Save the Children

Save the Children: Publikimi i raportit mbi ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike po prekin drejtpërdrejt miliona fëmijë në të gjithë botën. Në bashkëpunim me një ekip ndërkombëtar të studiuesve të ndryshimeve klimatike të udhëhequr nga Vrije Universiteit Brussel (VUB), Save the Children International ka zhvilluar një hulumtim duke analizuar ndikimin e ngjarjeve ekstreme klimatike tek fëmijët e lindur në vitin 2020 në krahasim me ata të lindur në vitin 1960. Metodat dhe rezultatet përfshihen gjithashtu në një botim në revistën Science, botuar dje.

Ky raport është zhvilluar me mbështetjen e një grupi të fëmijëve që është konsultuar si pjesë e procesit për të treguar se si ndikimet e ndryshimeve klimatike po cenojnë të drejtat e tyre për jetën, arsimin dhe mbrojtjen. Pjesë e këtij grupi – të përbërë nga 12 fëmijë të moshës 12-17 vjeç nga disa vende të botës – është edhe një vajzë 14 vjeçare nga Kosova, Vasilija Vucinic.

Gjatë konsultimit, Vasilija tha: “Vendimmarrësit në komunitetin tim duhet të përqëndrohen më shumë në aktivitetet që do të zvogëlonin rreziqet e ndryshimeve klimatike. Meqenëse unë jetoj në një komunë të rrethuar me pyje, komuna si institucion duhet të fillojë me aktivitete për të promovuar rëndësinë e pyjeve për shëndetin tonë, por edhe për shëndetin e fëmijëve në komunën tonë ”.

 Gjetjet e raportit tregojnë se fëmijët nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të përballen me pasoja më të rënda të ndryshimeve klimatike, të cilat janë të lidhura ngusht me çështje tjera si pabarazia dhe niveli ulët i respektimit dhe mbrojtjes të së drejtave themelore të fëmijës.

Bazuar në premtimet e Marrëveshjes së Parisit për reduktimin e emetimeve, temperaturat globale do të rriten rreth 2.6 deri 3.1 gradë mbi nivelet paraindustriale. Kjo do t’i lërë fëmijët e lindur në vitin 2020 të përballen mesatarisht me shtatë herë më shumë valë të nxehtësisë, 2.6 herë më shumë thatësira, 2.8 herë më shumë përmbytje të lumenjve, pothuajse tre herë më shumë dështime të të korrave dhe dyfishin e numrit të zjarreve gjatë jetës së tyre, në krahasim me gjeneratat e lindura në vitin 1960.

Iniciativat lokale, që marrin në konsideratë situatën e fëmijëve në relacion me ndryshimet klimatike, po bëhen gjithnjë e më shumë të domosdoshme në politikat e zhvillimit ekonomik, pasi që kostot e reagimit ndaj krizave humanitare, që rrjedhin si rezultat i ngjarjeve ekstreme të motit, po rriten.

Për të adresuar rreziqet klimatike, për të përmbushur premtimet e bëra ndaj fëmijëve në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve (CRC), dhe për të arritur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, Save the Children në Kosovë inkurajon vendimmarrësit për të ndërmarrë veprime urgjente, gjithëpërfshirëse dhe transformuese për klimën.

Edhe pse Kosova nuk është palë nënshkruese e Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, janë bërë disa përpjekje për të harmonizuar legjislacionin dhe kornizën e politikave të Kosovës me atë të BE -së. Megjithatë, problem mbetet mos-implementimi i tyre.

Siç thotë edhe Vasilija: “Autoritetet lokale në bashkëpunim me institucionet e tjera, duhet të përpiqen të zbatojnë ligjet mjedisore që janë miratuar.”

Prandaj, Save the Children globalisht, po u kërkon qeverive të vendeve të ndërmarrin veprimet e mëposhtme:

  • Të veprojnë urgjentisht për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë Celsius dhe heqjen e varësisë nga karburantet fosile.
  • Të rrisin angazhimet financiare për të ndihmuar komunitetet dhe fëmijët në nevojë të përballen dhe rinkëmbën nga fatkeqësitë dhe goditjet klimatike.
  • Të njohin fëmijët si akterë të barabartë në trajtimin e krizës klimatike dhe mjedisore, dhe të perfshijnë fëmijët në vendime të rëndësishme
  • Të rrisin sistemet e mbrojtjes sociale për të adresuar ndikimet nga ndryshimet klimatike tek fëmijët dhe familjet e tyre, me ambicien që eventualisht të sigurohen benefite universale për fëmijë, si një nga mënyrat për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve.
  • Të sigurohen që përpjekjet për rimëkëmbjen e COVID-19 të shkojnë drejt një ambicie për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të gjelbër dhe më të barabartë për fëmijët.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK publikon Raportin Analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”  

RrGK shpreh shqetësim të madh në lidhje me denimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh një shqetësim të madh në lidhje me denimin …