Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë me prani fizike në Kosovë

Selajdin Abdullahu: GAFAT E NËNTORIT – TULIPANËT, DHE HAGA

Nëntori, muaji i flamurit, i kryengritjeve dhe i gjakut të shenjtë, duhej të ishte periudha ku kombi përkulet para sakrificave. Por vit pas viti, në vend të solemnitetit, shohim një paradë gafash politike që turpërojnë ditët më të ndritshme të kombit. Politikanë që flasin shumë dhe kuptojnë pak; që valëvisin flamurin, por harrojnë barrën e tij.
Ata ngatërrojnë datat, heronjtë, betejat, e deri edhe ushtrinë që luftoi në Kaçanik me komandant Idriz Seferin. Disa e përkujtojnë Isa Boletinin me pasion, por nuk dinë as tri fjalë të vërteta për jetën e tij. Festa e Nëntorit bëhet arenë për deklarata qesharake, festa partiake, fotografi të sforcuara, ndërsa kombi kërkon dinjitet, jo spektakël.
Por, për fat të keq, kjo nuk është e vetmja farsë.
Kur Evropa nuk solli dritë, por hije
Kosova ka politikanë që kanë jetuar dekada në Zvicër, Gjermani, Francë e Angli. Vende me demokraci të pathyeshme, institucione të rregullta, etikë publike, respekt për ligjin dhe kulturë politike shembullore. Ata u krenuan dikur se do ta sillnin këtë model në Kosovë — modelin e drejtësisë, të transparencës, të lirisë së shprehjes, të qeverisjes së mençur.
Por çfarë sollën në të vërtetë?
Jo dritën e fillimit perëndimor.
Jo qytetarinë e Evropës.
Jo vlerat e demokracive që i strehuan dhe i ushqyen.
Ata sollën me vete:
 • intrigat e vjetra ballkanike,
 • mentalitetin e fshatit të varfër,
 • mendësinë e klanit,
 • arrogancën e paditurisë,
 • dhe shkopin e pushtetit që ta mbajë në dorë deri sa t’a rrahë kundërshtarin.
Nga demokracia perëndimore nuk sollën as kulturën e debatit, as ndershmërinë e mandatit, as përgjegjësinë e dorëheqjes. Sollën vetëm kamerat e pres-konferencave, premtimet e pambajtura dhe një mentalitet sundimi që ngjante më shumë me oborret e errësirës mesjetare sesa me shtetet moderne.
Jetuan në shoqëri ku treni vjen në sekondë, ku ligji respektohet si Bibël, ku shteti funksionon pa bërë zhurmë — dhe prapë u kthyen në Kosovë me zakonet më të vjetra të ruajtura brenda valixheve të tyre.
Evropa i bëri qytetarë në letër.
Kosova i pa sundimtarë në praktikë.
Tulipanët e Holandës dhe drejtësia që nuk na njeh
Ndërkohë, në thellësi të Holandës, mes tulipanëve që rriten në fushat e pafund nën nivelin e detit, qëndron Gjykata Speciale. Kryetarja e saj ecën me qetësi mes rreshtave të ngjyrave artificiale, ndërsa brenda mureve ftohtësohen fatet e atyre që dikur mbronin popullin e tyre me jetën në dorë.
Prokurorë “specialë”, të ftohtë si qelqi i Amsterdamit.
Dëshmitarë “specialë”, të mbuluar me perde sekreti.
Procese “speciale”, larg popullit që kërkon të vërtetën.
Dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia morale:
ata që mbrojtën këtë vend, sot mbrohen nga europa atlantike por jo nga shteti që e krijuan,
ata që e çuan flamurin lart, sot e shikojnë prej qelisë;
ndërsa ata politikanë që jetuan në demokracitë më të zhvilluara të botës, sot sillen sikur kanë sjellë errësirën për ta mbuluar këtë komb.
Nëntori nuk pranon shfaqje
Nëntori nuk është teatër për gafat politike.
Nëntori nuk është dekor për politikanët e lodhur nga papërgjegjësia.
Nëntori është amanet, është gjak, është histori.
Politikanët mund të bëjnë selfie, mund të mbajnë fjalime të gatshme, mund të flasin për patriotizëm ndërsa e përdorin flamurin si perde. Por populli e sheh. Populli e di. Populli nuk harron.
Ata që jetuan në Zvicër e sillen si feudalë.
Ata që studiuan në Gjermani e udhëheqin me frikë.
Ata që u rritën në Angli ,Amerikë e gjetkë, sundojnë me klane.
Ata që panë Francën e Lirisë e kthehen me mentalitet oborri.
Kjo është tragjedia politike e Kosovës.
Deri kur:
 • drejtësia në tulipanë të jetë më e rëndësishme se drejtësia në tokën tonë,
 • politikanët e Perëndimit të sjellin mentalitetin e Mesjetës,
 • dhe festat e Nëntorit të përdoren për gafat e radhës,
ky vend do të mbetet i plagosur midis dy botëve: as Perëndim i vërtetë, as Lindje e e errët— por një tokë që pret drejtësinë e vet.
Liria u fitua me jetën e njerëzve, jo me deklarata politike.
Flamuri u ngrit nga ata që s’u trembën, jo nga ata që sot flasin pa u skuqur.
Historia jonë nuk u shkrua në fushat e pafundme me tulipanë, por në male me gjak.
Dhe derisa ta kuptojmë këtë, Nëntori do të festohet, por nuk do të nderohet.Kombi shqiptar e di rrugën e vet.Drejtësia e pa drejt do të dridhet nga pafytërsia e saj dhe me dëshmitë e instituteve të kuzhinave serbo-ruse.Në fund të këtij Nëntori të trazuar, mes gafash politike, padrejtësisht të importuara dhe hijeve që na rrëzohen mbi kokë, një gjë mbetet e pandryshuar: forca e kombit shqiptar për t’u bashkuar kur rreziku është më i madh.
Historia jonë nuk është ndërtuar nga ndasitë, por nga bashkimi. Nuk është mbajtur gjallë nga pushtetet, por nga populli. Nuk është mbrojtur nga të fortët e ditës, por nga njerëzit e zakonshëm që në kohën e duhur janë bërë të jashtëzakonshëm.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, na duhet një thirrje e qartë e paekuivoke:
Le të bashkohemi. Le të ngrihemi mbi partitë, mbi inatet, mbi dallimet e kota që na dobësojnë.
Le ta rikthejmë unitetin si armën tonë më të fortë — atë që na dha fuqi në kryengritjet e Idriz Seferit dhe Isa Boletinit, të Adem Demaçit e Adem Jasharit,Agim Ramadanit e heronjëve të tjerë që ishin prijës lufte, atë që na mbajti gjallë në çdo periudhë errësire.
Le të mos lejojmë që askush, as nga jashtë dhe as nga brenda, të na ndajë, të na përçajë, apo të na përkufizojë me kufijtë që nuk i kemi zgjedhur vetë.
Sepse një komb i bashkuar është më i fortë se çdo gjykatë e padrejtë.
Më i madh se çdo politikan i paaftë.
Më i qëndrueshëm se çdo stuhi e përkohshme.
Dhe derisa ka shqiptarë që besojnë, punojnë dhe sakrifikojnë për këtë tokë, shpresa kurrë nuk shuhet.
Të bashkuar ne nuk jemi vetëm më të fortë —
02.12.2025 -Gjilan

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …