Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NJOHJA APO MOSNJOHJA E KOSOVËS NGA SERBIA

Absurdi qëndron tek pala serbe, e cila dëshiron ta marrë Veriun si shpërblim për njohjen e Kosovës. Kjo verbëri gllabëruese historikisht është bërë nga Serbia me okupim, ndërsa tani po e do me nënshkrim!

Cilat të mira mund të na vijnë nga njohja?

Do të anëtarësohemi në OKB, do të na njohin edhe shtete që nuk na kanë njohur. Këtë na e sugjerojnë edhe aleatët, miqtë tanë, veçanërisht Evropa, që dëshirojnë të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona, duke pretenduar se do të krijohet një qetësi relative, e përkohshme dhe e mashtruese!

Çka fitojmë e çka humbim si Kosovë dhe si Atdhe?

Në aspektin ekonomik thuaja asgjë. Në aspektin e sigurisë dhe të paqes, vetëm një mashtrim i përkohshëm. Sepse njohja nuk është garantuese e mos-sulmit apo invazionit nga Serbia. Kurdo që ndihet e sigurt se mund ta bëjë, ajo do ta provojë!

Fuqizimi i saj ekonomik e ushtarak, me një epërsi të shumëfishtë ndaj Kosovës, si dhe faktorë të tjerë përkrahës nga jashtë interesave gjeo-strategjike. Dhe mbi të gjitha, krijimi i aleatëve brenda Kosovës dhe fuqizimi i tyre, që ta ndihmojnë Serbinë ta realizojë okupimin me sa më pak humbje dhe me sa më shumë alibi për ndërkombëtarët!

ÇKA DUHET TË BËJË KOSOVA?

Kosova nuk duhet të varet dhe nuk duhet të humbasë kohë me atë se a e njeh apo jo Serbia!

Kosova duhet të ketë zhvillim ekonomik, politik e diplomatik. Ajo që na duhet mbi të gjitha është të jemi të gjithë bashkë kundër Serbisë.

Nuk duhet të bëjmë gara lidershipi: kush është më pro të huajve – serbë!

Krizat për shtet bërjen dhe për institucione të qëndrueshme nuk janë pa ndikimin e armiqve, përmes kolonës së pestë të organizuar mes nesh!

Prandaj, kushti kryesor është të jemi një dhe të bashkuar, jo vetëm në Kosovë, por i tërë kombi shqiptar, me një qëndrim e një zë.

Të fuqizojmë akterët e sigurisë: Ushtrinë e Kosovës, Policinë dhe AKI-n.

Të përgatitemi me standardet më të larta mbrojtëse dhe me armatim e teknika lufte adekuate, për mbrojtje dhe mundësi të dëmtimit sa më shumë të armikut, qoftë ai që e kemi afër apo ndonjë nga larg!

Armiqtë nuk i ndal sjellja jonë e kulturuar, as marrja me të mirë, as lutjet.

Ata ndalen vetëm atëherë kur e dinë që jemi të përgatitur mirë për luftë dhe jemi të gatshëm me luftuar për vendin dhe popullin tonë!

Kur këtë e dinë, ata bëjnë llogaritë e tyre: sa humbje do të kenë, a do të mund të na pushtojnë e të na mbajnë të pushtuar. Kur ne jemi në këta parametra e lartësi, atëherë ka paqe të detyruar nga pala armike!

A DUHET KOSOVA TA NJOHË SERBINË?

Pse duhet ta njohë? Njohja nuk është garanci për të ruajtur paqen!

Njohja e kufijve aktualë të Kosovës juridikisht dhe ndërkombëtarisht do të thotë heqje dorë përfundimtare nga Kosova Lindore – Presheva, Medvegja e Bujanoci – si dhe nga e tërë Toplica!

Ndërkombëtarët dhe aleatët na e luajtën lojën, duke i gjetur të brishtë pushtetarët tanë, servilë që për pushtet po japin toka dhe po gjymtojnë shtetin!

Ia dhanë 2.500 hektar Maqedonisë dhe 8.000 Malit të Zi, në emër të “korrigjimeve të kufijve”!

Pse kishte nevojë të korrigjoheshin kufijtë dhe të jepeshin tokat tona kur paskemi marrë neve prej tyre?!

Kjo praktikë historike: sa herë që kemi fituar apo rikthyer sadopak toka tona, u desh t’u japim tokë armiqve!

Këta servilë e arsyetonin këtë, duke thënë se “ska rëndësi Debelldeja mbetet këndej apo andej”, “edhe andej është tokë shqiptare”, dhe me këtë paraqiteshin si “patriotë”.

E njëjta gjë edhe me Malin e Zi: e lidhën me vizat e qarkullimit në Europë, duke tentuar t’i bindin se askush nuk i ndal malësorët tanë të dalin në stane!

A ka më absurde se kjo? Stanet janë tonat, por toka jo! Arat keni të drejtë t’i punoni, por shteti është i huaj!

Këto i bënë ndërkombëtarët me pushtetarët tanë tradhtarë!

Kjo do të thotë se Kosova e ka njohur kufirin e Maqedonisë deri në Debelldej dhe ka hequr dorë nga tokat tona të Rrafshit të Pollogut dhe të Iliridës në tërësi.

Juridikisht e ka njohur pushtimin maqedon në këto pjesë – de jure dhe de facto me marrëveshje ndërkombëtare.

E njëjta edhe me Malin e Zi: jo vetëm 8.000 hektarë, por edhe legjitimimi i pushtimit të gjithë Malësisë së Madhe, nga Ulqini në Plavë e Guci.

Për herë të parë në historinë e shqiptarëve, këto janë pranuar dhe nënshkruar si pjesë të humbura e të dhëna me vullnet fqinjëve, me marrëveshje ndërkombëtare.

Shqipëria u mbajt e izoluar, e sanksionuar dhe e sulmuar plot 50 vite, vetëm që të mos i nënshkruante kufijtë e dalë nga Lufta e Dytë Botërore!

Ndërsa tani lidershipi i Kosovës po i nënshkruan dhe legjitimon tokat tona si toka të okupatorëve fqinj.

Por këtë herë me vullnetin e tradhtarëve shqiptarë, të cilët për pushtet shesin shtet, shesin tokat e të parëve tanë të lagura me gjak!

Shkëputjen e bëjnë legjitime me marrëveshjet ndërkombëtare dhe ato mes shteteve fqinje.

Nëse Kosova e njeh Serbinë, duke i dhënë apo jo Veriun, si dhe duke ia falur përgjithmonë Kosovën Lindore dhe tërë Toplicën – tradhtia nuk ka brirë!

Mallkuar qofshin pushtetarët tradhtarë!

Jo më pak fajtorë janë pushtetarët e Shqipërisë, që lejojnë këto tradhti dhe copëtim të tokave në këtë kohë të re, të bëhen me një rënie lapsi!

Shqipëria duhet të reagonte, të ndikonte dhe të merrte përgjegjësinë që e ka – edhe me Kushtetutë – për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në tokat e tyre!

Lidershipi dhe oligarkët po e konsiderojnë Atdheun monedhë kusuritjeje me të huajt, për pushtet dhe përfitime të pjesshme ose krejt meskine personale.

Kosova nuk duhet ta njohë Serbinë, as kufijtë që po e cungojnë dhe po e bëjnë shtet jo funksional, pa gjymtyrë, pa këmbë e pa duar – s’ka si funksionon!

O populli im shqiptar liridashës e atdhetar, zgjohuni nga gjumi! Ju kanë futur në amnezi totale pushtetarët maskarenj, duke ju shpërlarë trurin me disa të mira të vogla vetëm të premtuara, ndërsa dëmtojnë rëndë e pa riparueshëm Atdheun!

Poshtë tradhtarët që shesin Atdheun copë-copë pa fije turpi, sikur Haxhi Qamili dikur!

Rroftë populli shqiptar!

Rroftë ribashkimi i Shqipërisë!

 

02 dhjetor 2025

Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Nga Prof. Dr. HASAN HOXHA: Të pathënat për Fatos Nanon: Politikan vizionar, vlerësonte njohjen, por më shumë meritokracinë

Nga Prof. Dr. HASAN HOXHA: Të pathënat për Fatos Nanon: Politikan vizionar, vlerësonte njohjen, por më shumë meritokracinë

– Jo pak vota që numëron sot PS-ja, vijnë nga grupe dhe individë me interesa të …