Të nderuar dëgjues të Radios Kosova e Lirë, ju njoftojmë se transmetuesi i Radios Kosova e Lirë, i vendosur në pikën e transmetimit në fshatin Berishë, është djegur plotësisht. Kjo ka ndodhur si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, luhatjeve të tensionit dhe tensionit të ulët, të cilët kanë qenë faktorët kryesorë që çuan në dëmtimin e plotë dhe të pakthyeshëm të pajisjes. Prej tri ditësh jemi duke u përpjekur të sigurojmë transmetimin përmes një transmetuesi të huazuar, i cili, fatkeqësisht, ka fuqi transmetuese mjaft të kufizuar. Deri në momentin kur të arrijmë të blejmë një transmetues të ri, të kompletuar me të gjitha pajisjet përcjellëse — proces i cili nuk pritet të përfundojë në një afat jo edhe aq të shkurtër, pasi pajisja duhet të porositet nga Italia — kërkojmë mirëkuptimin tuaj për cilësinë e dobët të sinjalit ose për ndërprerjet eventuale në transmetimin tokësor. Stafi teknik i Radios Kosova e Lirë është duke bërë të gjitha përpjekjet maksimale për ta tejkaluar këtë avari të paparashikuar dhe për të rikthyer sa më shpejt transmetimin normal. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
