Rifat Ramadan Dina (20.5.1939 - 25.3.1999)

Rifat Ramadan Dina (20.5.1939 – 25.3.1999)

Kazermimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenoc të Zatriqit të Anadrinit, më 26 prill të vitit 1998 dhe formimi i stërvitores dhe i tërë infrastrukturës në Zatriq të Rahovecit, mundësoi zhvillimin e shpejtuar të dinamikës së shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këto treva, dhe të operacioneve që do të dëshmonte prezencën e “Djelmoshave të Adem Jasharit” sa nëpër akset e magjistraleve Prishtinë-Klinë dhe Prizren-Gjakovë aq edhe të rajonaleve deri në kufirin shqiptaro-shqiptar. Tërë kjo dinamikë u reflektua që në hapin e parë, pra më 26 prill të vitit 1998, kur luftëtarët e lirisë, në krye të të cilëve ishin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Shtabit Operativ Rajonal të Anadrinit, ndërsa lëviznin nëpër aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, ndërmjet fshatrave Krushë e Vogël e Piranë, te ura mbi “Prronin e Keq” sulmuan dhe shkatërruan patrullën policore serbe. Ky aksion mbetet ndër më të qëlluarit dhe ndër më të rëndësishmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit dhe kështu u dëshmua prezenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit dhe shumë afër kufirit shqiptaro-shqiptar madje edhe nëpër tërë rajonin e Hasit. Menjëherë, pas këtij aksioni, më 12 maj forcat e mëdha policore serbe, të prirë nga një varg autoblindash e transporterësh, me pretekst për t’i tërhequr serbët lokalë të Bardhatinit (ish-Bratotinit), sulmojnë nga jugu, mbi “Urën e Fshajt” në mënyrë që të depërtojnë n fshatin Drenoc dhe kështu ta shkatërrojnë formacionin e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vendosur në fshatin Drenoc. Më 14 maj, pas dështimit të operacionit serb përreth fshatit Bardhatin, në “Qafën e Gardhishit” zhvillohet “Beteja e Gardhishit” dhe përjetësohet në altarin e lirisë Mehedin Morina i Gllarevës, ndërsa më 19 maj forcat policore serbe në aksion mbi Rahovecin, ekzekutojnë bujkun Ymer Delia dhe luftimet ndizen në tërë Rrafshin e Anadrinit. Gjatë fundmajit, policia çetnike braktis segmentin prej Urës së Aliagës deri te Lugu i Gjerqinës, por forcon patrullat prej Urës së Aliagës në drejtim të fshatrave Fortesë e Xërxë dhe në altarin e lirisë përjetësohen: Përparim Ali Thaçi i Landavicës, Feim Avdi Gashi i Drenocit të Zatriqit dhe Sakip Xhemali Bellaqa i Burimit të Epërm të Anadrinit. Kështu, më 6 qershor 1998, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmohen në Drinas dhe përjetësohet luftëtari i lirisë, Naser Veli Krasniqi, më 19 qershor sulmohen në fshatin Kromnik dhe përjetësohet Sadri Thaçi, më 18 korrik në Fortesë e më 19 e 25 korrik në “Rrasat e Rahovecit” dhe në “Lugun e Gjeraqinës” në drejtim të Malishevës.

Këto edhe ishin luftimet më të përgjakshme që u zhvilluan në Rrafshin e Anadrinit e në Rahovec, por nuk ra “Lugu i Gjeraqinës” dhe forcat e motorizuara çetnike u zmbrapsën dhe nuk arritën që të depërtojnë në Malishevë. Në këto fushëbeteja përjetësohen: Agim Kelmendi i Fortesës, Gani Paçarizi i Lumishtës së Llapushës, Tafil Zyberaj i Drenocit të Anadrinit, Bajram Veliu, Abdullah Bugari, Faik Rama, Remzi Ukshini, Agim Çelaj, Sadik Shala, Arian Brahimi-Shkodrani, Mizahir Isma, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Ramadan Morina, Ruzhdi Xhuliqi, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Habib Berisha, Gëzim Mullabazi, Xhevat Kasapi, Samir e Xhafer Nurkasa dhe shumë qytetarë të Rahovecit. Më 3 shtator gjatë luftimeve në “Qafën e Dëshmorëve” përreth “Lugut të Akavaneve” të Zatriqit, luftëtarët zhvilluan një veprimtari të ngjeshur të rrafsheve logjistike, informative dhe operative në terrenin të cilin më vonë do ta mbulojë Brigada 124 “Gani Paçarizi”. Në betejat e përmendura të Anadrinit, veçanërisht gjatë luftimeve në drejtim të “Majës së Zatriqit” e kah “Maja e Kikës” në drejtim të fshatrave të Llapushës, Burim dhe Gurbardh, por gjithashtu edhe kah Palusha (ish-Palluzha) dhe Kromniku (ish-Kramaviku), buzë Drinit të Bardhë, forcat çetnike pësuan humbje dhe shkatërrim total prandaj edhe detyrohen të tërhiqen. Gjatë luftimeve në tërheqje, fillimisht kah Zatriqi përjetësohen: Esat e Mazllum Kastrati e Xhafer Vehapi, ndërsa në fshatin Lugmir, përjetësohet Mark Sopjani, në Rogovë të Hasit, buzë Drinit të bardhë plagoset për vdekje Fehmi Berisha i Rogovës, ndërsa në fshatin Palushë, në altarin e lirisë përjetësohen luftëtarët Shani Hoti dhe Afrim Bajraktari.

Pas riorganizimit të Zonës Operative të Pashtrikut, sërish aktivizohet korridorri logjistik i Kushninit i cili nga Qafë-Kunora zbriste në Kushnin e Romajë e së andejmi nëpër Rogovë e Celinë dhe me të gjitha operacionet rreth pritjes dhe përcjelljes së luftëtarëve të lirisë udhëheq veprimtari i shquar në të gjitha lëvizjet prej vitit 1968 e deri në ditën e përjetësimit, Rifat Dina, i ndihmuar nga i vëllai, Muharrem DinaMixha, veprrimtar në diasporë.

Dëshmori i kombit Rifat Dina është i lindur në Celinë të Anadrinit të Rahovecit më 20 maj të vitit 1939. I ati i Rifatit, ose i “Xha Jahos” së njohur nga Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave, Ramadani, me bashkëshorten Nazlishahin, patën dy djem e një vajzë: Muharremin, të njohur si “Mixha i Celinës” dhe Badën, ndërsa “Xha Jaho”, pra dëshmori i kombit Rifat Dina, me bashkëshkorten Vasë, të lindur Elshani nga Pirana e Anadrinit kishte: Nysretin, Ismetin, Ramadanin, Irfanin, Hidajetën dhe Myvedeten.

Rifat Dina përherë ishte në vijën e parë të të gjitha organizimeve që zhvilloheshin në Rrafshin e Anadrinit, ndërsa në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës radhitet gjatë prillit të vitit 1998 në fshatin Drenoc të Anadrinit. Pasi ishte shumë i përgatitur dhe me moshë të pjekur “Pajtuesi i dikurshëm”, bashkëpunëtor besnik i Anton Çettës, mori përsipër organizimin e një kompanie në fshatin Celinë, jo larg strehëve të profesori Ukshin Hoti. Pas të gjitha luftimeve në arealin luftarak të Anadrinit, përjetësohet në ditën e masakrave të fshatit Celinë më 25 mars të vitit 1999.

Për Rifat Dinën sot këndohen shumë këngë në të cilat përshkruhet i tërë aktiviteti i “Xha Jahos”, ndërsa me shkrimet e tyre këtë dëshmor e nderuan autorët Bajram Kurti, Ibrahim Gashi e Hamdi Fazliu, Milazim Bajra dhe Agim Metbala, ndërsa një rrugë në Rahovec mban emrin Rifat Dina. Në radhën e sajimit të dokumentacionit mbi luftën, në territorin e komunës së Rahovecit u xhirua edhe një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë patriotike të dëshmorit të kombit Rifat Dina. Në varrezat e fshatit Celinë qëndron lapidari, ndërsa në pllakën e dëshmorëve të Mileskës u skalit edhe emri i Rifat Dinës nga Celina. Sot familja e dëshmorit ruan për kujtim shumë gjësende të luftëtarit të lirisë, i cili me “Asconën” e tij të pandalshme u pati rënë kryq e tërthor trojeve etnike si gjatë Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave, ashtu edhe gjatë organizimit të “Marshit të Ukshin Hotit” kur në Lugun e Brestosit, përveç dëshmorëve: Nesimi Elshani, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi, përjetë- sohet edhe Agron Fetahu i Celinës, njëri ndër fqinjët e parë të “Xha Jahos”. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …