Administrata Tatimore e Kosovës, ka shënuar rezultate mbresëlënëse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Sipas drejtorit Ilir Murtezaj, janë mbledhur mbi 524 milionë euro të hyra tatimore – një rritje prej më shumë se 50 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo paraqet një tregues të qartë të rritjes së disiplinës fiskale, përmirësimit të teknologjisë tatimore dhe luftës kundër informalitetit. Në kushte normale, ky do të ishte një lajm që meriton lavdërime.
Por a mjafton ky sukses për ta justifikuar dështimin në mbrojtjen e interesit shtetëror në raport me Bashkimin Evropian? A mund të kompensohet kjo rritje e të hyrave tatimore me humbjen ose vonimin e projekteve zhvillimore me vlerë mbi 600 milionë euro, të cilat janë pezulluar për shkak të masave ndëshkuese të BE-së?
Në këtë pikë, është e domosdoshme një analizë kritike dhe e balancuar.
Dobitë e performancës së ATK-së janë reale, por edhe të kufizuara. Ato pasqyrojnë përmirësim në menaxhim dhe sistem, por gjithashtu reflektojnë barrën që bie mbi tatimpaguesit e rregullt – në një kohë kur ekonomia po përballet me stagnim të projekteve publike, mungesë investimesh të huaja dhe tensione politike që frenojnë rritjen. Rritja e të hyrave nga brenda është e domosdoshme, por nuk mund të zëvendësojë investimet strukturore që ndihmojnë në transformimin afatgjatë të vendit. Në këtë kontekst, të ardhurat e ATK-së janë “simptoma e shëndetit të sistemit fiskal”, por jo zgjidhje për një sistem zhvillimor që është lënë në terr për dy vjet me radhë.
Humbjet nga masat e BE-së, nga ana tjetër, janë dramatike. Sipas të dhënave të Institutit GAP, Kosova ka humbur ose vonuar projekte me vlerë mbi 613 milionë euro – në fusha kyçe si energjia, mjedisi, arsimi dhe dixhitalizimi. Këto projekte nuk ishin vetëm grante financiare – ishin bazamenti i zhvillimit të qëndrueshëm, mekanizmi për afrimin me standardet evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Më e rëndësishmja, ato ishin shenjë e besimit që BE kishte në Kosovën si partner.
Mosrespektimi i përgjegjësive ndërkombëtare, menaxhimi arrogant i krizës në veri dhe mungesa e reflektimit të qeverisë, kanë sjellë jo vetëm humbje financiare por edhe dëmtim të besueshmërisë së Kosovës si shtet që synon integrimin evropian.
Raporti: humbje ose dobi? Përgjigjja është e qartë – dëmet nga humbja e fondeve janë shumë më të mëdha sesa të hyrat e rritura nga ATK. Madje, është paradoksale që po mburremi me suksesin e grumbullimit të tatimeve në një kohë kur ato para nuk po mund të investohen në infrastrukturë, arsim apo energji – pikërisht për shkak të mungesës së fondeve evropiane dhe dështimit për t’i mbrojtur ato.
Kritika ndaj qeverisë është e domosdoshme dhe e merituar. Politika e jashtme dhe e brendshme nuk mund të jenë dy botë të ndara. Vendimmarrja e mbyllur dhe konfrontuese, mungesa e transparencës në raport me qytetarët për pasojat reale të sanksioneve, dhe paaftësia për të dialoguar me BE-në në mënyrë të besueshme, kanë prodhuar kosto të larta që nuk mund të relativizohen me statistika të brendshme.
Shteti duhet të përgëzojë ATK-në për efikasitetin e saj. Por nuk ka asnjë arsye për të festuar nëse ky efikasitet nuk shoqërohet me mençuri politike, partneritet strategjik me BE-në dhe ruajtje të interesit kombëtar. Në vend të krenarisë, qeveria duhet të tregojë përgjegjësi. Sepse nuk mjafton të mbledhësh para – duhet të dish edhe si të mos i humbësh ato që të ofrohen falas për zhvillim.