Blerim Muriqi: PO VJEN PËRBALLJA E MADHE KURTI-HAMZA

Blerim Muriqi: PO VJEN PËRBALLJA E MADHE KURTI-HAMZA

Absurdi i një gare pa shkrirjen e akujve

Kurti ishte këtu, si të parë që e nxorën zgjedhjet edhe me 9 shkurt 2025. Hamza i zgjedhjeve të fillimvitit tashmë po vjen në kapacitetin e plotë. Anipse, i mundur nga Kurti në zgjedhjet e shkuara, ai tashmë është veshur me aureolën e kundërshtarit sfidues. Abixhiku nuk ia doli përtej petkut krekosës me të cilin e mveshi fjalorin e tij. Do bëhet luftë për votë e për pushtet. Në luftë ka humbës e fitues. Të tillë do të ketë edhe te ne. Do luftohet për çdo votë e për çdo prag shtëpie.

Armëve me të cilat Kurti erdhi në pushtet u është lagur baroti, më shumë tymojnë se sa kërcasin. Në mjegullën e krijuar, atij mund t’i jap dorë vetëm të qënit në pushtet. A mjafton kaq?

Vota e mërgatës në zgjedhjet lokale tregoi një verdikt ndryshe nga sa ishte në zgjedhjet e 2021-shit. Pushteti konsumon, gabimet kthejnë në kundërshtar zjarrin e tradhëtuar të ndryshimit. Këto tre asete të së djeshmës Kurti sot i ka kundër. Së fundmi, ai u kujdes ta vriste veten me demagogjinë e lënë në baltë. Ditën e Flamurit; të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, të Adem Jasharit e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditën e bërjes së Shqipërisë, ai e la kombin në festë dhe iku me bisht nën shalë, pa shejë e pa nishan, diku në Maltë, kinse për t’u dukur madhështor tek të huajt. Thjeshtë, ai u fsheh nga madhështia e kombit të tij, e përligji atë, e fyu deri në mospranim. Ky lexim nuk do t’i shpëtojë qytetarit të mveshur me qytetarinë për vendin e fatin e tij.

Hamza, po ashtu, iku, i harruar diku duke vrapuar pas Bo… të dashit. Në vend se t’i përkulej me nderim Flamurit të Shqiptarëve e datave historike të tij, bërjes së Shqipërisë sonë, ai me rendjen jashtë vendit na tha se, në kërkim të lavdisë së tij, nuk njeh e çmon Kombin as Historinë, as Kosovën as Shqipërinë.

Të mjerët nuk kanë mësuar nga historia se shkëlqimin ta japin vetëm rrezet e diellit të atdheut tënd!

Hamza i gjorë duhet të mësojë se së pari duhet fituar luftën, pastaj të vjelen frutat e mundësitë. Pa luftën e fituar në tapetin elektoral, edhe po t’i ndahet zyrë në Amerikë, ai quhet hiç gjë.

Gati gjashtë vite qeverisje e keqe Kurti. Atë e kanë vrarë ditë e për ditë pak e nga pak. Sot, ai nuk ngjallë frymë, shpresë jo e jo. Ai sot është thjeshtë KONJUKTURË. Një litar shantazhi që mëton t’i mbajë lidhur në rreshtin elektoral strukturat pushtetore, shërbimet publike dhe turmën e analfabetëve funksional që më nuk e përbëjnë atë 47%-shin e artë të tij.

Të zhgënjyerit po këpusin vargojtë e mashtrimit. Ai po e sheh këtë. Ndaj ikën, ndaj bën se po e thërrasin tavolinat gjithandej!

Në hallin që e ka zënë, Kurti ka humbur busullën, por jo edhe shpresën. Ai ka futur thellë në kuletën e shtetit duart e Hekuran Muratit. Po bënte “sadaka”, jo për pushtetin e radhës (për të cilin sikur duket e ka humbur davanë), por për kthimin e madh që provon ta shesë te të vetët pas zhgënjimit të radhës, që pret fati t’ia zbresë nga qielli pasi ata tjerët ta marrin pushtetin. Sikur, shfrenoi ai në një takim të ngushtë: – ata edhe mund ta bëjnë, tha ai, – ta shohim a mund ta mbajnë!

Është në zakonin e Vetëvendosjes të mos japin program qeverisës pa retorikë ideologjike. Kurti e bazoi programin e tij në tri shtylla me tendencë populiste, thuase për herë të parë, po vinte në pushtet: dhe këto ishin a) shteti i drejtësisë, b) shteti zhvillimor/ekonomik dhe c) shteti i mirëqenies.

Bazuar në këto dërdëllisje, ai ravijëzoi disa pika edhe ato përgjithësuese të tipit ‘afroma veshin të të them kurgjë’, si:

Krijim i vendeve të reja të punës

Mbështetje për bizneset, ndërmarrjet vendore dhe prodhimin

Program prej “1 miliard euro” për prodhim dhe zhvillim ekonomik

Stimuj për eksportues dhe prodhues

Reformë e drejtësisë dhe shtetit ligjor

Zbatimi i modelit të shtetit zhvillimor — me institucione shtetërore aktive në ekonomi, jo vetëm privatizim total

Tallje me inteligjencën tonë! Mirë që nuk e dinte ai që pushteton prej 6 vitesh. Po ne, elektorati, e dimë vallë? Ironia mbetet ilaqi i vetëm në pafuqinë që na ka zënë.

Programi Hamza, edhe pse adresonte më qartësisht fusha angazhimi me fokus, ai nuk ia doli të bënte më shumë për besueshmërinë qytetare. Edhe tek ai u ndje populizmi pa karar që në krye të herës: programi — tha ai — ka ardhur si angazhim qytetar, dhe jo vetëm si plan për kabinetin qeveritar… çfarë t’i themi kësaj dërdëllisjeje!

Shumë nga pikat programore të të dyja partive sa nuk ngjanin si dy pika uji dhe prap do ngjajnë ashtu.

Ajo që i dallon Kurtin dhe Hamzën është besueshmëria qytetare për fjalën e dhënë, premtimin në fushën ku Hamza është tashmë i dituri i pranueshëm në vend: financat. Kjo mund ta bëjë dallimin mes 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit.

Hamza ka dy mbajtje fjale të vërtetuara:

Rritjen e madhe të pagave në sektorin publik, 2011 (thuajse e vetmja reale)

Stabilitetin financiar që Kosova fitoi kur ai po drejtonte Bankën Qendrore

Ka edhe një të tretë që shkon në favor të tij: ai nuk ka qenë asnjëherë bartës i pushtetit, violina e parë e tij. Vjen në teren për t’u sprovuar, dhe populli ynë rend pas shpresës sa herë i nëpërkëmbet besimi i dhënë.

Këto dy epërsi morale janë të paarritshme deri sot për cilindo në qeveritë tona në fushën e financave.

Lëvizja e madhe e tregut, e cila ka gërryer fuqinë blerëse të pagave tona në mungesë të politikave mbrojtëse për shportën bazë me çmimet tavan, na thotë se Kosova kësaj radhe do të zgjedhë mes Kurtit dhe Hamzës për vlerat që ata bartin në fushën e të qenit konservator në vendimarrje, teknokrat në kapacitetet menaxheriale dhe shtëpiak në kujdesin ndaj rreziqeve për vendin.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …