Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari: Reçaku i historisë dhe i themeleve të lirisë

(Me rastin e përurimit të monografisë, Masakra e Reçakut- Krim Kundër Njerëzimit, 14.09.2017.)

Nuk harrohen kurrë ditët e martirizimit të qytetarëve të Reçakut më 15 janar të vitit `99. Nuk harrohet as një ditë e asaj kohe, e luftimeve të pabarabarta në mes të luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave të ushtrisë dhe policisë serbe. Janë, po kështu, të freskëta kujtimet e luftimeve për kufomat.

Kosova përjetoi shumë krime, të pakta janë vendbanimet që nuk kanë të martirizuar dhe dëshmorë të rënë për liri.

Përjetimet janë të shumta. Secili fragment i kohës së luftës, i secilit qytetar dhe ushtar të UÇK-së, është një histori në vete. Por, përjetimet e atyre që drejtpërdrejt ishin rreshtuar në luftime të pabarabarta, që me vetëdije flijoheshin për të shtrejtën liri, janë pak më të veçanta.

Të gjithë autorët e shkrimeve të kësaj monografie, shpirtërisht dhe emocionalisht u lidhën me përjetimet e dëshmitarëve të gjallë, të cilët përcollën të vërtetën e dëshmuar përmes intervistave, informatave, fotografive dhe materialeve faktografike. Me këtë përpjekje, shkruesit e librit e vendosën një gur të çmueshëm, kundër harresës, në historinë tonë të re, pa pretenduar se u thanë të gjitha.

Monografia për Masakrën e Recakut për herë te parë, u botua në vitin 2004. Ndërsa pas 14 vitesh, ribotimi i kësaj monografie dhe botimi i sajë për herë të parë në gjuhën angleze sot, po nxirret para jush dhe para opinionit vendës e të huaj.

Sot, në këtë përurim librash, në shenjë kujtimi e respekti për të rënët e Reçakut, nuk është qëllimi që të numërohen viktimat e të tregohen plagët tona, të shpalosim shumë plagë shpirtërore e të bëjmë ankesa të panumërta. Të gjitha kanë arsye të thuhen. Po kështu nuk do te flasim për përmbajtjen e librit; vlerësimet, komentet e kritikat do të vinë nga lexuesit dhe janë të mirëseardhura për ne.

Kjo sakrificë e madhe ishte pika e kthesës së vendit, në drejtim të dritës dhe të lirisë. E tashmja duhet të mbushet me punë të pandalshme, duhet të numërojmë rezultate pune, të japim mesazhe zhvillimi dhe të paqes, mesazhe të drejtësisë dhe tolerancës. Të mbjellim dashurinë e madhe ndër gjenerata për ndërtimin e shtetit të së drejtës, për kultivimin e vlerave të humanizmit dhe të drejtave fondamentale të njeriut.

Këto atribute përherë ishin, vlera e të rënëve në Reçak dhe vlera të popullit tonë për liri.

Këto vlera i patën të gjithë të dashurit tanë që tashmë prehën të qetë, nëpër shumë komplekse përkujtimore tjera në Kosovë. Mbi këto bazamente të humanizmit njerëzor, sakrifica e pashembullt e qytetarit tonë, jehoi në të katër anët e botës së qytetëruar, dhe bashkoi si asnjëherë më parë liderët botërorë në veprimin e tyre unifikues për ndërhyrje në Kosovë. Kjo ishte mbështetje e drejt e luftës së popullit tonë, kundër vrasjeve dhe masakrimeve serbe, mbi popullsinë civile në Kosovë.

Mbi këto vlera të lirisë dhe humanizmit, ndodhi organizimi i Konferencës së Ramhujesë, u bashkua Aleanca Ushtarake e Sigurisë Kolektive të Njrezëimit, NATO-ja, për bombardimin e Serbisë. Pika e mbështetjes dhe e kthesës ishte Reçaku!

Mbi këto vlera u çlirua vendi ynë. Natyrisht, u dha shumëçka, u dhanë shumë jetëra njerëzish dhe çmimi i lirisë ishte i shtrenjtë.

Sot, po kështu, mbi këto vlera kërkohet, vazhdimisht, ndërtimi i të ardhmëe tonë; ndërtimi i marrëdhënieve tona të; humanizmit, drejtësisë e solidaritetit. Këto janë atribute mbi të cilat duhet thelluar e ndërtuar marrëdhëniet e përditshmërisë sonë.

Për derisa Prekazi heroik i lavdisë i bashkoi shqiptarët në luftën tonë për liri, Reçaku i krenarisë dhe historisë ishte pika mbështetëse e unifikimit përfundimtar të vlerave te qytetërimit, në largimin e makinerisë vrastare të Serbisë nga këto troje.

Mirënjohja është e padiskutueshme për të gjitha fuqitë e demokracive perëndimore, e veçmas të ShBA-ve, që në vend të unitarizmit e të njëmendësisë; bartën alternativat e vlerave të demokracisë mbi të drejtat universale të njeriut.

Këto përurime librash, janë shkrime të kujtimit, ndërsa Kompleksi në Reçak është vendi i shenjëtrisë. Shkrimet për sakrificat sublime, për Prekazin e Reçakun dhe të gjitha komplekset e përkujtimit, janë sipër nesh, janë përmendore dhe institucione të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Këto janë vlera në të cilat duhet të përkulët e të rrëfehet qytetari e pushtetari, intelektuali e fetari, mëkatari e mëshiruesi!

Tashmë, ky libër është një dëshmi e mirë, dhe një instrument i shtuar prove, për padi kundër Serbisë për krimet e bëra në Kosovë, ku në këtë drejtim ka vonesa të pafalshme.

Kam nderin që të falënderoj të gjithë ata që kontribuan në ribotimin e kësaj monografie, veçmas redaktorin, Ahmet Qeriqi, studiuesen, Fetnete Ramosaj, bashkë me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, e shumë dashamirë tjerë që në çfarëdo mënyre kontribuan në nxjerrjen e këtij botimi!

 

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …