Brickos

Sot në Shqiponje bëhen homazhe për heroin e kombit Sadri Zenelin dhe disa dëshmorë të tjerë të UÇK-së

Sadri Azem Zeneli (6.9.1950-6.4.1999)

Në luftën për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, nuk ishte i vogël as numri i intelektualëve atdhetarë, të cilët ngjeshën armët dhe u radhitën në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmori Sadri Zeneli, është njëri prej tyre. Ditën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës i doli përballë pushtuesit, në fushën e betejës, ai e kishte pritur me shumë gëzim. Për këtë ditë edhe kishte ëndërruar dhe ishte angazhuar, që nga koha kur, si të vetmen rrugë për çlirimin e Kosovës, ky dëshmor e kishte përqafuar atë të luftës së armatosur. Ishte vjeshta e vitit 1994, kur në fshatin e tij të lindjes, Shqiponjë (ish-Jabllanicë e Dushkajës), ai formon grupin gueril, në të cilin bënin pjesë të rinjtë, Myrtë Zeneli, Xhevat Zeneli, Lahi Brahimaj, Selim Ademi e Hysen Ibrahimi. Për ta pajisur këtë njësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në trevën e Dushkajës dhe të tërë Rrafshit të Dukagjinit, në vitet e mëvonshme do të kryejë aksione të shumta guerile, me armatim të nevojshëm, Sadriut i ndihmoi edhe bashkëveprimtari i tij, Nazmi Ibrahimi, që punonte në vendet perëndimore.
Sadri Zeneli ka lindur më 6 shtator të vitit 1950, në fshatin Shqiponjë të komunës së Gjakovës. Në fshatin e lindjes e kreu shkollimin fillor, ndërsa atë mesëm, në Gjakovë. Në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës e kreu degën e metalurgjisë. Pas përfundimit të studimeve, hyri në punë në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahia” të Pejës. Disa vite më vonë, hyri në punë në fabrikën e Ferronikelit në Drenas, ku punoi deri në përjashtimin masiv të punëtorëve e të kuadrove shqiptare prej kësaj ndërmarrjeje, nga organet t pushtetit kolonizator serb, në fillim të viteve 90. Pas përjashtimit nga kjo ndërmarrje, u kthye në fshatin e lindjes ku kishte prindërit, Azemin e Hatën, vëllezërit Nimonin e Xhevatin dhe motrën, Hyrinë. Duke parë rrjedhat e zhvillimeve në Kosovë e në vendet e ish-Jugosllavisë, ai tashmë iu përkushtua çështjes së organizimit të rezistencës kombëtare dhe të përgatitjes për luftë çlirimtare. Duke gëzuar respekt dhe autoritet të lartë në rrethin e tij, rreth vetes arriti të tubojë një numër të rinjsh, të edukuar kombëtarisht e të gatshëm për aksione luftarake. Si rezultat i këtij angazhimi, fshati Shqiponjë, brenda një kohe të shkurtër u bë bastion tmerrues për policinë serbe. Një patrullë e kësaj policie, në pranverë të vitit 1993 ishte konfrontuar pikërisht me Sadri Zenelin, me ç’rast ajo ishte detyruar të largohet me turp nga fshati. Që atëherë, kjo polici, këtë fshat e trajtonte si zonë të ndaluar për të, duke pasur njohuri edhe për ekzistencën e njësiteve të armatosura shqiptare.
Fillimi i luftës çlirimtare në zonën e Dukagjinit, më 24 mars të vitit 1998, Sadriun e gjen të gatshëm për veprim. Ai edhe deri atëherë kishte kontakte të vazhdueshme me personalitete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndiqte nga afër rrjedhat e ngjarjeve. Në kohën e betejës së UÇK-së kundër forcave serbe, në Likoshan e në Qirez, më 28 shkurt të vitit 1998, ai ndodhej në Drenicë dhe atje qëndron deri pas epopesë së Prekazit, më 5 mars të atij viti. Pas këtyre ngjarjeve, dëshmori Sadri Zeneli