RKL

RKL: Është verbëri politike të mendohet se Kosova do të bëhet xhandar i Ballkanit, ashtu si Izraeli xhandar i fqinjëve të vet

Marrëveshja e 4 Shtatorit, në Uashington, nuk ishte marrëveshje sikur ishte pritur nga politika iluzioniste, pacifiste e Kosovës, por një mashtrim dhe kurth për Kosovën, përparësi për Serbinë dhe përfitim për administratën e ish kryetarit amerikan, Donald Trump.

Delegacioni i Kosovës, në Uashington me 4 shtator 2020 nuk e kushtëzoi marrëveshjen ekonomike me Serbinë,  me njohje reciproke sikur ishte vetëdeklaruar, por u dorëzua ende pa arritur në Amerikë.

Delegacioni i Serbisë, kushtëzoi bisedimet mos hapjen e çështjes së statusit as të njohjes reciproke, ndërsa ndërmjetësuesi në bisedime, dhe garantuesi i Marrëveshjes, ish-kryetari amerikan, Donald Trump, marrëveshjen ia atribuoi vetvetes duke deklaruar se kishte arritur ta ndalonte “luftën treqindvjeçare mes serbëve e shqiptarëve” (!).

Pika e vetme që do të “fitonte” Kosova ishte  ajo e njohjes së vendit tonë nga Izraeli, por me kushtin e fortë,  që Kosova të zotohej se ambasadën e vet ta vendoste, jo në Tel Aviv,  ku janë të vendosura ambasadat e tërë botës, por në Jerusalem, aty ku e para  e kishte vendosur administrata e Trumpit. Me këtë akt edhe Kosova do ta njihte Izraelin me kryeqytet të ri, në qytetin e Jerusalemit, që është  kryeqendra e Palestinës dhe  e  tri religjioneve botërore.

Kjo ishte fitorja e Pirros e delegacionit të Kosovës, në kryeministrin, Avdullah Hoti në krye.

Shqiptarët i duan hebrenjtë dhe këtë e kanë treguar më së miri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur i kanë ruajtur ata edhe me çmimin e jetës së tyre,  por qeveritë në Izrael, kurrë dhe asnjëherë nuk i kanë dashur ai i duan shqiptarët, për të mos thënë se i urrejnë, njëjtë sikur urrejnë dhe i masakrojnë palestinezët,  apo ashtu sikur të gjithë myslimanët e botës.

Pozita hileqare dhe hipokrite e Izraelit do të dilte sheshit, nëse qeveria në largim apo ajo në ardhje, do të guxonte të vepronte me arsye dhe në interesin e vetë, kundër Marrëveshjes së arritur në Uashington.  Njohja e Kosovës nga Izraeli, është një thikë e ngulur pas shpine mbi vendin tonë. Kanë kaluar 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe Izraeli nuk e kishte njohur Kosovën, as do ta njihte kurrë, po të mos kishte një përfitim,  si ai që nxori, jo pa pritur dhe befasisht nga bisedimet e kushtëzuara, në Uashington.

Mjerisht, në Kosovë ka shumë mendjelehtë, iluzionistë, mendje dehur, të cilët mendojnë se Amerika e Bajdenit Kosovën do ta militarizojë dhe  do ta bëjë një Izrael të Ballkanit e të Evropës, në mënyrë që  vendi ynë të behet xhelat i fqinjëve të vet, ashtu sikur afër një shekull ishte Serbia, xhelati i Rusisë dhe i Evropës në Ballkan, dhe që pretendon të jetë edhe më tej, ashtu sikur është Izraeli aktualisht për Lindjen e mesme për tërë fqinjët. Po kështu është mjaft dëshpërues lajmi se FSK-ja së shpejti do të vendos marrëdhëniet ushtarake mes Kosovës dhe Izraelit. Kështu bënë të ditur nga Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një postimi në “Twitter”.

Jo politikanët mendjelehtë dhe për konsum ditor të vendit, por ata që rezonojnë me logjikën e shtet-ndërtimit do të duhej  merrnin një qëndrim të prerë, të përgjithshëm që do të ishte në interes të vendit, përderisa krejt bota me përjashtim të administratës së ish kryetarit amerikan, Donald Trump, është kundër vendimit mujshar të Izraelit për ta njohur Palestinën si kryeqytet të Izraelit.

Dihet botërisht se ky akt i ish-Qeverisë Hoti, ishte dhe mbetet  në kundërshtim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në kundërshtim me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian, është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Vatikanit, të Kishës Ortodokse dhe të të gjitha shteteve me shumicë myslimane të botës. Është edhe një cinizëm tjetër dhe një poshtërim që Izraeli ia bën Kosovës, duke e trajtuar si të parin shtet mysliman që e njeh Palestinën si kryeqytet të Izraelit, edhe pse Kosova, por as Shqipëria  me kushtetutë nuk janë shtete islame. Ky përçmim i Izraelit, edhe pse nuk u shkon për shtati shumicës së politikanëve tanë me qëndrim antimysliman, ata i shtyn të bëjnë lojën e strucit.

Asnjëri prej tyre nuk ka guxim të pakën ta thotë hapur se Kosova në pikëpamje fetare ka një shumicë të deklaruar myslimane, por nuk është shtet mysliman, por shteti me tolerancën maksimale  fetare si asnjë shtet tjetër i botës. As këtë nuk janë në gjendje ta thonë këta politikanë të mefshtë, të vetë-tredhur politikisht  dhe të nëpërkëmbur nga të gjithë politikanë e botë

Duke qenë në pozitë të vasalit, ata nuk kanë nevojë të mendojnë me kokat e veta. Dhe kjo u mjafton. Po harrojnë këta mjeranë se administrata e ish kryetarit Donald Trump nuk i ka detyruar ta nënshkruajnë Marrëveshjen e 4 shtatorit, e cila në momentet e fundit doli se nuk ishte marrëveshje për njohje reciproke, por marrëveshje ekonomike në kushte të ruajtjes së status-quosë politike.

Tani Kosova rrezikon tërheqjen e njohjes  së pavarësisë nga shtetet e Azisë e Afrikës, po ashtu edhe tërheqjen e investimeve e ndihmave që ka marrë dhe merr nga këto shtete, por nuk besoj se këtë do ta bëjë Turqia, vendi i tretë në botë me shumën e investimeve ekonomike në Kosovë, qysh nga pas lufta, pas Amerikës e Gjermanisë.

Ankaraja zyrtare e kupton  pozitën vasale  dhe tejet të dobët ndërkombëtare të Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk pritet të na ndëshkojë, sepse ajo e di fare mirë se popullata shumicë në Kosovë dhe jo vetëm ajo e besimit islam, nuk pajtohet me qëndrimin e një ish-Qeverie të mefshtë,  e cila aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes e kishte bërë në radhë të parë  për të mbijetuar politikisht, dhe pa  as një arsye tjetër. Në të mirë të këtij konstatimi flet edhe qëndrimi i Shqipërisë zyrtare, e cila nuk e njeh Palestinën si kryeqytet të Izraelit.

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …