RKL: “Republika e tretë e Kosovës” dëshiron t’ i fitojë zgjedhjet edhe në Shqipëri, për ta “ribërë” atë

RKL: “Republika e tretë e Kosovës” dëshiron t’ i fitojë zgjedhjet edhe në Shqipëri, për ta “ribërë” atë

Krahasimi, që po iu bëhet përpjekjeve të Albin Kurtit për të krijuar në Shqipëri një Listë të Vetëvendosjes, në analogji me Listën Serbe, në Kosovë,  qëndron për nga forma po jo nga përmbajtja, sepse as është Albin Kurti, Aleksandër Vuçiq, as është Edi Rama  përfaqësues i një shteti sikur është Kosova, e njohur dhe e panjohur nga bota.

Fakti se Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar një Qendër në Tiranë, tashmë është realitet, ndërsa aktualisht i konvenon propagandës së Albinit për ta qepur sado pak idenë  e bashkimit kombëtar, duke lënë të nënkuptohet se ai ideal do të bëhet realitet nëse Vetëvendosja fiton shumicën e votave në Shqipëri. Realisht këtë nuk e beson askush, madje as Albini e aq më pak Boikeni apo ndonjë bejke apo bojke  tjetër.

Pavarësisht nga komentimet, injorimet, rrahagjokset, pjesëmarrja e Listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit në Shqipëri, do të jetë një e ndërshtënë me shumë të panjohura, sepse në luftën e ashpër politike dhe pakompromis, që po zhvillohet në Shqipëri do të duhej një shtrirje vëllazërore e dorës për pajtim,  dhe jo një ndërskamcë më shumë.

Qëndrimi i Albin Kurtit kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe afrimi i tij me Sali Berishën e Lulzim Bashën, lë një shije të hidhur në përcaktimin e tij politik, të majtë, të deklaruar  qe 15 vjet, por politikisht edhe me të djathtët ashtu sikur Ilir Meta.

Tashmë me ardhjen në pushtet, pikërisht në kohën kur kreu i luftës së UÇK-së dhe i çlirimtarëve të Kosovës janë pranguar në Hagë,  dhe,  kur ka arritur rekorde propaganda e fushata kundër UÇK-së, me pretendime të hapura për injorimin edhe të vetë emrit të saj, po pretendohet se ka filluar një epoke e re e krijimit të Republikës së Tretë, +republikës së albin kurtit dhe vjosa osmanit+.

Kjo ndasi  me përmasa të rrezikshme, ky thellim nonsens i përçarjeve, armiqësive, ky manipulim perfid me propagandë partiake, nuk mbulohet duke vizituar përditë  varrezat e dëshmorëve e martirëve, sikur bëjnë përditë këta krerë qeveritarë, sepse është në kundërshtim me idealin e të rënëve, është në kundërshtim me gjakun e derdhur të tyre për çlirimin dhe krijimin e Republikës, jo të parës, të dytës apo të tretës, por njërës dhe të vetmes, kësaj që u arrit me gjakun e dëshmorëve e martirëve dhe në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që aq shumë ua vret veshin bijve dhe bijave të ish regjimeve serbe në vendin tonë.

Zgjerimi i gamës së përçarjeve edhe në Shqipëri dhe fryrja e zjarrit edhe ashtu të ndezur  nuk mbulohet me asnjë qëllim të mirë kombëtar, por me të vetmin qëllim që kanë dhe bluajnë në kokë mendjet e harlisura të mujsharëve të politikës,  që mendojnë se bota dhe njerëzimi nuk janë krijuar për asnjë qëllim tjetër, përveç se  ta qeverisin ata. Të gjitha ata që kanë menduar dhe mendojnë kështu, që kanë vepruar dhe veprojnë kështu,  një ditë ndeshën me kokë për muri, por pasojat gjithnjë i kanë vuajtur dhe i vuajnë popujt.

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …