Mexhit Demiri: Dështimi i planit për ndarjen territoriale të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore

Mexhit Demiri: Dështimi i planit për ndarjen territoriale të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore

Në vitet e para, pas çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi, përveç organizatave klandestine, në vendin tonë vepronin edhe një numër bandash të armatosura, në arrati. Sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, qershor 1946 ky numër arrinte mbi 600 banda, siç ishte ajo e Gjon Markut në Mirditë (ish ministër i brendshëm i periudhës së luftës), biri i Bajraktarit Gjon Marka Gjonit, i arratisur jashtë shtetit, banda e Muharrem Bajraktarit në zonën e Kukësit që bashkëpunonte me Drazha Mihajlloviçin, kreun e çetnikëve serb (dënuar në Beograd për tradhëti të lartë), sipas dëshmisë së këtij të fundit në gjyq, pastaj në Dibër, bajraktari i Pukës, të cilët bashkëpunonin në mënyrë permanente me reaksionin e jashtëm, me bandat diversioniste që hidheshin nga toka, ajri e deti për të përmbysur rendin kushtetues.

Vetem gjate viteve 1945-1954 u hodhën në Shqipëri rreth 900 banda të armatosura që përbënin një numër të madh mercenarësh, nga të cilët u shkatërruan mbi 4.000 diversantëtë arratisur si dhe qindra grupe, agjentë e bashkëpunëtorë të tyre, me 3000 pjesmarrës, shumica e të cilëve i përkisnin UDB-së Jugusllave.

Banda e diversionistë mercenarë që përgatiteshin e stimuloheshin nga shtetet ku ata vepronin, kryesisht në Itali, në Maltë, në Greqi, financoheshin nga terrorizmi ndërkombëtar, në kundërshtim me normat e miratuara nga vetë këto shtete. Pas vitit 1948 Jugosllavia ishte bërë bazë kryesore ku organizoheshin veprimtaritë e zbulimeve jugosllave, angleze e greke kundër regjimit të Tiranës. Ndërkohe, legata Jugosllave në vend ishte bërë çerdhe e UDB-së. Ajo nxiste pakënaqësi në masat punonjëse, rekrutonte elemente të pakënaqur e kundërshtarë të pushtetit.

Bënte sabotime në ekonomi duke i shkaktuar asaj dëme të pallogaritshme, incidente kufitare, provokacione të shumta ushtarake në rreth 5000 të tilla, nga ajri e toka, që organizonte qeveria e Beogradit me monarko–fashistët Grek. Këto të fundit, me bandat e Napoleon Zervos, masakruan, në mbarim të luftës popullsinë çame, mbi 30.000 burra, gra e fëmijë dhe shpërngulën nga vatrat e tyre, mijëra të tjerë.

“Vetëm në vitin 1950-shovinistët grek-dërguan 56 banda me 294 vetë si ajo e Priftit, Hamit Matjanit, Piro Milecit, me detyra propagandistike, nxitje arratisjesh, organizim të rrjetit agjenturor, kryerje aktesh terrori e diversioni etj“. Provokacionet dhe hedhja e bandave diversioniste ishin parapërgatitje për një intervencion të hapur në Shqipëri, i planifikuar dhe i nxitur nga shërbimet sekrete angleze, jugosllave e greke.

Në një raport të shërbimit sekret amerikan i vjeshtës së vitit 1949, shkruhet për një plan bashkëpunimi anglo-jugosllav e grek sipas të cilit Shqipëria duhej ndarë në tre pjesë: Veriu t‘i shkojë Jugosllavisë, Jugu t‘i shkojë Greqisë dhe ajo që mbetet, Shqipërisë, kjo është marrëveshje top sekret, dt. 15 shtator 1949. Plani për ndarjen e Shqipërisë, ishte dakordësuar në bashkëpunim të plotë me liderët e emigracionit shqiptar “Shqipëria e Lirë“, Mit‘hat Frashëri, Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Seit Kryeziu, Gani Kryeziu. Ky i fundit ishte angazhuar se do të sulmonte Shqipërinë e Veriut, me forcat që dispononte. Në takimet e tyre me emisarët e Titos, në Trieste, më 19 tetor 1949 u nënshkrua, ajo që u quajt “Marreveshja e Liderëve Shqiptar me Titon“, ku u ra dakord, që influenca italiane të përjashtohej, që Shqipëria të mos kishte më pretendime territoriale për Kosovën.

Nëse plani anglo-jugosllav e grek i sipërpërmendur, nuk do të dështonte kundër Shqipërisë, nëqoftese agjenturat e huaja, bandat dhe organizatat e tyre, diversioniste e terroriste nuk do të dështonin, siç dështuan me disfatë të plotë, gjë që e ka konfirmuar edhe kryeministri anglez Toni Bler, në Shqipëri do të ndodhte e paimagjinueshmja, më tronditëse e kohërave. Shqipëria do të shuhej nga harta e shteteve. Veteranët e luftës, partizanët e lirisë, shqiptarët patriotë e mëmëdhetarë, do të shkonin në plumb ose do të dergjeshin nëpër burgje dhe Shqipëria do të ripushtoheje do të sundohej nga kolaboracionistët nazi-fashistë, të cilët të mbështetur nga ato shtete që do t’i sillnin në krye të vendit, njëherësh mercenarë të tyre, do të ushtronin diktaturën më barbare të kohës moderne. Por kjo nuk ndodhi. Merita i takon popullit shqiptar, udhëheqjes së urtë e dinjitoze, që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi territorial, jo më pak, por dy herë. Një herë, me Luftën Nacional Çlirimtare që bënë kundër okupatorëve nazi-fashistë dhe arritjen e çlirimit të vendit, me sakrifica të panumërta, deri në sublim e dëme te shumta materiale. Herën e dytë, me asgjesimin, pas çlirimit të vendit, të planeve djallzore si ai për copëtimin territorial të Shqipërisë nga shovinistët e shteteve fqinje, të hedhjes së bandave e të grupeve diversioniste deri tek ndërmarrja e agresionit të hapur, me ushtri e armatime të rënda, të monarko-fashistëve grek, në gusht të 1949-ës, të cilët u zbrapsën dhe u përballuan me guxim, ndonëse me humbje të ndjeshme në njerëz e dëme materiale.

Është e nevojshme të theksohet se gjykatat dhe gjygjet e zhvilluara në vitet e para pas çlirimit, në situata të ″acarta″ politike, nuk mund të mos kenë patur dhe anësitë e tyre subjektive që në lartësinë e viteve shihen në tjetër këndvështrim. Megjithatë historia na mëson se ngjarjet dhe fenomenet merren të lidhura ngushtësisht me kohën dhe rrethanat, në të cilat ato ndodhin. Gjykimet dhe dënimet e dhëna ndaj bashkëpunëtorëve të nazifashizmit synonin të afirmonin vlerat e LANÇ dhe të ruanin e të mbronin vazhdimësinë e pushtetit të popullit të dalë nga lufta çlirimtare. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …