Komuna e Malishevës njofton qytetarët se, në kuadër të angazhimeve për një ambient më të pastër në të gjitha lokalitetet e komunës, Drejtoria e Inspektoratit ka shënuar rezultate pozitive pas thirrjes publike për parandalimin e hedhjes së mbeturinave në hapësira publike dhe për bashkëpunim me institucionet komunale.
Sipas Drejtorisë së Inspektoratit, pas publikimit të njoftimit janë pranuar një numër i konsiderueshëm informacionesh nga qytetarët, të cilët kanë raportuar raste të hedhjes së mbeturinave në vende të papërshtatshme. Raportimet janë shoqëruar edhe me dëshmi konkrete, përfshirë fotografi të personave që kanë vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara.
Ky bashkëpunim është në përputhje me thirrjen e komunës për respektimin e vendimeve të Kuvendit Komunal, sipas të cilave mbeturinat duhet të hidhen vetëm në hapësirat e caktuara për këtë qëllim.
Drejtoria e Inspektoratit bën të ditur se ndaj çdo personi për të cilin ekzistojnë dëshmi për shkelje të këtij vendimi janë duke u shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi. Komuna e Malishevës vlerëson se bashkëpunimi i qytetarëve po kontribuon dukshëm në përmirësimin e gjendjes së pastërtisë në komunë.
Komuna e Malishevës falënderon të gjithë qytetarët që po japin kontributin e tyre për ruajtjen e një mjedisi më të pastër dhe më të rregullt për të gjithë.