o tradhëtorë

Ne na bëjtit shërbëtorë,

 

Na e vuatlitë lirinë

E na shkeltë Shqipërinë.

 

Rrëmbyet e po rrëmbeni

Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

 

Po mjaft! Koha ësht afër,

Kur të ndizet luft’e ashpër,

 

Lufta tri her’e bekuar

Që na ka pët të shpëtuar,

 

Jo luftë kundrë Turqisë,

Jo kundrë mbretit Shqipërisë,

 

Po luftë për ca zuzarë

Që u lindnë shqipëtarë

 

E, armiq të Shqipërisë,

I fryjnë dritës së lirisë,

 

S’na lënë dhe ne të tjerët,

T’dalim nga gjum’i errët,

 

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,

E ç’shohin e tradhëtojnë

 

Eshtë turp prej kësi krimbash

Të mundohet një komb trimash!

 

Ngrehuni, o shqipëtarë,

T’i shtypim këta zuzarë!

 

 

 

Faik Konica

 

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …