RKL

RKL: Propaganda me sondazhe, kësaj radhe mund të japë rezultate, sepse është menduar dhe është përgatitur me kohë

Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit ka filluar edhe zyrtarisht më 2 shkurt dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Para fushata, po thuajse nuk ka pushuar fare që nga rënia e Qeverisë Hoti.

E veçanta e kësaj fushate janë sondazhet e porositura, për të nxjerrë fituesin. Dhe kur një kompani hulumtuese e opinionit,  paguhet nga një sponsor financiar i një partie të caktuar, ai doemos se do ta nxjerrë të parë, financuesin, ndryshe nuk do të kishte asnjë pikë logjike.

Cila është ajo kompani që punon e angazhohet falas me punën në terren për të sajuar e pastaj për të publikuar sondazhe?

Kompanitë e tilla ekzistojnë, mbase janë edhe të regjistruara si OJQ dhe bëjnë punën e tyre, por është vështirë të besohet se ato punojnë falas.

Duke qenë se në botën kapitaliste çdo mall shitet e blihet me para është krejt e natyrshme se edhe sondazhet blihen me para, pikërisht ashtu sikur kishte shkruar 250 vjet më parë, poeti i madh realist shqiptar Hasan Zyko kamberi, i cili ishte “përbuzur dhe përzënë” nga Historia e Letërsisë, sepse kishte shkruar me shkronja arabe dhe jo me ato greke apo sllave.

 

Paraja të bën sulltan,

paraja të kurdis divan,

paraja çdo hall dërrmon.

 …

O paraja murdare,

Që botën  e bën avarë,

qe xhezdis porsi zagare…

 

Kurdisja dhe shpërndarja në medie e këtyre sondazheve, bën propagandën e njohur të përsëritjes së gënjeshtrës, qoftë edhe njëqind herë, derisa ajo iu ngulitet në tru syleshëve dhe ulokëve, të cilën nuk mendojnë, as ia kanë ngenë të mendojmë me kokat e tyre. Ata mjaftohen me konstatimin, se të gjithë po thonë se do të fitojë kjo parti, andaj  pse të mos e votojmë, ndoshta na gjuajnë ndonjë kockë…

Me sajimin dhe përsëritjet shekullore të gënjeshtrave Kisha serbe dhe Serbia kanë deformuar të kaluarën e popujve të Ballkanit, veçmas të popullit shqiptar, duke e deformuar e përvetësuar edhe Betejën e Kosovës të vitit 1389.

“Duke përsëritur pandërprerë gënjeshtrat, madje  dhe vetë sajuesi i tyre fillon ta besojë në to”, ka shkruar Dostojevski.

Duke qenë se kësaj radhe sondazhomania është reklama dominuese në ato medie që shiten e blihen me para, ashtu si prostitutat, me siguri se do të ketë ndikim të madh te një shtresë e caktuar e votuesve, të cilët nuk mendojnë me kokat e tyre por me turrin e arrogancën e turmave, sikur bëjnë edhe gjatë protestave.

Nuk është i rastësishëm piketimi i Vetëvendosjes, e cila në çdo sondazh del e para, madje në disa syresh del të jetë fituese me 80 vende në Kuvend. Dhe pastaj këto sondazhe bëhen gjellë e analistëve të vetëquajtur, apo të vetdeklaruar, të cilët lëpihen dhe e hanë këtë gjellë të mburrur me parashikimet e tyre fodulle, të krekosur nëpër studiot e  disa TV-ve,  që i ka ngritur dhe i mbanë me para, mafia  e korruptuar politike. Pastaj, tërë natën të vetëquajturit analistë, banalistë, dredhin e zhdredhin këto sondazhe dhe secili paraqet edhe sondazhet e tij, parashikimet e stërholluara. Është e natyrshme që pasi të mbahen zgjedhjet ato sondazhe hidhen në koshin e plehrave dhe nuk pyet, as jep kush llogari për to.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: 1 Maji nuk duhet të jetë festë, por Protestë!

– Në Shqipëri thuajse nuk egzistojnë sindikatat që të organizohen punëtorët për të drejtat e tyre. …