leoni

Masakra në Nagavc

RKL: Disa medie e politikanë të papërgjegjshëm fajin për masakrat ua hedhin paramilitarëve, jo ushtrisë serbe

Qysh në kohën kur kishte filluar lufta në Kosovë, në vitin 1998 e deri në mbarimin e saj, në qershor të vitit 1999,  mediet dhe garnitura e politikanëve pacifistë e asaj kohe, vrasjet e masakrat që kryente policia dhe ushtria serbe mbi shqiptarët  i paraqitnin si vrasje e krime, të atyre që i quanin forca, “militare e paramilitare serbe”. Kjo bëhej me qëllim që të mos “komprometohej” ushtria dhe Policia e Sllobodan Milosheviqit, me të cilin bisedonin në Beograd dhe pretendonin t’ia ruanin sadopak fytyrën, jo vetëm duke ia shtrënguar duart dhe duke u përkulur para tij, por duke lënë të kuptohet se ai nuk i kishte nën kontroll bandat e vullnetarëve, sikur që LDK-ja pranonte botërisht se nuk i kishte nën kontroll grupet e UÇK-së.

Kjo përpjekje për ruajtjen e status-quosë gjatë luftës, bëri që shumë gazetarë, politikanë, në shkrimet dhe komentet e tyre të akuzonin për vrasje e masakrime jo drejtpërdrejt regjimin fashist e kriminal të Beogradit, por bandat vullnetare, militare e paramilitare sikur i kishte emëruar edhe shtypi i Beogradit, me qëllim politik që situata të paraqitej konfuze dhe e dalë jashtë kontrollit të regjimit.

Si paramilitarë të tillë u quajtën forcat e Arkanit, të Sheshelit dhe të grupeve të tjera si “Dora e zezë”, “Çakallët”, “Ujqit” e monstra të tilla, të cilët i armatoste dhe i kishte nën kontroll regjimi i Milosheviqit dhe  i përdorte me qëllim të caktuar.

Përpjekjet për krijimin e bindjes se shqiptarët nuk rrezikoheshin prej ushtrisë dhe policisë serbe por  nga forcat, që gjoja nuk i kishte nën kontroll regjimi, ishin përpjekje për të mos lejuar që opinioni të besonte se krimet po i bënte ushtria e policia e Milosheviqit por forcat e dala jashtë kontrollit.

Papërgjegjësia e disa shqiptarëve, pacifizmi i neveritshëm  apo shpirti i tyre i shitur bënte se të kursehej regjimi vrastar, duke fajësuar për masakrat kundër shqiptarëve vetëm forcat e quajtura paramilitare.

Çuditërisht edhe sot, 19, vjet pas luftës dhe masakrave në shumë medie të Kosovës qarkullojnë lajme se paramilitarët serbë kryen krime e masakra në Stidume, në Meje, në Krushë, në Izbicë e vende të tjera.

Duke pasur para sysh formimin e kësaj bindjeje antihistorike, e cila ishte trasuar me mjeshtëri nga regjimi serb, vetë gjenerali, Dikoviq, shef aktual i Shtatmadhorisë serbe,  i cili kishte urdhëruar krimet në Izbicë e gjithandej në Drenicë, thotë se ushtria e tij nuk ka kryer krime, por paramilitarët, të cilët ai nuk i kishte nën kontroll. Përderisa shqiptarët nuk e kanë paditur këtë kriminel fashist, del të jetë e padobishme edhe  padia që i ka ngritur Fondi Humanitar i Natasha Kandiqit.

Dikoviqi ka pranuar atë që e kanë publikuar dhe vazhdojnë ta publikojnë edhe sot mediet tona pacifiste, të cilat fajin për krimet nuk ia adresojnë regjimit kriminal, por forcave vullnetare paramilitare serbe.

Shfletuesve të gazetave e portaleve nuk ua vret fare syrin as veshin ky interpretim antihistorik i luftës, sepse janë mësuar me manipulime të tilla të jugo-medieve’ “kosovare”.

Duket se fjalori politik, mbase edhe i papërgjegjshëm i shumë politikanëve shqiptarë, me apo pa dashje ka marrë nën mbrojte regjimin, duke fajësuar forcat, për të cilat pretendohej dhe pretendohet se i kanë kryer krimet kundër shqiptarëve në Kosovës.

Ka edhe jugo-nostalgjikë shqipfolës, të cilët edhe sot, 19 vjet pas luftës, madje ka edhe prej atyre që kanë pësuar rëndë nga krimet,  thonë se ato masakra i kryen paramilitarët, jo ushtarët e policët serbe.

Shikoni sot jugo-mediet e Kosovës si janë të mbushura me lajmin për masakrën e Studimes, të kryer nga forcat serbe 19 vjet në parë:

Derisa interpretohet shkrimi i kryetarit, Hashim Thaëi i cili shkruan se “Si institucione të Republikës së Kosovës, nuk do të ndalim asnjëherë zërin për zbardhjen e krimeve të bëra nga forcat ushtarake dhe policore serbe, jugo mediet masakrën e përcaktojnë  sipas logjikës së tyre:

Koha net: Kujtojmë se më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. (Koha net, 2, prill 2018)

Bota sot: Më 15 janar të vitit 1999 nga paramilitarët serbë në Reçak u vranë mbi 45 civilë shqiptarë, mes tyre edhe 8 pjesëtarë të UÇK-së. (14/10/2017)

Portali Telegraf: Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin larguar për në Shqipëri.  (Telegraf, 2. 5. 2018)

Insajder Kosovo: Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. /Insajderi/

Zëri: Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Zëri

Shumica e këtyre lajmeve janë shpërndarë me “Copy paste” nga i njëjti burim, pa menduar fare se kush dhe si i ka masakruar 116 shqiptarë, 19-vjet më parë në Studime të Vushtrrisë dhe në qindra vend-masakrime të tjera kudo në Kosovë.

Është e mundshme që disa nga gazetarët këtë e kanë bërë me shpejtësi dhe pa pasur kohë të mendohen se çka dhe si shkruajnë, por ka edhe të tillë të cilët frazeologjinë e luftës e konceptojë sipas bindjeve të tyre politike, sidomos mediet që kanë trashëguar mendësinë e kohës së bashkim vëllazërimit.  Njihuni me faktin se kush i udhëheq mediet e apostrofuara dhe e keni fare lehtë ta kuptoni se cila mendësi politike është e pranishme te ne edhe 19-vjet pas luftës në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …