Rasim Kicina

Bashkim Musliu: Rasim Kiçina burim frymëzimi për brezat

(Në shenjë të përkujtimit të 22 vjetorit të përjetësisë)

Kur shkruajmë për heronjtë, edhe kur gjuha është himnizuese, jo rrallë, nuk mund ta shprehim dhe shpërfaqim në plotni madhështinë e veprës dhe të flijimit të Tyre. E vepra e Rasim Kiçinës ishtë e tillë: madhështore.

Ishte fillimi i vitit 1988. UÇK-ja kishte filluar të shfaqej si më shpesh në Drenicë. Me disa moshatar të lagjes kishim dalë në malet e rrethinës së fshatit Likoc. Papritur u takuam me tre ushtarë. Ata po bisedonin, ndërkaq na panë. Njëri prej tyre na u afrua dhe m’u drejtua “Bashkim a nuk po më njeh a? E shikova, por nuk arrija të kujtohesha se ku e kisha takuar. Si për t’u shfajësuar i thashë se fajet i ka uniforma. Jam vëllau i Dastanit – më tha.

Menjëherë m’u kujtua se ishim takuar edhe më parë në prani të Dastanit, të cilin e kisha shok që nga koha e shkollës së mesme. Unë isha nxënës, ndërsa ai student në Fakultetin Teknik në Mirtrovicë.

A dini ta përdorni këtë armë (në dorë kishte një mirtaloz që më dukej shumë i madh) – na pyeti. Jo – u përgjigjëm njëzëri. Atëherë hajde mblidhuni të gjithë dhe mësohuni se si përdoret – na tha Rasimi.

U mblodhëm rreth tij. Me durim dhe me qetësi filloi të na shpjegonte dhe të demonstronte se si përdorej mitralozi. Kështu Ai u bë pamja e Ushtrisë Çlirimtare për ne.

Rasimi kishte trup mesatar dhe mjaft të bëshëm. Fiziku i tij premtonte se do të kishte një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Pamja e tij fliste për karakterin e njeriut të qetë nga jashtë, por shpërthyes nga brenda; fliste për një djalë të ri që karakterizohej nga vullneti i pathyeshëm, nga vendosmëria e palëkundur, nga fjala që i zinte vend; fliste për njeriun që i kishte mirëformuar botëkuptimin dhe botëpërjetimin për jetën; fliste për luftëtarin që e kishte të qartë se të mos rrezikosh do të thotë të rrezikosh më së shumti; për luftëtarin që për asnjë çmim nuk do të hiqte dorë nga misioni i tij: lufta e vazhdueshme deri në fitoren e lirisë.

Dhe, pa mëdyshje, Rasimi ishte i bindur se rruga e lirisë kalonte nga gryka e pushkës. E gryka e pushkës bëhej grykë topi në dorën e tij.

Rasim Kiçina përveç se ishte aty ku kriste pushka e lirisë u angazhua në formimin dhe konsolidimin e pikave dhe strukturës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; u angazhua për sjelljen e armëve në Kosovë (ishte disa herë në Shqipëri me qëllim të armatosjes dhe rritjes së UÇK-së) dhe, ç ’është me shumë rëndësi, ishte frymëzim për ushtarët. Prania e tij në beteja i frymëzonte dhe i trimëronte luftëtarët e lirisë.

Me emrin e Rasim Kiçinës lidhet një prej aksioneve më të njohura që bëri bujë dhe që lidhet me fillimet e luftës: beteja te gjashtë lisat, ku ai kishte rol të veçantë; me emrin e tij lidhet organizimi dhe strukturimi i UÇK-së; me emrin e tij lidhen shumë beteja (betejat në  Llapushnik, Baicë, Abri, Rezallë etj. etj.); me emrin e tij lidhet figura e komandantit të rreptë në beteja dhe të dashur me ushtarët; me emrin e tij lidhet përkushtimi, trimëria dhe vendosmëria e çlirimtarit.

Rasim Kiçina ishte prej më të rinjëve në moshë emri i të cilit ishte dhe është burim frymëzimi. Ai, në ditët e fundit të luftës, në agun e lirisë u flijua për atdhe. Rënia e Tij, si rrallëherë, kishte pikëlluar ushtarët si dhe të gjithë ata që e kishin njohur ose kishin dëgjuar për të bëmat e tij.

Gjeneralnënkolonel Rasim Kiçinës i është akorduar urdhëri “Hero i Kosovës”. Në këtë shkrim që lidhet me njëzet e dy vjetorin e rënies së tij (30 maj 1999) disa paragrafë fillojnë me emrin e tij pa ia theksuar gradën apo shpalljen Hero i Kosovës, sepse emri i tij është përtej gradës apo shpalljes hero; sepse emri i tij është burim frymëzimi; sepse emri i Tij do të jetojë në jetë të jetëve. Do të jetojë në emra të shkollave, në emra të rrugëve; do të jetojë në faqet më të ndritshme të historisë.

Më 30 maj 1999 listës së personaliteteve të pavdekshme të atdheut iu shtua edhe një emër: RASIM KIÇINA.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …