Brickos

Hashim Thaci

RKL: Dy deklarata ogurzeza për të ardhmen e Kosovës, njëra nga kryetari i saj politik, tjetra nga ambasadori amerikan

Gabimet që i ka bërë, asokohe kryeministri i Kosovës e tani kryetari i saj, Hashim Thaçi, por jo vetëm ai, (por koalicioni i atëhershëm qeveritar), në bisedime me Serbinë, tani po mundohet t’i ndajë me të gjithë, sepse e ka kuptuar fare mirë se negociatat kanë një fund dhe në fund duhet të arrihet, apo të mos arrihet marrëveshja. Dhe, për fund ai ka paraparë, t’ i lajë duar ashtu sikur Ponitje Pilati në kohën e tij.

***

Nuk ka vija të kuqe në bisedimet me Serbinë thotë kryetari “politik” i Kosovës, Hashim Thaçi, (e quaj “politik”, meqë nuk e ka zgjedhur populli por vetëm dy parti politike: PDK-LDK, me pazaret që dihen), ndërsa ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie thotë se “Kosova nuk do të jetë pjesë e NATO-s pa arritur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. Në dukje këto dy deklarata, ashtu si çdo deklaratë politike, e cila vlen vetëm derisa të prononcohet deklarata tjetër, nuk duken gjithaq të veçanta, edhe pse realisht janë deklarata ogurzeza për të ardhmen e vendit.

Të deklarosh se nuk do të ketë vija të kuqe në bisedime me Serbinë, do të thotë se mund të negociohet në radhë të parë pavarësia e Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh dhe ka bërë të ditur se nuk do ta njohë kurrë. Dhe mu për këtë, Hashim Thaçi ka hequr “vijat e kuqe në bisedime”, edhe pse dikur thoshte se me Serbinë gjithçka  ka vija të kuqe, por jo dialogu teknik, që doli të ishte dialog politik, i cili prej atëherë po e mbanë peng pavarësinë e Kosovës dhe ka stagnuar në tërësi procesin e njohjes nga shtetet e botës. Por për t’i hequr këto vija, ai kërkon dialog gjithëpërfshirës, sepse atë që e ka mbjellë vetë, pa pyetur askënd,  tani në finale dëshiron ta korrë me të gjithë, të cilët nuk i kishte pyetur në Marrëveshjen e Brukselit të 19 prillit të vitit 2013, kur në prani të palës serbe dhe arbitrimit të BE-së, kishte nënshkruar stagnimin e procesit të pavarësisë së Kosovës.

E njëjtë dhe krejtësisht e pashpresë  është edhe deklarata e ambasadorit  amerikan, Greg Delawie i cili thotë se Kosova nuk do të jetë pjesë e NATO-s pa arritur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Nuk ka asgjë tjetër për veç të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, ka saktësuar ai.

Natyrisht se asnjëri nga kjo dyshe, që pretendojnë të jenë alfa dhe omega e politikës në vend, nuk ka dhënë shpjegimet e duhura, realiste, se çka nënkuptojnë këto deklarata arbitrare.

Thaçi nuk ka shpjeguar se a ka paraqitur Serbia vija të kuqe, apo ndoshta asaj nuk i duhen fare ato vija, sepse ajo edhe me Kushtetutë, Kosovën e ka përkufizuar si provincë.  Delawi nuk ka shpjeguar se si mund të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila thotë hapur se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe se mund të bisedojnë me Prishtinën, për gjithçka tjetër, por jo lidhur me pavarësinë.

Po ashtu, z. Delawi, i cili përfaqëson Shtetin, të cilit shumica e shqiptarëve ia kanë falur besimin më shumë sesa i besojnë Zotit, nuk e ka qartësuar me asnjë fjalë të vetme  si mund të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë, kur ajo në mënyrë konstante ka deklaruar dhe deklaron se nuk e njeh dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje për këtë njohje nuk e obligon BE-ja, as Amerika, meqë nuk ka si ta kushtëzojë, sepse Serbia është anëtare e OKB-së, ndërsa ka bërë të ditur botërisht, se nuk do të heqë dorë nga Kosova,  për të qenë pjesë e BE-së.

Atëherë logjikisht shtrohet pyetja si mund të arrihet marrëveshje me kushtëzime paraprake nga pala e Serbisë dhe pa asnjë kushtëzim apo vijë të kuqe nga Kosova?

 Kjo na çon në një përfundim të thjeshtë, logjik, që ka ndodhur jo vetëm njëherë deri tani, se Kosova duhet të lëshojë pe edhe përfundimisht, sepse pasi Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë kishte shpallur verdiktin se pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, krerët politikë të vendit ishin pajtuar që të fillonin bisedimet me Serbinë, fillimisht si bisedime teknike, për të arritur tani në bisedime pa vija të kuqe.

Gabimet që i ka bërë, asokohe kryeministri i Kosovës e tani kryetari i saj, Hashim Thaçi, por jo vetëm ai, (por koalicioni i atëhershëm qeveritar), në bisedime me Serbinë, tani po mundohet t’i ndajë me të gjithë, sepse e ka kuptuar fare mirë se negociatat kanë një fund dhe në fund duhet të arrihet apo të mos arrihet marrëveshja. Dhe, për fund ai ka paraparë, t’ i lajë duar ashtu sikur Ponitje Pilatin në kohën e tij.

Realisht, me Qeverinë aktuale të Kosovës, e cila po shihet se angazhim primar ka rritjen qind për qind të pagave, zgjerimin pa skaj të ministrive e zëvendës-ministrave, uzurpimin e çdo burimi ku rrjedh paraja publike, mund të bisedohet edhe pa vija të kuqe, meqë ato nuk prekin qeverisjen e brendshme.

Muajt që po vijnë kërkojnë mobilizim gjithëkombëtar, meqë çdo lëshim që mund të bëhet në dëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për hir të ruajtjes së paqes në Ballkan, dëmton interesin e kombit në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. Një dëm i tillë nuk mund të kalojë pa revolta dhe pasoja tragjike, sepse Kosova nuk është vetëm e atyre që duan të na qeverisin sipas mujsharisë së tyre, nuk është vetëm e 40 përqindëshit që merr pjesë në zgjedhje, por në radhë të parë është e shumicës, e 60 përqindëshit, që nuk ia ka falur besimin kësaj politike, e cila me  ndonjë përjashtim, tashmë e ka katandisur vendin në një pozitë pa rrugëdalje.

Krerët aktualë politikë të vendit duhet ta dinë se e kanë besimin e pakicës dhe jo të shumicës së popullit, madje edhe brenda asaj pakice nuk e kanë shumicën, sikur do të duhej ta kishin pasur,  sepse për ta marrë me çdo kusht qeverisjen e pushtetin bënë pazare me Listën serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi.

Tani lakrorit po i hiqet peta, për të parë se çka ka brenda.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …