Runiku së shpejti do të bëhet me fushë të futbollit

Në Runik të Skenderajt ka nisur ndërtimi i fushës së futbollit për Klubin e Futbollit Përparimi. Në ceremoninë e organizuar më këtë rast kanë marrë pjesë udhëheqës të Komunës së Skenderajt, përfaqësues të FSK-së, përfaqësues të KFOR-it, udhëheqës të Klubit Futbollistik Përparimi si dhe banorë të lokalitetit të Runiku. Shiritin inaugurues të punimeve e kanë prerë Kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, përfaqësues të KFOR-it dhe të FSK-së, si dhe drejtuesit e klubit të futbollit Përparimi. Udhëheqësit e KF Përparimi me këtë rast e kanë falënderuar Komunën e Skenderajt për sigurimin e pronës për ndërtimin e fushës sintetike dhe për ndihmën në ndërtimin e saj, si dhe kanë falënderuar edhe KFOR-in dhe FSK-në për kontributin e rëndësishëm në ndihmë për realizimin e projektit. Ata kanë falënderuar në veçanti, për kontributin financiar Tahir Çitakun, bashkatdhetar që punon dhe jeton në Zvicër, i cili me angazhimin e tij ka siguruar për këtë fushë barin sintetik nga Bazeli i Zvicrës. Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, në emër të Kryetarit Lushtaku dhe Komunës së Skenderajt ka shprehur mbështetjet e iniciativave të komuniteti, në veçanti iniciativën e banorëve të Runikut për ndërtimin e fushës së futbollit. Ai ka siguruar se Komuna e Skenderajt do të mbështesë edhe në të ardhmen iniciativa në interes të qytetarëve të Runikut dhe të lokaliteteve të tjera. Ai përmendi edhe faktin se ky projekt po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin serb që jeton në këtë lokalitet të Skenderajt. Fusha e futbollit e KF Përparimi po ndërtohet në pronën publike të Komunës së Skenderajt dhe po ndihmohet në aspektin financiar dhe logjistik nga Komuna e Skenderajt, KFOR-i, FSK-ja dhe donatorët tjerë privatë, ne aspektin e gërmimit, ngjeshjes dhe rrafshimit të terrenit, ndërsa bari sintetik është siguruar nga Zvicra me angazhimin maksimal dhe të pakursyer të bashkatdhetarit dhe sportdashësit Tahir Çitaku, i cili në të njëjtën kohë është edhe pjesë e KF Përparimi. KF Përparimi është klub publik i Komunës së Skenderajt dhe bënë gara në ligën e dytë, ndërsa ndërtimi i fushës do t’i ndihmojë këtij klubi në avancimin e punës profesionale. Kjo fushë do t’ju shërbejë edhe të rinjve të kësaj ane për aktivitete sportive dhe rekreative.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …