BOTA PO NDRYSHON VRULLSHËM NË EKONOMI, POLITIK, SIGURI DHE GEO-STRATEGJI!
Guxojmë të mendojmë, konstatojmë e ta themi lirshëm atë që ndjejmë!
Ta themi të vërtetën për këto ndryshime dhe qëndrime aktuale që kanë impakt në të ardhmen e afërt dhe atë afatgjatë në botë dhe te ne.
Jemi pro evropian më shumë se sa popujt e shteteve të tjera në Evropën qendrore, po ashtu edhe vendi ynë gjeografikisht është në Evropë, përpjekjet dhe pretendimet i kemi me hyrë në Bashkimin Evropian.
Gjithsesi duhet ta konstatojmë në ç ‘gjendje e kemi dhe si e kemi Evropën? Evropa me dekada ka bërë përpjekje dhe ka arritur ta bëjë Bashkimin Evropian si bashkësi e shumë shteteve.
Strategjia, rruga dhe mënyra e ndërtimit dhe e bashkimit Evropian u bënë me qëllimin e bashkimit të kapitalit dhe koncentrimin e këtij kapitali në shtetet e fuqishme, që kanë ekonomi të zhvilluar dhe korporata të mëdha!
Evropa parimet kryesore që quhen parime të Mastrihtit i ka: qarkullimi i lirë i njerëzve, qarkullimi i mallrave, hapja e tregjeve pa asnjë pengesë, si dhe rregullimi i ligjeve për sigurimin e kapitalit dhe të investimeve!
Përfaqësimi në vendimmarrje, rregullimet normative, statuti dhe vendimmarrja janë që nga fillimi të gabueshme.
Çështja e sigurisë shumë pak e menduar, pak është bërë përpjekje ta bëjnë sigurinë e vet evropiane nga agresorët e mundshëm, siç po ndodhin çdo ditë nga Rusia. Po ashtu nuk është menduar ta zhvillojnë ekonominë e pavarur nga të tjerët.
Që ta mbrojnë ekonominë nga varësia ruse dhe e të tjerëve, shtrohet pyetja sot: sa është Evropa e sigurt dhe e bazuar në pavarësinë ekonomike të saj, zhvillimi i pa u varur nga ekonomia dhe nga të tjerët?
Evropa bëri gabime, gaboi kur e ka deleguar apo u bazuar në sigurinë nga SHBA-të.
Apo SHBA-ja i mori këto kompetenca që nga Lufta e Dytë Botërore që ta mbikëqyrë Evropën!
Evropa nuk bëri përpjekje apo shumë pak përgatitje që të mundet ta mbrojë vetveten.
Evropa e ka orientuar ekonominë kah Rusia dhe e varur shumë nga ajo!
Tani në këto rrethana, kur Amerika tenton ta anashkalojë Evropën, ta bëjë lidhjen pa Evropën me Rusinë, hapur ju thotë evropianeve: nuk ju mbroj, ju mbroni veten se do të zhduki si evropian nga emigracioni i madh me ngjyrë, ju s’jeni të aftë të udhëhiqni. Kjo tingëllon jo shumë miqësore sepse ju thuhet në një çast (prerë) pa ju paralajmëruar vite më parë!
Nëse rikthehemi në një dekadë më parë, Evropa ka tentuar ta bëjë një ushtri të përbashkët, një forcë evropiane, aviacionin dhe pilotët e përbashkët, në një qendër të aviacionit në Lukë të Francës, si dhe një ushtri elite evropiane!
Amerika ashpër pati reaguar dhe ju tha: Jo, ju nuk bën të krijoni forcën e veçantë pasi që është NATO e cila mbron të gjithë anëtarët e saj!
Po ashtu Gjermania nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka pasur të drejta ta zhvillojë industrinë ushtarake dhe atë atomike!
Ushtarët gjermanë nuk kanë pasur të drejtë të marrin pjesë në procese paqeje nëpër botë! Edhe në Gjermani ishin të kufizuar në numër ushtarët!
Tani, në një moment bëhet President Trampi, lufta kishte kohë që kishte filluar në Ukrainë, mungesa e vullnetit të Amerikës për ta mbrojtur, si dhe duke mos qenë të gatshëm NATO të përballët me Rusinë.
Pasi që edhe lufta ishte në kontinentin evropian, Tramp përzgjodhi sipas logjikës së interesave ekonomike që t’i rikthejë investimet amerikane të dhëna për Ukrainën dhe ta favorizojë Rusinë në kurriz të Ukrainës.
Amerika do të lidhë aleancë ekonomike me Rusinë, për t’u përballë ndaj dominimit ekonomik të Kinës, e cila çdo ditë e më tej po e merr monopolin ekonomik në botë!
Llogaritë e Presidentit Tramp vetëm në raporte ekonomike e tregtare, pa strategji të sigurisë e gjeo-strategji afatgjatë, si dhe koncepti i korporatave dhe i tregtisë për pushtimin e tregjeve dhe në garë tregtare, pa e llogaritur që kostoja e prodhimit më të lirë dhe me kualitet e kuantitet të prodhimeve, determinon dominimin e tregjeve, Tramp vuri taksa ndaj mallrave që hyjnë në Amerikë për shumë shtete, edhe disave ju bëri sanksione duke ju vënë taksa të larta!
Trampi duket i paparaparë në vendimet e tij, si dhe jo parimor, pasi i ndërron qëndrimet e veta brenda dite!
Bazuar në konceptin se kush është i fortë ka edhe të drejtë, po e shantazhon edhe Ukrainën dhe Evropën!
Pastaj mosrespektimi i traditave dhe parimeve ndërkombëtare të vendosura me norma dhe ligje tradicionale si ato të OKB, OSHB, GJND e tjera.
Janë thyer parimet dhe qëndrimet mbi këto instanca të vendimmarrjes për të drejtat ndërkombëtare të popujve dhe shteteve sovrane!
Përpjekjet për t’u ri dizajnuar një rindarje gjeo-strategjike dhe ri përcaktimet me harta të reja gjeografike të vendeve e popujve, bazuar në ekonomi e tregti, kjo ide e përzier me sigurinë gjithnjë i bën shtetet dhe botën më të pasigurt, pasi që shtetet individuale duhet të vetëmbrohen, duke mos qenë të garantuara e të ndihmuara nga mbrojtja e aleatëve, si dhe duke qenë të frikësuar se aleatët bëjnë aleanca në kurriz të të vegjëlve!
Vrapi i Amerikës përkrah bllokut tjetër në garë drejt shteteve të Lindjes së Afërt dhe atyre arabe e afrikane deri në Indi, bën trazimin e tregjeve dhe të sigurisë botërore në rindarje të re, pasi që në këtë garë janë edhe blloku tjetër Kina–Rusia, i kanë vërshuar këto vende dhe janë futur edhe në Amerikën Latine e të Karaibeve!
Bota u bë shumë e pasigurt dhe e paparashikueshme!
Siç është Evropa në pasiguri dhe e papërgatitur vet, ashtu edhe ne shqiptarët jemi të papërgatitur!
Evropa për herë të parë ndodhet në këto relacione me Amerikën, ndërsa ne nga Evropa kështu e kemi pasur tanë historinë, për shkak se Evropa në aleancë me Rusinë e Serbinë na sakrifikoi përherë neve dhe tokat tona!
Përherë kemi ditur me i analizuar situatat dhe ndryshimet e rrethanave dhe me nxjerrë përfundime për një të ardhme të afërt dhe të largët!
Tani kur nuk respektohen dhe janë prishur rregullat tradicionale, parimet dhe normat ndërkombëtare, kur i forti ka të drejtë përherë, si dhe ndërrohen qëndrimet brenda dite, është e pamundur me konstatuar dhe me e ditë se çka na sjell e ardhmja!
Më drejt dhe më së miri të përgatitemi e të bazohemi në forcat tona ekonomike dhe të sigurisë, ta subvencionojmë prodhimin vendor dhe ta fuqizojmë sigurinë mbrojtëse.
Normalisht ne nuk jemi kundër aleatëve, por nuk e dimë se sa ata e kanë me sinqeritet dhe interes me qenë në krahun tonë, me na ndihmuar në situata të vështira kur na kërcënohet ekzistenca si shtet e si popull nga sulmet e agresorëve.
Qëndrimi nga kongresistët amerikanë dhe nga Komiteti i Përfaqësuesve për politikat e jashtme e përgatitën një normë ligjore: Kosova me u mbrojtë në mënyrë të veçantë nga Amerika. Ky është një sihariq i madh dhe i dobishëm për sigurinë tonë. Ky ligj pret vetëm nënshkrimin, apo dekretimin e Presidentit Tramp!
Presidenti Tramp, akoma pa e nënshkruar, tha se Kosovën duhet me e anëtarësu në NATO për të qenë e sigurt, njëkohësisht duhet me i rregulluar raportet Kosovë–Serbi.
Në të njëjtën kohë deklaroi se edhe Serbia duhet me hyrë në NATO me një procedurë të përshpejtuar!
Gëzim për rajonin dhe tanë Ballkanin, se konfliktet nën ombrellën e NATO-s do të shuheshin!
Duhet të shqetësohemi se kufijtë ndër fqinjësor me Serbinë mund t’i vendosë vet Trampi me një fjalë goje; kemi përvojë të hidhur nga Europa se tokat tona janë tkurrur ndër shekuj, mos vallë mund të ketë tkurrje akoma!
Lojërat globaliste nuk janë fer fare, ato zhvillohen bazuar në fuqinë e sigurisë, të ekonomisë dhe të interesave tjera!
Ne na duhet më shumë se kurrë bashkimi kombëtar, së paku në këtë kohë Kosova me iu bashkuar Shqipërisë!
Sa i përket viseve të Kosovës, janë të tradhtuara me nënshkrimin e kufijve me Maqedoninë dhe Malin e Zi!
Ri dimensionimi dhe hedhja e këtyre marrëveshjeve tash për tash nuk mund të bëhet!
Duhet ta bëjmë të mundurën sa më parë!
Rroftë populli shqiptar i bashkuar në Shqipërinë e ribashkuar.
12 dhjetor 2025
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
