Shefqet Sabit Zeka (8.8.1977 – 22.9.1998 )

Shefqet Sabit Zeka u lind me 8 gusht të vitit 1977 në Prishtinë. Mësimet e para  i mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm në shkollën “Asim Vokshi”, ku shquhej për zgjuarsinë dhe përpjekjet e tij të ndihmojë shokët ne mësime dhe gjatë aktiviteteve jashtë mësimit. Mbas mbarimit te tetëvjeçares, vendosi të vazhdojë mësimet teologjike ne Medresenë  Alaudin, në Prishtine, të  cilat i ndërpreu për shkaqe ekonomike.

Shefqeti përpos qe filloi të punonte, për ekzistencën familjare, u be aktiv edhe ne Forumin Rinor te LDK ku u angazhua ne organizimin e Protestave Studentore qe u zhvillonin ne atë kohe.

Ishte Masakra e Likoshanit ajo që e shtyri Shefqetin të behej aktiv. Ai mori pjesë në varrimin e viktimave, Çirez e Likoshan, dhe pa me Sytë e tij se çfarë ndodhi ne fund shkurtin e vitit 1998. Posa u kthye nga varrimi tha: “duhet te angazhohemi, te përgatitemi… pashë me sytë e mi se atje ishte zhvilluar një betejë e vërtetë“.

Shefqeti ishte bashkë organizator, i protestave paqësore Studentore dhe gjithë popullore ne fund-vitet 90‘. Ai u rrah nga policia serbe dhe thirrej ne biseda, të  cilave kurrë nuk iu përgjigj. Familja arsyetohej se ai kishte lëshuar vendin dhe ndodhej diku ne Europe, sikurse edhe vëllezërit e tij.

Sipas Informatave të cilat i ka Familja, Shefqeti bie ne Kontakt me Fehmi Lladrovcin, diku ne fund maj të vitit 1998, kishte kërkuar angazhim aktiv ne UÇK, mirëpo kishte marre sugjerim nga Fehmiu që për momentin nuk kishin arme dhe sapo ta siguronin armen do te lajmërohej. Shefqeti, asokohe  me traktorin e tij, siguronte ushqim e vesh-mbathje zonat ku ishte aktiv UÇK-ja, nder  te tjera edhe në Gllogovc e Komaran. Ai vazhdonte te punonte në Prishtine, po edhe angazhimi i tij politik dhe i informimit si te familjes po edhe mbarë rrethit se çfarë po ndodhe realisht me Kosovën filloj te rritet. Filloi ta mbrojë dhe përkrahë me të madhe luftën Çlirimtare, luftonte qe te hiqeshin dyshimet dhe te mbaronin përçarjet politike të  asaj kohe, me se miri kete e dëshmon një shkrim i tij, një fjalim ne një nga tubimet e Forumit rinor te asaj kohe.

Në një bisede me prindërit do ti thoshte nënës „Lufte pa gjak nuk ka, ne duhet te bëjmë diçka, kështu nuk jetohet, edhe duhesh ta dish nene, Jepe ja burrin ja djalin!!

Shefqeti do te zgjohej ditën e 2 Shtatorit. Nëna thotë se u zgjua, u vesh edhe doli shpejt. Ajo sikur e kishte ndier se do ishte hera e fundit qe do e shihte djalin, e përcolli deri te dera dhe ai ktheu edhe një herë kokën, pa nënën edhe i tha: “Hajt nanë se shihemi ne mbrëmje“.

Posa del në qytet i vjen lajmi se arma për të ishte siguruar. I shet shpejt mallin një shoku edhe i thotë Kushëririt:  Hamit unë u nisa për lufte, në Drenicë, tregoju prindërve të mij dhe le të ma bëjnë halla, sepse unë po shkoj po i gjallë nuk kthehem!!“

Shefqeti sistemohet në  Brigadën 114 me Komandant Fehmi Lladrovcin, sikur  marrë vesh. Kontakti me familjen shkëputet, sepse  ishin forcat armike ato qe nuk lejonin hyrje-dalje me zonat e luftës. Baba,i Sabiti u takua disa herë me Adem Demaçin, përfaqësues Politik i UÇK-së në Prishtinë, po nuk mori asnjë lajm. Demaçi i kishte thënë babait: “Eu  more burrë, sa djemtë e ri e kanë marrë armen me luftue, e kemi vështirë të arrijmë ta dimë se ku janë!”.

Më 21 shtator të vitit 1998, gjatë natës, forcat serbe kishin nisur depërtimin në relacionin Komaran-Gllogoc- Skënderaj.

Jepen informacione për fillimin e depërtimit të forcave serbe në drejtim të pozicioneve të Brigadës 114 dhe 113 të Zonës Operative të Drenicës. Serbët sapo kishin filluar ofensivën në drejtim të fshatrave Çikatovë, Gllanasellë.

Komandant Fehmi Lladrovci kishte marrë të gjitha masat dhe përforcimet në njësitë luftarake Shkaba 1, Shkaba 2 dhe Shkaba 3

Pika luftarake e quajtur Shkaba 1 ishin vendosur Shefqet Zeka, Asllan Fazliu, Gani Nika…

Pika luftarake e quajtur Shkaba 2 ishte vendosur Sabit Lladrovci me luftëtarët e tij

Dhe Pika Shkaba 3 ishte Fehmiu, Xheva, Fatime Hetemi dhe luftetare tjere..

Thuhet se diku nga Mesdita nga pika Shkaba1 , në ndihmë komandant Fehmiut i shkon Asllan Fazliu. Ai e njofton Komandantin se forcat armike kanë thyer këtë pikë me ç’ rast ka rënë dëshmor luftëtari i Kodrës së Trimave, Shefqet Zeka, ndërsa është shkatërruar një tank i armikut.

Sipas dëshmitareve shefqeti u godit diku kah ora 9 e paradites e datës 22 Shtator 1998, nga nje predhe tanku, pasi që shkatërroi një tank te armikut( tregim i bashkëluftëtarit Asllan Fazliu)

Ndërkohe Në luftime e sipër nga distanca bie heroikisht edhe luftëtarja e Shalës, Fatime Hetemi.

Disa ore me vone Në një moment kritik, derisa komandant Fehmiu, Xheva dhe Asllan Fazliu po ripozicionoheshin, autoblinda armike merr në shënjestër dhe godet për vdekje Komandantin, Fehmi Lladrovci. Duke e parë se pika ishte identifikuar dhe po sulmohej me zjarr të pandërprerë, ai urdhëron Xhevën dhe Asllanin që të largohen nga pika. Xheva, e cila nuk donte të largohej nga bashkëshorti dhe bashkëluftëtari, e urdhëron Asllan Fazliun që të largohej, duke i premtuar se pas tij do të largohej edhe ajo. Asllani arrin të tërhiqet, ndërsa Xheva reziston deri në fishekun e fundit, duke rënë pranë shokut të jetës dhe të idealeve çlirimtare.

Shefqet Zeka  u varros disa dite me vonë, në Gllanasellë, ( i veshur me Uniformen e UÇK-së). Gani Nika, epror dhe bashkëluftëtar  i Shefqetit për gazetën  Kombi të datës  21 dhjetor 1998 tha: “Prej se na kanë sulmuar forcat armike, bashkë me mua luftoi dëshmori Shefqet Zeka, ai ka luftuar si Luan, hallall i qofte atij djali“!

Familja, lajmin e rënies se Shefqetit e mori me 24 teto 1998, përmes një dokumentari kushtuar Komandantit Fehmi Lladrovci. Në pyetjen pse familja nuk u informua me herët, ishte arsyetua se  kishte frike se mos forcat armike po ia dëmtonin familjen në Prishtinë.

Edhe pse u ndërruan disa presidentë, e u dekoruan shumë personalitete me dekorata te ndryshme, dëshmori Shefqet Zeka përveç Zonës Operative të Drenicës dhe Shtabit te Përgjithshëm të UÇK -së, nde nuk ka marre dekoratën presidenciale si “Hero i Kosovës”

Ai nuk u flijua për dekorata, as për tituj, por ende nuk është arritur ajo për çka Shefqeti u flijua!

Te gjitha sikur i sqaron letra e hapur qe Shefqeti  i kishte  shkruar Bashkësisë Ndërkombëtare e subjekteve politike te asaj kohe, qe edhe sot, për fat të keq është aktuale!!

Kosova digjet flakë para diplomacisë ndërkombëtare

Kosova digjet flakë, Kosova gjëmon nga artileria e pushtuesit serb, Kosova masakrohet në mënyrën më barbare nga kriminelët serbë.

Kosova para etnocidit. Kosova i mbush fushat me varre, rrugët me gjak shqiptari, Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjtë se jeta !

Në Kosovë për dite bëhet gjenocid. Etnocidi ka filluar, vija e kuqe kaloj shumë herë në Kosovë, amerikanet dhe evropianët akoma janë skeptikë sa i përket ndërhyrjes ushtarake, sepse akoma gjaku i shqiptarëve nuk e ka mbuluar nën-qiellin e Kosovës, atë ballkanik ndoshta edhe evropianë; njëkohësisht diplomatëve te moderuar dhe të butë si”delja rude”që i sillen vërdallë kasapit te Ballkanit, duke i dëshmuar “karotën dhe shkopin”. Mirëpo karota ishte më e frytshme dhe më progresive, sepse gjaku tani po e mbush normën e duhur, bile rrugët e Kosovës marshojnë nga gjaku i derdhur i fëmijëve, grave, lehonave, pleqve. Numri i të uriturve është ne rritje e sipër, përhapja e epidemive është e pranishme kudo, por kjo për Bashkësinë Relevante Ndërkombëtare duket se ende  është pak…

Shumë fshatra janë bërë rrafsh me tokë, Qyteti i Deçanit i përngjan Vukovarit famëkeq, Rahoveci shndërrohet në Srebrenicë…Policia, paramilitarë dhe ushtria jugosllave me gjithë arsenalin që posedon përdor dhe sulmon popullsinë civile, fshatrat etnikisht te pastra, kjo metodë e kasaphanës përdoret para Botës së qytetëruar civile dhe demokratike. Para shekullit 21 përsëritet tragjedia e Bosnjës, Ruandës ,… në mesin Ballkanik.

Gjërat rrodhen para syve te diplomacisë ndërkombëtare, e cila me hapa të paefektshëm hapi “Paketën” e sugjerimeve dhe sanksioneve, që fillimisht u shtiren si veprime të shpejta dhe mesazhe të qarta qe ju drejtuan qeverisë së Beogradit, se Bashkësia ndërkombëtare nuk i lejon vetes përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, që e përvëluan Bosnjën. E tani Kosovën e ndjekë i njëjti fat tragjik. Mirëpo sa vlejnë këto mesazhe të qarta për Jugosllavinë e vetëshpallur, ku asnjëra prej tyre nuk përfillet dhe as që realizohet, andaj kuvendimet që i bëri Grupi i Kontaktit ishin në hijen e ministrave dhe ministreshave politike dhe drejtorëve politikë.

Është indikativ fakti se që prej 9 marsit, kur u mbajt mbledhja e Grupit të Kontaktit të gjitha masat ndëshkuese që i nxorën prej paketës drejtuar qeverisë së Beogradit megjithatë mbetën në letër, nuk u konkretizuan në asnjë aspekt në vepër, megjithatë mbetën kërcënime.

Konkretisht sinjalet e ashpra drejtuar Beogradit për tërheqjen e menjëhershme të policisë, paramilitarëve dhe armatës së Jugosllavisë së vetëshpallur nga Kosova nuk u realizuan, e çka i mbetet tjetër Grupit të Kontaktit për veprime …?

Premtimet e Bashkësisë Ndërkombëtare OSBE-së SHBA-së, OKB-së, NATO-s, njëkohësisht vetë Presidentit Bill Klinton “se një Bosnjë të dytë nuk do ta lejojnë të përsëritet në Kosovë ” mbetën vetëm fjalë boshe ,veçse lufta në Kosovë tashmë i përngjanë asaj të Kroacisë dhe Bosnjës…

E kreut politik dhe subjekteve politike ne Kosove çka u mbetet tjetër?

A duhet UÇK-ja të jetë Ushtri e shtetit apo forcë e ndonjë subjekti Politik?

A mendojnë subjektet politike që janë duke e dëmtuar UÇK-në?

Për këtë UÇK-ja kërkon unitetin ndërmjet forcave politike!

Subjekteve politike u bëjmë me dije se: populli, rinia, gabimet të cilat jeni duke i bërë kurrë nuk do t’ua falë! Ju lutemi mos luani me nderin e popullit dhe gjakun e bijve dhe bijave te cilët për çdo ditë e derdhin për ta mbrojtur çdo pëllëmbë te tokës së Kosovës!

Ju faleminderit,

Shefqet Zeka

 26 gusht 1998.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …