Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

RKL: Edhe Qeveria Haradinaj, ashtu si qeveritë e pasluftës në Kosovë e injoroi Radion-Kosova e Lirë

Edhe Qeveria Haradinaj, gjatë kohës së qeverisjes,  ashtu sikur ato parapraket,  nuk pranoi të kthejë, të paktën një  përgjigje  refuzuese me shkrim,  në kërkesën e Radios Kosova e lirë të datës 1. 12. 2017. ( protokolluar më 4. 12.  2017)

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë ka praktikuar që çdo Qeverie të re të Kosovës, t’ i ushtrojë kërkesë për marrjen në përkujdesje institucionale të “Shtëpisë-Muze” të Radios në fshatin Berishë, si vlerë e veçantë e luftës së UÇK-së.

E kemi përsëritur këtë kërkesë prej vitit 2009, kur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i  Qeverisë së atëhershme, z. Valton Beqiri kishte marrë vendim që “Shtëpia-Muze”,  në fshatin Berishë, të merrej në mbrojtje institucionale. Në vendimin e datës 3. 11. 2009, Ministria kishte obliguar  Komunën e Drenasit, (në territorin e së cilës gjendet “Shtëpia-Muze”) që ta zbatonte vendimin.

Vendimin  e Ministrisë e kishte hedhur  poshtë, pa e marrë fare në shqyrtim kryetari i atëhershëm i komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku, i cili nuk kishte pranuar asnjë përgjigje me shkrim, për faktin se e kishte injoruar kërkesën si të tillë. Përgjigjen gojore, drejtorit të Radios ia kishte kumtuar zyrtari i atëhershëm për arsim…

Nga viti në vit, secilës Qeveri të re ne i kemi ushtruar kërkesë, duke u mbështetur në vendimin e vitit 2009, por asnjëherë nuk kemi marrë as edhe një përgjigje me shkrim, lidhur me arsyet e refuzimit të  kërkesës.

Më 1. 12. 2017, kërkesën ia kishim drejtuar kabinetit të Qeverisë Haradinaj, dhe ashtu sikur rëndom nuk kemi marrë as një përgjigje me shkrim, edhe pse z. Haradinaj thirret shumë në vlerat e luftës dhe është treguar më dorëliri nga të gjithë kryeministrat e deritanishëm për luftëtarët e lirisë, sidomos për ata të Dukagjinit dhe për këtë duhet falënderuar. Mund të jetë që ai fare nuk është lajmëruar nga zyrtarët e këshilltarët e shumtë, të cilët i kishte të zënë me punë në Kabinetin e tij.

Kjo formë e injorimit nga Qeveria Haradinaj dhe qeveritë paraprake tregon më së mirë sa të papërgjegjshëm janë zyrtarët tanë,  të cilët nuk respektojnë as minimumin e sjelljes zyrtare, e cila obligon çdo zyrtar, të paktën të jetë korrekt në përgjigjet që iu drejtojnë qytetarët e Kosovës.

Kërkesa,  në asnjë mënyrë nuk nënkupton aprovimin, por është obligim zyrtar t’i jepet përgjigje me shkrim palës,  e cila ka kërkuar një përgjigje të tillë.

Injorimi,  që të gjitha qeveritë e Kosovës i kanë bërë dhe i bëjnë Radios-Kosova e Lirë, ka të bëjë në radhë të parë, për shkak se kjo Radio ka qenë e themeluar nga SHP i UÇK-së dhe kjo është parë me sy të keq nga të gjithë protektorët ndërkombëtarë dhe vasalët e tyre në vend. Po ashtu, injorimi ka të bëjë  edhe për shkak se stafi i Radios nuk është kursyer asnjëherë ta thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e cila kurrë nuk iu pëlqen zyrtarëve të pa emancipuar të pashkolluar, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm dhe ata, derisa janë të tillë edhe hakmerren, shpeshherë mizorisht.

Përpjekjet për shuarjen e Radios-Kosova e Lirë dhe trashëgimisë së saj historike, nuk kanë reshtur asnjëherë dhe nuk do të pushojnë nga pushtetarët, as nga gupet dhe klanet e ndryshme të interesit, sepse kjo Radio nuk iu ka nënshtruar regjimit kriminal të Milosheviqit edhe pse qenë e bombarduar nga toka e nga ajri, dhe në mbrojtje të pozicioneve nga ku ka transmetuar program,  kanë rënë 12 dëshmorë dhe shumë luftëtarë të tjerë janë plagosur. Kjo Radio pas luftës nuk ka pranuar të jetë në shërbim të mujsharëve politikë dhe të interesave të tyre, jo në shërbim të kombit e atdheut, por të feudeve të tyre profitere partiake.

Më 27 mars 1999 dy aeroplanë bombardues serbë kanë goditur vendqëndrimin e Radios-Kosova e Lirë dhe A. Kosovapress

Shtëpia Muze në fshatin Berishë, shtrihet një lokal 42 m2. Ajo  është ndërtuar nga fondi i Radios dhe ndihma e disa donatorëve, ndërsa punimet,  gratis,  i kanë kryer pjesëtarët e Brigadës 313, të TMK-s në Malishevë, në vitin 2003. Stafi i punëtorëve  gjatë ndërtimit të objektit ka punuar pas orarit të punëve në TMK dhe ditëve të pushimit. Në Shtëpinë-Muze, ruhet tërë teknika transmetuese e luftës, kamerat, diktafonët, arkivi dhe  dokumentacioni i luftës. Bunkeri i transmetimit gjatë luftës  në majën e malit Pallanik është dëmtuar në mungesë të mjeteve financiare…

Në Kosovë ende dëgjohet  zëri i Radios-Kosova e Lirë, i filluar më 4 janar 1999…

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …