Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës

RrGK: Krimet kundër njerëzimit, gjenocidi dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut nuk parashkruhen

Me rastin e shënimit të 27 prillit, Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kujton 1,641 gra e burra, fëmijë e të moshuar të Kosovës, fati i të cilëve mbetet ende i panjohur.

Që prej 21 vitesh, më të dashurit e tyre, më zemër të ngrirë dhe shpirt të vrarë janë në pritje. Ndërsa mungesa e vullnetit politik e shtetit përgjegjës vazhdon t’ua mohojë të drejtën për të ditur, të drejtën për të vërtetën, të drejtën për drejësi.

Përpjekjet e shoqërisë duhet të shkojnë në drejtim të mbështetjes, të kujtimit dhe nderimit të viktimave të luftës, të të zhdukurve, të personave të dhunuar gjatë luftës. Ndërsa, kërkesa për drejtësi duhet të jetë në qendër të të gjitha përpjekjeve për ndërtimin e paqes midis dy shoqërive. Përpjekjet për të harruar të kaluarën nuk do të rezultojnë të suksesshme, pasi nuk bazohen në të drejtat e njeriut dhe nuk bazohen në të drejtën për drejtësi. Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe.

Përmes kësaj letre, RrGK kujton se krimet kundër njerëzim­it, gjenocidet dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut nuk parashkruhen. Për ne është e papranueshme të flitet për aministi, kur tash e dy dekada jemi në pritje të drejtësisë. Drejtësi për viktimat e luftës, për të pagjeturit, për dhunimet seksuale dhe për të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Marrëveshjet e paqes nuk mund të integrojnë amnistinë për këto krime pasi janë ndërkombëtarisht të ndëshkuara dhe tentativat për mohim të drejtësisë shkojnë kundër së drejtës ndërkombëtare dhe konventave të OKB-së. Është obligim i shteteve të mbrojnë të drejtat e njeriut, kurse mohimi i drejtësisë për krimet e kryera është mohim i kësaj të drejte.

Si shoqëri duhet të bëjmë përpjekje që kërkesa jonë për drejtësi, të na bashkojë si komunitet shumicë dhe komunitete pakicë të shtetit tonë, duke mos na kthyer kundër njëri-tjetrit. Duhet të bashkohemi në kërkesën tonë për të ndëshkuar të gjithë ata që kryen krime të luftës, gjenocid, si dhe krime kundër njerëzimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …