RKL: Gjykata Speciale kundër UÇK-së e ngjashme me gjykatat raciste e fashiste

Përpjekjet e BE-së dhe disa diplomatëve të huaj për ta detyruar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, që me çdo kusht ta japin pëlqimin për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila gjykon vetëm pjesëtarët e UÇK-së, është kulmi i pafytyrësisë së diplomatëve të BE-së, të cilët  asnjëherë nuk ishin pajtuar me bombardimin e Serbisë nga NATO-ja dhe në vazhdimësi kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje për ta diskredituar luftën e UÇK-së, të cilën e kanë përkrahur dhe e kanë ndihmuar sidomos Britania e Madhe dhe Amerika.

 

Tani, 16 vjet pas luftës, shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pranimit të saj nga rreth 110 shtete të botës, pesë vjet nga verdikti pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë -pro shpalljes së pavarësisë, qarqet antishqiptare në BE, në Beograd, Moskë e Athinë kanë arritur të ushtrojnë një ndikim të jashtëzakonshëm në diplomacinë ndërkombëtare, e cila merret me Kosovën. Duke ditur se Kosova ka një diplomaci tejet të dobët dhe shumë servile karshi të gjithë të huajve, nga çdo anë e botës qofshin ata, duke ditur se tërë politikanët aktualë, kush më shumë e kush më pak janë të korruptuar dhe të ngarkuar me afera të ndryshme, duke ditur se kreut aktual politik më shumë i konvenon ruajtja e pasurive që kanë fituar sesa fati i Kosovës, ata kanë filluar t’i shantazhojnë me qëllim që vetë të pranojnë themelimin e një gjykate, që paragjykon krime të paqena kundër kreut të UÇK-së.

 

Të ndodhur përballë kullës dhe çekanit, krerët më të lartë të PDK-së janë dorëzuar, meqë për t’ i ruajtur favoret, pushtetin, pasuritë përrallore që kanë përfituar, ata duhet të binden në çdo kërkesë të ndërkombëtarëve.  Kujtojmë për pak çaste kohën kur zyrtari i lartë i Këshillit të Evropës, me prejardhje serbe, Dik Martinoviq, i cili kishte qenë kundërshtari më i pa kompromis kundër bombardimit të regjimit kriminal të Milosheviqit nga NATO-ja, publikoi raportin për të ashtuquajturin “trafikim të organeve të serbëve nga UÇK-ja”, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi kishte reaguar plot zemërim e mllef kundër këtij fabrikimi banal, madje edhe kishte kërcënuar se do të denonconte emrat e atyre politikanëve e gazetarëve shqiptarë, të cilët kishin marrë pjesë në sajimin e gënjeshtrave të tilla. Por koha kaloi, e Hashim Thaçi edhe kësaj radhe e ndërroi qëndrimin, “jo për të mirën e vet, por, sikur shprehet  për të mirën e Kosovës” dhe partneritetit me ndërkombëtarët, cilët do qofshin ata.

 

Duke qenë se në radhët e deputetëve të PDK-së ka të tillë që nuk pajtohen me themelimin e një gjykate të tillë raciste dhe antishqiptare, kohë më parë ka dështuar edhe votimi pro gjykatës, mu për shkak të mos-votimit, abstenimit apo  votimit kundër të 13 deputetëve të PDK-së, në Kuvend.  Thaçi mori kritika të rënda nga Brukseli. Por jo vetëm kritika por edhe një ultimatum të llojit të vet, i cili decidivisht kërkon që  Gjykata të themelohet me çdo kusht, duan apo nuk duan deputetët shqiptarë, do apo nuk do populli i Kosovës dhe shumica e deputetëve, sepse këtë e kërkon Serbia dhe qarqet pro-serbe, të cilat nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe duan që ta shembin atë pavarësi, e cila bazën e vet e ka  në luftën e UÇK-së kundër robërisë shekullore serbe, kundër gjenocidit dhe etnocidit që ka ushtruar për afër 90 vjet kundër shqiptarëve, Serbia,  shteti xhandar pan-sllav, i krijuar nga Evropa në vitin 1918.

 

Duket  se Thaçi tashmë i ka bindur shumicën e deputetëve të pabindur. Mbase edhe i ka shantazhuar, mbase edhe i ka bindur me gjuhën e fakteve që i di vetëm ai. Gjykata do të votohet, ashtu sikur Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës kishte votuar ndryshimet kushtetuese që Kosovës ia kishte imponuara Serbia në vitin 1989, të cilat i morën edhe atë pak autonomi që kishte. Asokohe kreu komunist i Kosovës në krye me Azem vllasin, Rrahman Morinën e disa të tjerë propagandonin idenë se me ndryshmet kushtetuese Kosova, jo vetëm që nuk humbiste asgjë, por i begatohej autonomia në kuadër të Serbisë, pjesë e së cilës pretendohej se ishte edhe sipas kushtetutës së  RSFJ-së. Tani thuhet se Gjykata Speciale nuk e dënon luftën e UÇK-së, por vetëm disa individë, qofshin ata krerët më të lartë të saj dhe të gjithë komandantët e zonave operative gjatë luftës.

 

Votimi i mundshëm i dy të tretave të deputetëve pro Gjykatës në Kuvendin e Kosovës është e keqja e pashmangshme, ku e ka sjellë vendin klasa e papërgjegjshme politike, vetëm për të ruajtur pushtetin, qoftë edhe një pushtet nën protektorat të BE-së, pozitë në të cilën ndodhet sot vendi. Ky do të jetë niveli i papërgjegjësisë më të madhe kombëtare i kësaj klase të deputetëve, të cilët troku i tradhtisë do t’ i ndjek prapa gjatë tërë jetës, nëse kanë një pikë ndërgjegjeje kombëtare në qeniet e tyre.

 

Deputetët e opozitës do të dalin fitimtarë dhe në zgjedhjet e ardhshme do ta marrin pushtetin, por nuk do të arrijnë ta stopojnë Gjykatën Speciale. Ata vetëm mund ta injorojnë dhe mund të mos bashkëpunojnë me të, por nuk do të mund ta ndalojnë, nëse në arenën ndërkombëtar nuk bëhet ndonjë kthesë e papritur si rezultat i politikave ndërkombëtare mes shteteve më të fuqishme të botës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …