Tek po pija kafenë e mëngjesit
një zë shumëzohej nga qyteti
lashë kafenë, dhe dola në rrugë
në Prishtinë kudo kryengritje
Ajo këngë e zëshme e Kosovës
ai zemërim gjigand i studentëve
bekimin e kishte nga populli
që të ndjek udhën e historisë
O sa na gëzoi ai himn i rinisë
O sa na gëzoi neve Prishtina
Në tëra ato duar të bëra grusht
unë pashë urtësinë e një vullkani
Unë, më i vogli poet i Kosovës
një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj
i mblodha vet disa pika të gjakut
që ky marsh i lirisë të shkruhet!..
2
Studentët, loçkat e shpirtit
më të mirët e kombit, më të
dashurit; më të patremburit
më të zgjedhurit, faqekuqët
thyen xhama, pasqyra, orendi
goditën figurën e pushtuesit
për ta nxjerrë në shesh të
vërtetën, dhe atë ferr të bërë
Në kryengritjet 1968 – 2000
mbi rininë trime të Kosovës
u sul e gjithë ushtria e serbit
individ të muzgut, karkalecë
polic me medaljone krimesh
njerëz me urejtje të pëtejme
specialistë të ndëshkimeve
titistë me babë dhe me bir
Udbëistë të çajtoreve, berberë
miq të armiqve të sofistikuar
drejtorë bankash, sindikalistë
gjykatës me pozita në shtet
iu sulën rinisë së Kosovës
moshës sonë më trimërore
3
Në ato vite të kryengritjeve
dhe të urtësisë së vullkanit
Një natë në Prishtinë ; në
Tavnik e në Ferizaj; në Pejë
e Prizren ; në Gjilan dhe në
Gjakovë; në Tetovë e Ulqin;
në Prizren e Skënderaj, në
Preshevë e Kumanovë; në
Mitrovicë dhe në Medvegje
edhe ëndërrat kullonin gjak
Prej se njihen të mbjellat
dhe prej se njihen të korrat
Kosova të bukurën e ka
në gjuhë, në armë, në luftë
flisnin gjyshet dhe gjyshërit
Në traktet e viteve 1981
të çdoditshme ishin thirrjet;
vullneti popullit nuk shkilet
vullneti i popullit nuk jepet
vullneti popullit nuk shuhet
as me tanke, e as me burgje
4
Në ato vite të pushtimit serb
shqiptarët ishim të kërcënuar
natën, ditën, në rrugë, në punë
sulmoheshin shkollat shqipe
sulmohej mielli dhe buka, uji
dhe pemët, mësuesi dhe libri
emri dhe mbiemri, prejardhja
sulmoheshin veshjet, dasmat
kostumi dhe veturat, punët e
ditës, ndenjat e vona, njerëzit
e zakonshëm, të mbjellat dhe
bujku, të drejtat e festave, dhe
fëmijët tanë arrestoheshin, sa
herë festonin festat e betejave
Në ato vite të pushtimit serb
serbët pakicë na gjenociduan
të përkrahur nga Beogradi
shtienin në çdo gjë shqiptare
vrisnin që të shpërnguleshim
nga tokat tona stërgjyshore
Në ato vite të gjenocidit serb
në sofër të familjes shqiptare
mungonin fëmijët, shija dhe
ngjyra, e një Kosove të lirë!
5
Në Kosovën e atyre viteve
Prishtina, kryengritësja jonë
u ngrit lotët t´i kthejë në gurë
në grushte, në armë, në beteja
Zullumi këputet prej s´trashi
shkruan në librin e urtësisë
Prishtina , trimja e Kosovës
pështynë ekranin e televizorit
natën e zezë pis, dhe ngritet
shtypjen me grusht ta mbys!..
Vlimeve e mëdha të Kosovës
militantë të luftës thërrisnin
të bëhemi me më shumë duar
të bëhemi më shumë grushta
që lirinë ta ngrejmë me gjak
Preshevë, Shkup dhe Tetovë
të mblidhemi në sheshet tona
që Kosovën ta bëjmë të lirë
të bukur dhe të përbashkuar
6
Kosovë, bëje dorën grusht
është çasti i sprovës sonë
mbaje sqimën, mos u tremb
Prishtina sonte s´ ka gjumë
ajo do që të jetë në betejë
kudo që ka një prangë
kudo që shkilet një varg
Unë, më i vogli poet , më i
vockli, një banor i Kosovës
i mblodha këto pika gjaku
kjo poemë të mos humbet
Kosovë, sonte s´ jam poet
sonte jam i njëjtë s´ i ju
dhe kam aq gjak në trup
të jemi së bashku për liri
Prishtinë,e bukura Kosovës
këngën mos e le të të ikë
mbaje fort, dhe shtrëngoje
është gjakja jote e shpirtit!
7
Algjebra, Zjarri, Shkëlqimi
Kosovën e thërrisnin me zë
Bjeri daulleve kundër armikut
zgjoni ata që nuk janë zgjuar
trokitni në shtëpi të gjithsecilit
në të gjitha shkollat dhe qytetet
mbushni rrugët me vehten tuaj
të dëgjoj toka, ajri, dhe qielli
se këtë jemi! Dhe gjallë jemi!..
Liri, unë e ti jemi Kosovë
liri, unë e ti jemi Shqipëri
liri, unë e ti jemi Iliridë
liri, unë e ti jemi Preshevë
liri, unë e ti jemi Ulqin
liri, unë e ti jemi Çamëri
liri né jemi më shumë se kaq
liri jemi të gjithë shqiptar
Prishtina të rënët i kënd
dhe e ruan kujtimin për
në himnin kuqezi të këng
në himnin kuqezi të fitores
8
O i plagosur që qan me shiun
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në beteja të luftës e burg të rëndë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë që të rrojmë më mirë
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
që atdheut t´i japim veten tonë
që diellit t´i themi mirëmëngjes
që lirisë t´i themi këtu të kem
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në Trojën e parë Trojën e ndanë
në Trojën e dytë Trojën e vranë
në Trojën e tretë turqit na ranë
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
të lirë të rrojmë në vendin tonë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë që të rrojmë më mirë!..
Rrustem Geci – Prishtinë, mars-prill 1981
Poezia e Rrustem Gecit është poezi e angazhuar lirike me nota të theksuara atdhetare
Rrustem Geci është emër i njohur i letrave tona. I takon brezit të intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë, të cilët në kohën e dhunës dhe robërisë serbe, sidomos në vitet ‘80-’90 të shekullit të kaluar, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të viseve të robëruara të Shqipërisë, u detyrua të përcaktohet për rrugën e mërgimit, e cila poetit i hap edhe varrë të reja, jo vetëm në botën e perceptimit dhe komunikimit poetik. Larg Atdheut, larg vendlindjes, brengat, shqetësimet sa vinë e shtohen. Atyre brengave u shtohen edhe shqetësime të tjera nga jeta në mërgim, në një vend të huaj, pavarësisht sa mund të jetë mikpritës, sepse “guri i rëndë peshon në vend të vet, sepse guri i shkulur njëherë vështirë ngulet sërish”. Pavarësisht nga këto mesazhe dokesore shqiptare, jeta është dhënë për ta jetuar, qoftë edhe në dhe të huaj, madje qoftë edhe nën robëri, gjithnjë me aspiratë për çlirim.
Alfa dhe omega e krijimtarisë poetike të këtij poeti e veprimtari, ka qenë dhe po mbetet Shqipëria, e cila është një dhe e tërë në shpirtin dhe frymëzimet e tij, por vazhdon të lëngojë e ndarë dhe e përçarë në shumë pjesë, si moti e tani. Vazhdon të jetë zë i ngritur peshë në ndërgjegjen të tradhtuar të Evropës Plakë e njerkë në të njërën kohë, sepse:
Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
më shumë se një shekull
jam nën degë të rrufesë!..
Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
e v r o p a t më copëtuan
kur Evropa s´ish e drejtë.
(Çka tha liria)
Poeti mediton e shkruan për një Shqipëri, që përballoi sunduesit më të egër të botës, fqinjët më grabitqarë e hileqarë që i njeh historia, një Shqipëri që edhe kështu si është nuk jepet, sado e mekur, sado e keqtrajtuar, sado e ndarë dhe e nakatosur. Me besimin e pa tundur për realizimin e aspiratave të natyrshme të bashkimit të pjesëve në një tërësi, me besimin e poetit që kurrë nuk e tradhtoi poezinë e fjalën e lirë, me entuziazmin e intelektualit që kurrë nuk dorëzohet ai porositë:
“Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur”
(Antologjia e zemrës)
Rrustem Geci, duket se ka lindur me poezinë, për poezinë, me fjalët që “fluturojnë” lartë e ulët dhe janë prore në një sferë të preokupimeve të trurit. Ato fjalë që duhet prore të jenë të gatshme për t’i kapur dhe për t’i bërë zap mendimet në kohën e reflektimeve, fjalë që bëjnë roje për ta kapur motivin, që është bërë një me kuantet që janë kudo të pranishme, të lëvizshme, reflektuese. Janë fjalët fillim e mbarim, Kosovë, Shqipëri, Liri, pavarësisht se bota ecën me të veten, në trajektoret e saja, qoftë edhe në zjarrmi e theqafje, sepse koha për asnjë çast nuk ndalon…
Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..
(Antologjia e zemrës)
Jeta nuk do të kishte kuptim pa tokën, pa atë pjesë të tokës që quhet Atdhe, Mëmëdhe. As Atdheu nuk do t’i kishte hiret e veta pa lirinë, pa më të shtrenjtën e njeriut. Andaj toka dhe liria janë njëzuar në botën e poetit, ato janë si mishi e thoni, nuk bëjnë dot njëra pa tjetrën…
Imja është kjo tokë
foli liria, vetëtima e saj
unë jam e juaja, sa të më
mbroni, dhe të më mbani
(Çka tha liria?)
Poezia e Rrustem Gecit kryesisht është poezi lirike me nota të theksuara atdhetare, është poezi e angazhuar në kuptimin realist dhe motivues të fjalës, sepse ajo i drejtohet njeriut, brengave e shqetësimeve të tij, i drejtohet Atdheut, trojeve të lira, por edhe atyre ende të robëruara, i drejtohet Shqipërisë. Si e tillë krijimtaria e këtij poeti nuk mund të jetë ndryshe pos poezi e angazhuar me të gjitha tiparet pozitive, me tërë koloritin kombëtar, nganjëherë edhe me mesazhet që nxjerrin kokë larg në kohët e historisë, që nxjerrin zëra lirie nga Pirroja, Teuta, Skënderbeu e deri te Legjendari, Adem Jashari. Në totalitetin e saj, kjo poezi e begatë së sasi e cilësi, i referohet sinkronisë dhe diakronisë shqiptare, së kaluarës e së tanishmes, kohës dhe hapësirës, sepse nuk ndahet dot e sotmja nga e djeshmja, nga e cila rrjedhë dhe në varganin e së cilës degëzohet e lidhet në tërësinë e saj.
Poeti, në tërë krijimtarinë e tij i ka kushtuar kujdes të duhur gjuhës, sepse poezia e tij buron prej kësaj gjuhe “hyjnore” me të cilën shprehet më së miri bota jonë, preokupimet e shqetësimet tona, gëzimet e hiret tona, vuajtjet e mjerimet, por edhe fitoret e ngadhënjimet.
Për dallim nga disa poetë që pretendojnë të jenë super të moderuar, futuristë e arrivistë, Rrustem Geci ndihet fare mirë duke qenë pjesë e traditës, e vargut të rimuar por edhe të lirë, pjesë e fjalës që thyen gurin, pjesë e trashëgimisë bashkëkohore poetike, pjesë e një tërësie të kthjelltësisë së kështjellës poetike shqiptare.
Në rrugën e tij të gjatë, i preokupuar prore me poezinë, Fjalën e lirë, Lirinë, Atdheun, me mallin e Roganës e të Dardanisë, të Kosovës, Çamërisë, të tërë Shqipërisë, poeti ka krijuar stilin e tij të shprehjes poetike, mjaft origjinal si në formë ashtu edhe në brendi.
Karakteristikë e kësaj poezie është stilistika e pasur, fjalët e kursyera, fjalëformimi, poetik, gjuha e begatë, natyra e çiltër pa depresion e pesimizëm.
Ahmet Qeriqi
11 shkurt 2915
…
Rrustem Geci U lind në fshatin Roganë të Dardanës më 6 janar të vitit 1950. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Gjilan e Dardanë. Më pas kreu Fakultetin Ekonomik. 15 vjet ka punuar gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës. Pas mbylljes së këtij mediumi elektronik nga regjimi i Milosheviqit, mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton.
Rrustem Geci deri tani ka nxjerrë në dritë, 17 libra, 2 monografi, dhe 15 libra me poezi; 1.“Demonstratat e luleve“, 2.“Antologjia personale“ 3. „Jeta në letër“,4.”Mielli dhe uji“, 5. ”Afeida”“, 6. Arbdheu“, 7. “Dridhjet e barit“, 8. “Këngë qipshte“ 9.„Erdhëna“,10.„Një rrënjë ulliri jemi“, 11.“Shqipëri në çdo shtëpi”, 12.“Milenium”, 13. “Rogana”, 14. “Heroika”, 15. “Gacat e prushit”,16. “Pasha këtë tokë”, dhe 17.“Atdhetarët”, dhe së fundi, “Kanuni poetik”, një përmbledhje librash me 2 mijë faqe. Rrustem Geci viteve të fundit është prezentuar në 5 antologji të poezisë shqipe, dhe me një antologji të Gazetarisë shqipe. Dy antologji ku është prezentuar edhe Rrustem Geci, janë në poces të botimit. Rrustem Geci, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës prej vitit 1995. Këtë jetëshkrim të shkurtër,për poetin Rrustem Geci e mbyllim me një poezi të tij : Gjak u bënë vargjet / derisa erdhën tek ju / për të dhënë mesazhin / e një mesdite të bukur /. Këto dhe 23 mijëra vargje të tjera, janë bota poetike e Gecit, e përmbledhur në librin monumental ,“Kanuni poetik”. (Derada Gashi, Frankfurt)
Cikël poezish nga libri, “Kanuni poetik” !.
Antologjia e zemrës
Eja muzë e ngadhënjimit të artit
fletë e çdo dite, muaji dhe viti
kjo kohë më bën të vet-digjem
me bashkudhëtaren time, poezinë
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur
Në shpirtin vullkanor të poezisë
bërë i kam betejat e secilit varg
në jetën biologjike të këtij libri
je nënëmadhja e arbërimit tonë
Shqipëri, unë e ti jemi një gjak
që nga pellazgët e lashtë e Iliria
tokat tona qenë shesh i luftërave
dhe arenë gjaku e perandorive
Kosovë, kryengritëse e këngës
stërmbesë e dardanëve të Trojës
në trup ende ke plagë të gjakut
nga fqinjët që tokat na i grabitën
2
Liri, bëje dorën grusht, mos u jep
me emrin tënd u rritëm betejave
për ty dashurova mes plumbave
për ty i rashë grusht dallgëthyesve
Nuk ka paqe për lumin me vaj
nuk ka paqe për lumin e ndarë, me
pikën e gjakut i këndoj bashkimit
liri, këngës dua t´i shkojë në fund
Hënë është dhe pjesa që s´ndritë
diell është dhe nata që e jetojmë
me pellazgët jemi njëgjakësh
shqiptarët kudo janë një vëlla
Atdhe, hapi arkivat e dhimbjes
në pasqyrë i shoh armiqtë e mi
kjo botë qenka vërtet me përrallë
Shqipëri ka vetëm në gjuhën time
Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..
Dortmund, 2015
A D R E S A
Krejt në fillim ishte toka
ishte ajri, fryma dhe shiu
dielli, mëngjeset, mesdita
pemët e egra të fushave
Krejt në fillim ishte rëra
shkretira e territ të gjelbër
shija e bukës dhe kripës
zanafilla e plot fillimeve
Krejt në fillim ishte zjarri
mendja që s´ mbyll sy
e krejt më pastaj ia behën
lulet e kopështit,të lashtat
Krejt në fillim ishte ugari
mbjellja farërave në tokë
arbërimi i emërvendeve
dhe mbëltimi i të folmes
I burgosuri i idesë
Jam zë i fjalës së plagosur
jam zë i fjalës së ndaluar
dhe jetoj ku jeton Kosova
dhe jetoj ku jeton Shqipëria
Në flakët që vetëm rriten
goditem nga valë të ashpra
nga përsëritjet monotone
të akteve të konferencave
Jam zë i fjalës së murosur
jam vetja ime e paluajtshme
në këtë tokë të përjetshme
sa jam i lashtë, aq edhe i ri
Në luftën që kemi përpara
kam plot të pashpërthyera
jam arti që nuk mburrem
jam arsyeja që nuk jepem
GJUHA SHQIPE
Jam nënë e disa gjuhëve
mëmën e kam pellazge
ajo mua më trashëgoi
të jem e gjithmonshme
Ky mesazh i shekujve
10 mijë vjet pellazgji
dhe 3 mijë vjet Iliri
është gjuha jonë shqipe
Kosovë, Iliridë, Çamëri
trualli im g j u h ë s o r
me ju unë jam shqiptar
me ju unë jam Shqipëri
Gjuhë indoevropiane
bijë e gjuhës shqipe
sa gjuhë nga gjuha jonë
u bënë gjuhë më vete
A D H O A N I
Na ishte njëherë një zog
me qiell shumë të gjerë
Dardani e kishte emrin
Iliriane e kish mbiemrin
Në mbretërinë e tokës
atë zog të gjelbërimeve
të ngjashëm me kaçubat
mëllenjë atë e thërrisnim
Ai zog poetik i fushave
I motshëm 13 mijë vjet
rron Fushës së Kosovës
po s´ i një lirik i madh
Adhoani, një trim dardan
nga shkambijtë e Trojës
Trojën e pa si e varrosën
kufijtë Ilirisë t´ia tkurrin
ÇKA THA LIRIA?
Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
e v r o p a t më copëtuan
kur Evropa s´ish e drejtë
Kosovës shumë po flitet
se bisedat s ´ janë mirë
Kosovën e duam tamam
pa pranga e pa mynxyrë
Imja është kjo tokë
foli liria, vetëtima e saj
unë jam e juaja, sa të më
mbroni, dhe të më mbani
Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
më shumë se një shekull
jam nën degë të rrufesë!..
L U A R D I
Fjala e shkruar në letër
shprehë gjuhën, identitetin
të folmen shqip të popullit
artin në jetën e përditshme
Fjala e shkruar në letër
është krijimi më hyjnor
është qënia, është kultura
është gjaku ynë gjuhësor
Në shpirtin e një letërsie
ka frymë, ka personazhe
dhimbje të grumbulluara
udhëve të pavullnetshme
Fjala e shkruar në letër
dhe e pjesërishmja e jetës
janë shumëfishi i shpirtit
është përballja më sublime
që gjuhën e bëjnë të gjallë
R R Ë N J Ë Z A
Shoqe shoqe kallamoqe
misrin tim pse ma hoqe
misërin tënd pse se poqe
shoqe shoqe kallamoqe
Shoqe shoqe kallamoqe
posi bleta pas më ndoqe
posi rrodhe sot s´mu hoqe
shoqe shoqe kallamoqe
Shoqe shoqe kallamoqe
misërin ti pse s´e poqe
misërin tënd pse e dogje
shoqe shoqe kallamoqe
Shoqe shoqe kallamoqe
djemtë neve sot na duan
djemtë duan të na puthin
në misërishte këtu pranë
Lidhja e shkronjave
Jetojmë në të njëtën kohë
nën të njëjtin qiell me yje
ku e bukura dhe i bukuri
dihatin me të njëjtën frymë
Jetojmë në të njëjtën kohë
ku valë të ashpra të jetës
thyhen nëpër kundërthënie
dhe shpërndahen qyteteve
Jetojmë në të njëjtën kohë
me të njëjtën etje të shpirtit
ku koha është krejt pakëz
për të krijuar më shumë
Jetojmë në të njëjtën kohë
Me të njëjtin gjak të kohës
Ku bashkimi i shkronjave
Ngre zërin e përbashkimit
QERPIKËT E HËNËS
Poezia, lokja e gjitha këngëve
nënëemadhja e gjitha arteve
me gjak muzash është lindur
me gjak muzash është rritur
Kjo dritë e të gjithë zemrave
me mijëra vjet e qytetëruar
herë-herë e lënë mes udhëve
po ato rreze jete i shpërndanë
Në proceset e gjata të krijimit
poezia e ruajti frymën e saj
mardhënjen poetike me kohën
fal frymës poetike të shpirtit
Në prehërin e art të letërsisë
rritet më e bukura e arteve
më e portokallta e ndjesive
dhe më e shenjta e dhimbjeve
Kujtesa e diellit
Ky breg shkëmbor i detit
I ruan të gjitha kohët e tij
shijen e ajrit dhe erërave
lagështinë e mëngjeseve
Ky breg shkëmbor i detit
I veshur me rreze e hije
është shpresë e vetë detit
heshtja poetike e tokës
Ky breg shkëmbor i detit
është dritësim i lumejve
dhe shkon përtej anijeve
që ky det të ketë një jetë
Ky breg shkëmbor i detit
I ruan të gjitha kujtimet
të anijeve të skllevërve
dhe tregëtarëve të luftave
KËSHILLTARËT
Me ajrin e bardhë të fushave
me ajrin e bardhë të maleve
me ajrin e të gjitha dritareve
shqiptarët do të bashkohen
për aq sa ndarja na ka ndarë
Shqiptar të të gjitha trojeve
merrni frymë zjarrit që ndizet
historia shkruhet me të bëra
që nga e hëna në të djelen, që
nga mëngjesi, deri natën vonë
Shqipëri, e gjithë shqiptarëve
afrohu më pranë tokave tua
tokave që fqinjët ty t´i morën
bëhu bashkë me Kosovën
bëhu bashkë me Iliridën
bëhu bashkë me Çamërinë
për aq sa ndarja na ka ndarë
E DIELA E FJALËS
Vetmi,pse duhet të jetoj me ty
më mërzinë dhe shoqet tua
me rrapëllimat e erës tënde
me përsëritjet tua monotone
Ji më e kujdesshme me mua
mbretëria jote s´më pëlqen
hije, ti s´më bën dot të lumtur
unë çdo çast jam i burgosur
Në jetën time të përditëshme
unë nuk jam krejt i vetëm
ti je shqetësimi im i bukur
pse unë sot jam kaq i dehur
Poezi, ma hiq qafe vetminë
dhe aventurën e nënhijeve
muzë, pse më rri aq e heshtur
e më deh, me aq pak aromë!..
Shqipeve të lirisë
– Xhevës e Fehmi Lladrovcit
Kosova i deshi për vete
të vuajtur ishin të dy
ata deshën të vdesin në
këmbë, të vdesin për liri
Lirinë e kishin në zemër
një pushkë kishin të dy
ata jetuan për të vdekur
ata vdiqën për të jetuar
Në pamje ishin të fisëm
në luftë qenë të bukur
ata e deshën Kosovën
më shumë se veten e tyre
Xheva e Femi Lladrovci
që kur ishin fëmijë
fletoret i kishin me zogj
dhe duart me shqiponja
T R E P Ç A
Në Trepçë është palca e Kosovës
qenia që të adhmen ma cakton
le të çmenden gjitha perënditë
Trepça Iliriane mua s´më mohon!..
Në të dielat e arit dhe të argjendit
në të hënat e shiut dhe metaleve
u vetëlind plumbi , zinku, argjendi
dhe kristalet me flori të Trepçës
Hapini ballinat e faqeve të tokës
të shihni feldspathet,…manganin
në të reshurat…mes vullkaneve
u vetëlindën Trepça dhe Opali
Qahen thëngjillet, floriret e tokës
qahet humusi.. dhe argjilet blu
me gjunj të natës m´i bien tokës
qahen pemët për degët kërcu
Fol gjuhë e lashtë e kësaj toke
Trepça e Kosovës prindin e di
Në Trepçë Kosova ka një emër
Mëmë e baba ia quajnë, Shqipëri
Komandant Lleshi
Fjala e fundit e Ridvan Qazimit
Zotërinj të historisë
Zotërinj të Luginës
unë fjalën e mbajta
gjaku ynë të mos thaj
Mes heshtjes e pritjes
fjalën e armatosëm
që Pushka e Preshevës
të dëgjohet Evropës
Zotërinj të l u f t ë s
Zotërinj të historisë
O do të jemi të lirë
O lufta jonë s´ndalon
Miq, vëllezër, popull
të gjallë dhe të rënë
unë fjalën e mbajta
Lugina të jetë e lirë!..
B A B U S H I
poemë për Gjergj Kastriotin- Skënderbeun
Në bashkësinë e kombeve
dhe në historinë e luftave
nuk ka hero të ngjashëm
që mund ta ngrejë aq lart
emrin e dhéut dhe atdhéut
dhe emrin e popullit të tij
sa trimi, Gjergj Kastrioti
Në kohën e Babushit tonë
Shqipëria ishte një tërësi;
e zgjuar në çastet e kohës
E zgjuar për luftë dhe beteja
Nën qeverisjen e Gjergjit
edhe guri kishte kurajon
që atdheun e shqiponjave
askush të mos e lakmojë
Në atë epokë të ndritur
Gjergj Kastrioti, Babushi
i bashkoi gjithë shqiptarët
në luftë kundër armikut
2
Në takimet e tij në Durrës
në Gjirokastër , e Shkodër
në Shkup, Thanë, e Kosovë
Gjergji e thërriste popullin
që populli ynë t´i përgjigjej
proceseve të qytetërimit
Në Thanë, ai i foli popullit
“S´di çfarë ju bën të dashur
s´di çfarë ju bën të lumtur
por, nën tehun e shpatave
me shpatë duhet të luftojmë!”
Pra, para se t´ia behë lufta
përpara se të vijnë Osmanët
këtu ishte Gjergj Kastrioti
g j a k u ynë i l i r i s ë
Në ç a s t e t më të duhura
në çastin më të vështirë
Gjergji i dha shkëlqim tokës
dhe i çau të gjitha rrethimet
Shqipëria të mos shkilet
3
Në njëzet e katër luftëra
në njëzet e katër beteja
në njëzet e katër fitore
Gjergji ishte lavdia jonë
ai që i dha përgjigje kohës
të rrojë për jetë Shqipëria
Princa të mirë të Arbrit
i fliste Këshillit të luftës
mos u ligështoni, mbahuni
jini në detyrë të atdheut
kjo pasuri e vetëdijes suaj
për të mbrojtur Shqipërinë
veten dhe gjënë e gjallë
na bënë nder të gjithëve
që liria të jetë Shqipëri
që liria të jetë shqiptar
dhe që liria të jetë flamur
Princa të zgjuar të Arbrit
lufta është ekuacion , me
të papritura e të panjohura
kjo luftë kundër pushtimit
është luftë për Shqipërinë
4
Princa të nderuar të Arbërit
princa të paqes dhe të luftës
gjaku i lirisë sonë nuk tretet
edhe sikur të na vrasin , edhe
sikur të na mundin e therin
farë e huaj këtej s´do të mbijë
Shqipëria është gjak i moçëm
g j a k i shkruar nëpër libra
gjak i shkruar nëpër këngë
gjak i shkruar nëpër beteja
gjak i shkruar nëpër rrënjë
Në këtë vend shumë të pasur
me klimë të butë dhe me det
të gjitha parajsat janë këtu
për të lindur e të palindur
këtë pasuri të dhënë nga zoti
duhet ta ruajmë e ta mbrojmë
që shtetin ta bëjmë të fortë
të qëndrueshëm dhe modern
Shqipërisë sot i duhen fitoret
mbase vetëm me fitore,mund
5
të ndërtojmë atdheun tonë
Këtë tokë me det e me diell
që ne e quajmë Shqipëri
vetë duhet t´i dalim zot, për
këtë kam urdhër nga zemra
kam urdhër dhe nga ai lart
që humbjet të mos i ndjejmë
Shqiptarë të të gjithë vendit
mbajeni njëri tjetrin, duajeni
I munduri vet do të paguajë
gjobën e rëndë të pushtimit
Në këtë orë të proceseve
në këtë orë të historisë sonë
Shqipëria është gjaku ynë
adresa e jonë në këtë botë !..