leoni

Sadullah Selman Dibrani (25.10.1950 - 22.9.1998)

Sadullah Selman Dibrani (25.10.1950 – 22.9.1998)

Familja Dibrani nga Gradica e Drenicës, e cila në vitin 1963 ishte shpërngulur nga fshati dhe ishte vendosur, në Vaganicë afër Mitrovicës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë 2 dëshmorë: Sadullah Selman Ademin dhe Avni Jetullah Selmanin. Edhe vëllezërit e familjarë të tjerë të kësaj vëllazërie  kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, të organizuar dhe kishin luftuar deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.

Selman Adem Lahu me bashkëshorten e tij, Mihanën, (nga lagjja Duraku e Klinës), lindën e rritën, bijtë e bijat: Hajrullahun, Vahiden, Sadullahun, Jetullahun, Xhevatin, Naxhijen, Mihrijen dhe Xajën (Izjahun).

Në vitin 1963, me qëllim për të zënë punë dhe për ta mbajtur familjen, Selman Ademi me familjen e tij ishte vendosur,  në fshatin Vaganicë, afër Mitrovicës.

Derisa ishin në Gardicë, bijtë e Selmanit kishin ndjekur mësimet në fshat e më vonë edhe në Shipol.

Sadullahu, i bili i Selmanit dhe Mihanës,  kishte lindur  në vitin 1950…. Mësimet e para i kishte marrë në shkollën e Gradicës ku asokohe kishte mësues, Kamer Rrukiqin, Veli Gjinovcin, Bislim Zariqin e të tjerë. Më vonë mësimet i ka vazhduar në shkollën e Shipolit e cila me kohë kishte marrë emrin e mësuesit dëshmor, “Fazli Graiçevci.

Duke qenë se familja ishte në vështirësi ekonomike, ai nuk pati mundësi të vazhdonte shkollimin por u mor me punë bujqësie. Më vonë ka zënë punë në Fabrikën e akumulatorëve, në Mitrovicë. Ndërkohë ishte martuar me Fahrije Hasanin nga Vinarci,  me të cilën lindën dhe rritën bijat: Remzien, Xhevën, Bahrijen, Sevdijen, Shkurtën, Afërditën, Shemsijen dhe bijtë: Ganiun, Bedriun, dhe Remziun.

Sadullahu ka marrë pjesë në protestat dhe demonstratat e vitit 1981. Në vitin 1990, me rastin kur regjimi serb i Millosheviqit kishte futur masat e dhunshme në të gjitha fabrikat e ndërmarrjet e Kosovës, Sadullahun  ashtu sikur edhe të gjithë punëtorët që punonin në Fabrikën e Akumulatorëve, e kishin larguar nga puna.

Me qëllim për ta mbajtur familjen me 12 anëtarë, vëllai i tij kishte blerë një kafene në Mitrovicë, ku Sadullahu kishte punuar për disa vite. Vëllai tjetër më i moshuar Hajrullahu, edhe ai me qellim për ta mbajtur familjen kishte shkuar në Gjermani ku kishte punuar disa vjet.

Në vitin 1997, pasi kishte biseduar me vëllanë,  Jetullahun dhe ishte në dijeni lidhur me rrethanat që po mbretëronin në Kosovë, Hajrullahu kthehet nga Gjermania. Vëllezërit Dibrani ishin të armatosur dhe vigjëlonin e vëzhgonin si po zhvillohej situata.

Me rastin e fillimi të rezistencës në Prekaz nga Komandanti i UÇK-së, Adem Jashri dhe jasharët, ata ishin mobilizuar me qëllim për t iu shkuar në ndihmë. Fillimisht kishin dërguar në Prekaz. Avniun, djalin e Jetullahut dhe Xajën, ndërsa Hajrullahu dhe Jetullahu me armët e tyre  ishte nisur në drejtim të Prekazit të Epërm, për të përcjellë situatën. Atë ditë derisa jasharët po luftonin dhe vendi ishte dridhej nga breshëritë e armëve, dy vëllezërit te shkolla “Azem BejtaË në Prekaz të Epërm,  kishin takuar Ferat Imerin dhe disa burra të tjerë.

“U tubuam rreth 13 vetë, shumica me armë dhe bisedonin se si do t ia bënim. Përveç Feratit ishin edhe: Nezir Smajli, Bashkim Smajli, Zymer Imeri, Sejdi Imeri, Miftar Mustafa me djalin e tij, pastaj kishte ardhur edhe Sadri Rama, miku i Adem Jasharit dhe babai i Rrahman Ramës, më vonë Komandant i Zonës Operative të Shalës. Ndërkohë kishte ardhur edhe Bekim Shyti i cili kishte marrë me vete edhe një aparat fotografik. Duke ditur se Jasharët ishin nën rrethim të hekurt me tri radhë, ishim të sigurt se me armët që kishin nuk mund ta çanim as rrethimin e tretë të vëzhguesve të terrenit, andaj edhe rrinin e prisnim se si do të zhvilloheshin ngjarjet. Kah mbrëmja jemi shpërndarë dhe kishin vendosur që kudo në lagje të fshatrave të organizonim roje dhe pika ku do të takoheshim.

Të nesërmen kemi vendosur një pikë në Vaganicë ku po ashtu ishin tubuar për të shkëmbyer informatat për luftimet që ende zhvilloheshin në Prekaz. Asokohe Agim Rrahim Ramadani i Prekazit të Epërm ishte komandant i Pikës, ndërsa unë isha përgjegjës i bunkerit, në Vaganicë” thotë Hajrullah Dibrani.

Në korrik të vitit 1998, Sadullahu së bashku me nipin e tij, Avniun, djali i Jetullahut, pastaj Samedin Prekazin e shumë të tjerë ishin nisur për në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë dhe municion për nevojat e luftës së UÇK-së e cila pas rënies heroike të komandantit,  Adem Jashari dhe jasharëve të tjerë, kishte filluar të zgjerohej në të gjitha pjesët e Kosovës.

Sadullahu ishte në kontakt edhe me luftëtarin e radhëve të para, Valdet Xhemajlin nga Abria e Epërme, të cilin e kishte djalë të hallës.

Pasi kishin qëndruar një kohë në Shqipëri në kampet stërvitore të UÇK-së, Sadullahu dhe Avniu  ishin pajisur me armatim dhe ishin kthyer, në Vaganicë, ku asokohe ishte pika e UÇK-së me rreth 30 ushtarë të armatosur.

 Në kohën kur forcat serbe kishin filluar ofensivën e verës, në shtator  të vitit 1998, Pika e Vaganicës ashtu si edhe pikat e tjera në Vermicë, Vinarc, Lushtë ishin mobilizuar. Pikërisht në këtë relacion më 22 shtator 1998  kishte filluar edhe sulmi i forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së.

Atë ditë lufta ishte përfshirë  tërë territorin e Drenicës duke filluar nga fshatrat e Qyqavicës, pastaj të Drenasit me rrethinë, fshatrat e Artakollit, Ashlani dhe fshatra  të rajonit të Mitrovicës.

Jo larg pikës së quajtur “Guri i Nezirit”, kishte rënë dëshmori i kombit, Mustafë Shyti i Ashlanit, ndërsa gjatë luftimeve përreth  Vërnicës, edhe Avni Dibrani i Vaganicës dhe Sadullah Dibrani. Në Kodër të Madhe të Mitrovicës, kishte rënë trimërisht  edhe Bislim Imeri i Gurbardhit. Në Zmiq, duke luftuar përballë forcave serbe kishte rënë trimërisht,  Salih Sejdiu.

Sadullah Dibrani dhe Avni Jetullah Dibrani kishin rënë në mes të Lushtës dhe vaganicës, mbi shtëpinë e lagjes Haliti, në fillim të Zmiqit.

Hajrullah Dibrani shpjegon se “më 23 shtator kufomat e vëllain tim Sadullahut, dhe nipit Avniut i kemi varrosur te vendi i quajtur “Kërshi i Vaganicës”, në orët e natës, meqë forcat serbe granatonin nga largësia dhe kishte rrezik të na dëmtonim. Pasi ishim tubuar disa dhjetëra luftëtarë dhe pjesëtarë të popullatës së kësaj ane, rreth orës 23 të natës u kemi dhënë lamtumirën e fundit dëshmorëve të rënë,  Sadullahut dhe Aviniut i cili kishte vetëm 21 vjet të vetëdijshëm se liria nuk fitohet pa gjak”. Ne vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e tjerë kemi qenë pjesë e luftës deri në çlirimin e plotë të vendit në qershor të vitit 1999

Pas luftës, në korrik të atij viti trupat e dy dëshmorëve, Sadullah Dibrani dhe Avni Dibrani, familjarët dhe bashkëluftëtarët i kanë  rivarrosur në varrezat e Dëshmorëve, në Shipol,  ku pushojnë në përjetësi.

Familja e dëshmorit, Sadullah Dibrani  ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, si dhe nga shoqatat e luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …