leoni

RKL: Financimi i RTK-së nën përkujdesjen e Kuvendit të Kosovës, por me “haraçin”, që iu merret qytetarëve, fare pa i pyetur

Në takimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi me anëtarët e Bordit të RTK-së është bërë e ditur se Kuvendi i Kosovës do ta mbështesë çdo zgjidhje të mundshme për financimin e Radio Televizionit të Kosovës, ndërsa financimi i transmetuesit të vetëm publik të vazhdohet përmes faturave të KEK-ut, ose përmes faturave të telefonisë, praktikë, për të cilën thuhet se përdoret edhe në disa vende evropiane. Krasniqi ka shtuar me këtë rast se Radio Televizioni i Kosovës duhet të ketë qëndrueshmëri financiare dhe të jetë i pavarur, ndërkohë që Kuvendi do të gjejë një formë sa më të qëndrueshme të financimit të këtij mediumi multietnik. Unë kërkova nga bordi që së bashku me KPM-në të gjejnë një, dy apo tri forma, për të vendosur se cila do të ishte më e mirë, e cila do të ishte më e lehtë jo vetëm për RTK-në, por edhe për qytetarët, që kanë obligime, dhe, ne si kuvend do ta mbështesim një nga këto zgjidhje të mundshme për financimin e RTK-së”, ka thënë Jakup Krasniqi.

Lidhur me kthimin e financimit të RTK-së, përmes faturave të energjisë elektrike, apo përmes telefonisë, sikur u tha në Kuvendin e Kosovës, është mirë, që të paktën kësaj radhe të mos vendoset në mënyrë arbitrare, dhunshëm, mbi kurriz të taksapaguesve, sikur është vendosur në të kaluarën, sepse ata edhe ashtu janë të ngarkuar nga shumë taksa të llojllojshme administrative. Secila taksë, që rëndon mbi kurriz të qytetarit, pa lejen dhe aprovimin e tij është taksë e paligjshme, dhe shkel të drejtat e tij si qytetar. Pikërisht për këtë ka ngecur dhe do të ngec edhe në të ardhmen arkëtimi i energjisë elektrike në filialet e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Janë qindra e mijëra qytetarë të Kosovës, që nuk e përcjellin këtë RTK-në multietnike, në radhë të parë sepse si qytetarë të lirë, të një vendi të lirë, ata përcjellin kanalet e tyre të preferuara dhe nuk mund të detyrohen, as nuk mund të obligohen të përcjellin në medium publik, vetëm sepse aty defilojnë në çdo çast figurat e zyrtarëve, të pushtetarëve, policëve, eueleksistëve, prokurorëve, vipave, bukurosheve, manekeneve dhe lakuriqësisë, etj.
Në Kosovë kanë leje pune edhe qindra mediume të tjera, të cilët kanë shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit e vet. Po ashtu dihet botërisht se sa burime i ka shfrytëzuar dhe i shfrytëzon aktualisht RTK-ja, qoftë përmes donacioneve të huaja, përmes taksave “haraç” të qytetarëve, përmes Buxhetit të Kosovës, reklamave tejet të shtrenjta dhe shumë e shumë burimeve të tjera. Po ashtu dihet botërisht se çfarë keqpërdorimesh financiare janë bërë në këtë medium, dhe çuditërisht deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan kundër formimit të një komisioni parlamentar, i cili do të hulumtonte dhe do të zbulonte keqpërdorimet galoponte, që janë bërë dhe po bëhen në këtë medium publik. Nëse vërtet ky medium është i tillë, publik dhe qind për qind i pavarur, atëherë duhet edhe transparenca të jetë qind për qind publike.
Të paktën kështu do të duhej të ishte, por ja që nuk është dhe nuk do të jetë.
Do të ishte e rrugës që nëse Kuvendi merr përsipër përkujdesjen për financimin e RTK-së, të ushtronte ndikim të paktën në përmirësimin e imazhit moral, të insistonte në profesionalizëm dhe në krijimin e një koncepti të shëndoshë kombëtar, fetar e njerëzor, sepse mediumi që nuk i përfill këto tri komponente, nuk mund të jetë medium për të gjithë, sikur pretendon të jetë RTK-ja, duke u mbështetur me vetëdeklarim se qenka medium i të gjithëve.

Duket se presioni, që ka bërë kryesuesi i Transmetuesve Evropianë, kundër Qeverisë së Kosovës, të cilën e ka akuzuar pa asnjë faj, se gjoja paska bërë presion për dorëheqjen e drejtorit të përjetshëm të RTP-RTK-së, Agim Zatriqit, njeriut të devotshëm, të bashkim vëllazërimit dhe të orgjive pas mesnatës, në zonat e fshehta nga kamerat e të RTK-së, e ka bërë të veten. Kuvendi ka vendosur, që të marrë përsipër financimin e RTK-së dhe me këtë duket se do të mbyllet, të paktën për një kohë të caktuar, Kutia e Pandorës, e quajtur RTK. Do të anashkalohen keqpërdorimit, do të vazhdojë taramania, anarkia, pornografia, mungesa e kulturës, përjashtimi nga ky medium i personaliteteve më të çmuara të historisë së kombit dhe do të thellohet edhe më tej koncepti Ahtisarian i kosovarizimit të shqiptarëve.
Pikërisht për këtë ka reaguar edhe kryesuesi i transmetuesve Evropianë, duke kërkuar madje edhe kthimin në punë të Zatriqit dhe klanit të tij, sepse masonët që kanë projektuar shpërfytyrimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, nuk bëjnë shaka, nuk lëshojnë të rrjedhë qoftë edhe një pikë nga plani i tyre ogurzi për shqiptarët dhe tejet i volitshëm për serbët dhe jo shqiptarët.
Çështja rreth RTK-së nuk është vetëm problemi i financave, sepse prej vitit 1999 e deri tani, në këtë medium “publik” janë derdhë mjete po aq sa në Korporatën Energjetike të Kosovës, dhe ata që kanë investuar kaq shumë në këtë drejtim, (dhe dihet mirëfilli kush dhe sa ka investuar), kanë llogaritur se ky është mediumi, i cili do t’ i shërbejë më së shumti politikave diversive antishqiptare, do t’ i shërbejë tjetërsimit kombëtar në mënyrë të ngadalshme, duke reklamuar anët e lezetshme dhe shkëlqimin e luksin e jetës, duke edukuar gjeneratat me “kulturën” e multietnicitetit dhe shpërfytyrimit kombëtar. Dhe që ironia të jetë edhe më banale dhe më groteske, vetë qytetarët e Kosovës do të detyrohen ta paguajnë “haraç” për këtë medium, i cili ka qenë, është dhe po mbetet tërësisht i manipuluar nga politikat antishqiptare, ashtu sikur ka qenë dikur RTP-ja, ideologjike në shërbim të bashkim-vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Partisë URA, Dritan Abazoviq ka shpallur fitoren e koalicionit “Për një fillim të ri” në zgjedhjet lokale për Ulqinin

Dritan Abazoviq: Nuk do të votoja kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës të mërkurën ka miratuar raportin e …