mobilizohet nga një ndjenjë e veçantë e qëndresës, prandaj angazhohet edhe më tepër në segmentin organizativ të njësiteve të UÇK-së në trevën e Dushkajës së Gjakovës. Së shpejti, fronti i luftës çlirimtare u zgjerua edhe në këtë pjesë të zonës së Dukagjinit. Në muajin maj të vitit 1998, së bashku me luftëtarët Agim Zeneli, Myrtë Zeneli, Mustafë Abazi (që të tre, dëshmorë), Lulëzim Nimani, Xhevdet Ibrahimi, Avdi Smajli e të tjerë, u përball me forcat serbe në Sukë të Cermjanit, ku beteja zgjati disa ditë rresht. Në këtë rast çlirimtarët dëshmuan një heroizëm të vërtetë, duke mbrojtur pozicionet ushtarake e duke zbrapsur forcat serbe. Luftime të tilla, në verë të vitit 1998 u zhvilluan edhe në fshatrat Bokshiq, Këpuz, Qeskovë, Vranoc, Kralan e në vende të tjera, në të cilat jehoi edhe pushka e dëshmorit Sadri Zeneli.
Me gjithë përpjekjet e mëdha të pushtuesit serb për ta shpartalluar strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit, me ofensiva të pandërprera në muajt korrik e gusht të vitit 1998, si dhe me gjithë frymën disfatiste e sabotuese që në atë periudhë përhapi Tahir Zemaj me ithtarët e tij, njësitet e UÇK-së në trevën e Dushkajës, as u luhatën dhe as u mposhtën. Ato vazhduan luftën deri me nënshkrimin e marrëveshjes midis diplomatit amerikan Holbruk dhe kriminelit serb, Milosheviq, në muajin tetor, për ndërprerjen e zjarrit. Në periudhën e qetësisë relative, kur edhe UÇK-ja kishte shpallur armëpushimin, Sadri Zeneli u angazhua për të ndihmuar konsolidimin e radhëve të UÇK-së, por edhe për të organizuar jetën në sektorin civil. Me qëllim që të forcojë te masa popullore ndjenjën e besimit në fitoren, në këtë kohë, me insistimin dhe angazhimin e tij, në Shqiponjë filloi të funksionojë edhe shkolla fillore “Dëshmorët e kombit”. Mirëpo, fillimi i fushatës bombarduese të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi forcat e saj, edhe në këtë pjesë të Kosovës shënoi fillimin e etapës së re, të rëndë e përfundimtare të luftës. Sulmet e soldateskës serbe përfshinë edhe fshatin Shqiponjë. Në fund të marsit e në fillim të prillit të vitit 1999, ato vazhduan disa ditë rresht, me të gjitha mjetet ushtarake e me këmbësori. Dëshmori Sadri Zeneli, në këtë kohë ishte komandant kompanie në brigadën 132 “Myrtë Zeneli”. Në rrethanat e krijuara, pjesëtarët e kësaj brigade, që vepronin në Shqiponjë, kishin marrë urdhrin për tërheqje në pozicionet e Zhebelit të Vjetër. Për në Zhebel, më 5 prill tërhiqet edhe Sadriu me bashkëluftëtarë, mirëpo që të nesërmen pasdite kthehet sërish në fshatin e tij, ku tashmë kishin depërtuar forcat serbe. Para se të arrijë pranë shtëpisë së tij, hetohet nga kriminelët serbë dhe goditet nga arma e tyre. Në atë çast, bie në altarin e lirisë. Shqiponja mori në gjirin e saj një shqiponjë lirie. Trupi i këtij dëshmori u varros nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në maj të vitit 1999.
Trungu familjar i dëshmorit Sadri Zeneli, në luftën e fundit çlirimtare, Kosovës i dhuroi shumë gjak lirie. Lirisë së saj, ai ia fali edhe Agimin, Dritanin dhe Myrtën. Përkrah dëshmorit Sadri Zeneli, në luftën çlirimtare u radhitëm edhe i vëllai, Xhevati dhe biri i vetëm, Flamuri. Flamuri, dy motrat e tij, Jehona e Besiana dhe e ëma, Hysnia, janë anëtarët e familjes së ngushtë të cilën e ka lënë dëshmori Sadri Zeneli. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …