Kurteshi

Sami Kurteshi: Secila nënë pas lindjes do të subvencionohet nga komuna me 100 euro

Sot prezentova planin tonë për të gjitha fushat të cilat ndikojnë një të ri që nga mosha fëmijnore e deri e deri te mosha e tij më e madhe. Duke u nisur nga çerdhja e deri te zhvillimi i profesionit të tij. Rinia nuk mund të trajtohet vetëm si kategori e veçantë nga shoqëria e as vetëm si moshë, por duhet trajtuar nga të gjitha institucionet komunale e shtetërore me përgjegjësi. Duke trjatuar fëmijët dhe rininë me prioritet ne ndikojmë në mënyrë direkte në mirëqenie të familjes dhe shoqërisë.

Zotimi im i parë në këtë drejtim është ndihma për nënat për secilën lindje në komunën tonë. Zotohem se për secilën nënë pas lindjes do të subvencionohet nga komuna me 100 euro. Kjo shumë sigurisht nuk është e mjaftueshme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, por do të ndihmoj në hapat fillestar të zhvillimi të fëmijës dhe njëkohësisht do të jetë shenjë sigurie për nënat që institucioni komunal kujdeset për to. Në bazë përllogaritjeve fillestare nga eskpertët tanë të buxhetit dhe shëndetësisë ky projekt do t’i kushtoj komunës sonë më pak se 150 mijë euro në vit.

Aktualisht Gjilani i ka vetëm dy çerdhe funksionale, të cilat janë trashëguar nga koha e shkuar, dhe është duke u ndërtuar edhe një çerdhe prej donatorëve të huaj, e cila çerdhe ende nuk është përfunduar. Pra janë tre çerdhe publike në një popullatë prej thuajse 100.000 banorësh, saç i ka Komuna e Gjilanit. Në kushte të tilla, shumica e familjeve nuk kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe, dhe kjo siç është vërtetuar prej studiuesve të pedagogjisë fëminore, ndikon për keq në aftësitë socializuese e shoqërore të atij fëmije, edhe kur ai të rritet.

Në planin e Lëvizjes VETËVENDOSJE, përveç funksionalizimit të plotë dhe investimit për standardizim në tre çerdhet aktuale, ne do të ndërtojmë në mandatin e parë së paku edhe katër çerdhe të tjera, një nga të cilat do të jetë në qytet, dhe tre do të jenë në fshatrat e mëdha. Këto çerdhe do të shërbejnë për jo më shumë se 100 fëmijë, dhe do të jenë të pajisura me të gjitha mjetet sipas kritereve më të mira evropiane. Kostoja e këtyre katër çerdheve do të jetë gjithsej 800.000 euro, pra nga 200.000 euro për çerdhe, gjë që është tërësisht e përballueshme prej buxhetit të Komunës, edhe pse ne sigurisht do të arrijmë të gjejmë bashkëpunim edhe në donatorë të huaj.

Gjatë mandatit tonë, ne do të rregullojmë dy parqet ekzistentë dhe do të ndërtojmë edhe 5 të reja, duke i pajisur me kënde lojërash për fëmijë e duke i bërë disa terrene të përshtatshme edhe për patina, skateboard apo çiklizëm, që të jenë atraktive edhe për të rinjtë. Një park i tillë kushton 50.000 euro, dhe në total ne do të investojmë 350.000 euro për parqet, shumë e cila është tërësisht e përballueshme nga buxheti komunal.

Ne do të ofrojmë për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, një shujtë falas. Kjo shujtë do të jetë e përbërë prej një kifleje, një molle apo dardhe, dhe një paketimi me qumësht. Kjo politikë i ka dy të mira. Së pari i ndihmon ata fëmijë që janë të uritur ose që nuk kanë mundësi ekonomike, që të ndihen të barabartë së paku në ushqim me shokët e tyre, dhe që të shkojnë në klasë të ngopur. Së dyti, kjo politikë ndihmon edhe prodhimin vendor, pasi kiflet, pemët e qumështi do të blihen prej prodhuesve vendorë në Gjilan, gjë që do ta ndihmojë ciklin ekonomik që të zhvillohet e të forcohet, duke rritur edhe punësimet.

Për fëmijët që janë pak më të rritur, ne po ashtu kemi planifikuar të investojmë për përmirësimin e shërbimeve publike, siç është arsimi. Në Gjilan, në qeverisjen time dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, do të ndërtohen dy shkolla, një fillore dhe një e mesme. Synimi ynë është që shkollat të mos jenë të detyruara të kryejnë mësim me disa ndërrime, pasi kjo gjë është vërtetuar se ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e nxënies së mësimeve.

Dy shkollat që ne do të ndërtojmë do të jenë të pajisura me laboratorë modernë, me të gjitha mjetet e duhura të punës, si dhe me salla e terrene sportive. Secila shkollë do të kushtojë rreth 2 milion euro, dhe në total do të jenë 4 milion euro. Këto do të merren si investime nga buxheti i Komunës, nga ministria e Arsimit, por edhe nga donatorë të huaj.

Përveç kësaj, ne do të ndërtojmë dhe do të rregullojmë 10 terrene sportive në Komunën e Gjilanit, nëpër fshatra dhe në lagje të qytetit. Këto terrene sportive do të jenë fusha basketbolli e volejbolli, si edhe fusha për futboll të vogël, sipas standardeve më të mira.

Për të rinjtë, ne do të sjellim në Gjilan edhe një kinema, pasi Gjilani është i vetmi qytet i madh në Kosovë që nuk ka kinema, edhe pse ka shumë të rinj që i kanë qejf filmat. Komuna do ta sigurojë ambientin për kinema, dhe unë vetë zotohem se do të lidhim marrëveshje me një prej kompanive që menaxhojnë rrjetet ndërkombëtare të kinemave, për ta sjellë një kinema cilësore në Gjilan.

Poashtu do t’i hapim ambientet kulturore, siç janë salla e teatrit dhe shtëpitë e kulturës nëpër fshatra, për muzikantë e artistë nga e gjithë Kosova, madje edhe nga vende të tjera. Gjilani do të jetë një qytet me jetë të plotë muzikore, e sigurisht, kjo do të jetë në të mirë të të rinjve, që do t’i dëgjojnë nga afër këngëtarët e tyre të pëlqyer. Buxheti ynë për kulturën do të jetë 250.000 euro në vit, dhe me këto ne do të ndërtojmë një jetë kulturore atraktive për të rinjtë e Gjilanit, madje unë jam i bindur se do të vijnë në Gjilan edhe të rinjtë e komunave të tjera, pasi Gjilani do të shndërrohet në epiqendër të jetës kulturore rinore.

Komuna jonë do të jetë përherë e hapur për të rinjtë, madje do të garantoj këtu se një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të mi në Komunë, do të jenë edhe vetë të rinj e të reja.

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …