Selman Bekë Lajçi (9.2.1954 - 19.4.1999)

Selman Bekë Lajçi (9.2.1954 – 19.4.1999)

Trimëria tradicionale dhe qëndresa e pamposhtur në të gjitha rrebeshet e pakursyeshme të historisë në Rugovë, janë faqe të veçanta të heroizmit në historinë e popullit shqiptar.
Rugovasit, në të gjitha lëvizjet kombëtare iu kanë përgjigjur sfidave. Ata u bënë digë e pakalueshme për të gjithë pushtuesit, të cilët synonin ta pushtonin këtë pjesë krenare dhe të papushtueshme të atdheut shqiptar. Theqafen e tyre në Rugovë e ka shënuar kujtesa turke e sllave, e në kohën tonë e shënoi edhe historia e barbarisë milosheviqiane. Malësia e Rugovës ka bërë emër për trimëri e mençuri për mikëpritje e bujari, derë kurdoherë të hapur për mikun, plumbin në lule të ballit për armikun…

Familja e Selman Lajçit është familje e njohur në Rugovë, por dhe në historinë e popullit shqiptar. Të parët, Rexhë Avdia dhe Adem Isufi nga fshati Pepaj, kanë bërë emër bese e trimërie kombëtare, qysh në kohën e Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Ata luftuan trimërisht në Plavë, Gusi e Nokshiq kundër forcave pushtuese sllave, të përkrahuar nga Evropa e Bizmarkut dhe nga Perandoria Osmane, e cila në pamundësi për të përballuar kalbjen dhe shpërbërjen e vet, filloi të bënte tregëti me trojet shqiptare.
I ati i Selmanit, Bekë Lajçi, ishte degdisur nga atdheu për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohej, në kushte dhe rrethana kur kanosej shfarosja kolektive e shqiptarëve. Nën presion të detyrueshëm për t’u shpërnguluar nga atdheu, ai merr rugën e botës, por mbijeton falë zgjuarësisë dhe vendosshmërisë. Një kohën kur shumë shqiptarë shkonin në Turqi, për t`i shpëtuar shfarosjes, Bekë Lajçi së bashku me familjen ka jetuar në Prejlep të ish RJ të Maqedonisë, për t`u kthyer përfundimisht në vendlindjen e tij, në fund të vitetev 50 të shekullit XX. Bekë dhe Zylfije Lajçi rriten me mund e djersë dy bij dhe katër bija.
Selmani u lind në Ugellë të Peshterit më 9 shkurt të vitit 1954. Mësimet fillestari i mori në një fshat afër Prejlepit. Shkollën e mesme të Bujqësisë e mbaroi në Pejë më 1976. Në vitin shkollor 1976-1977 regjistrohet në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, në gjeneratën e parë të këtj fakulteti. Duke qenë se kishte talent dhe i zgjuarsi në mësime, me zell të jashtëzakonshëm i mbaron studimet në afat rekord. Në vitin 1980 diplomoi dhe fillon punën, inxhinier i bujqësisë, në fshatin Arbnesh, (ish- Vitomiricë e Pejës).
Kryengritja shqiptare e vitit 1981, Selaman Lajçin, vëllanë e tij Salihun dhe disa bashkëmendimtarë nuk i gjeti të papërgatitur. Selmani asokohe kishte idejuar dhe projektuar idealin e lirisë. Së bashku me vëllanë Salihun, me Mustafë Lajqin, Ujkan Nikçin e të tjerë themelon grupin militant kombëtar të quajtur Pavarësia. Pas demonstratave masive, regjentët besnikë të pushtetit titist nuhasin veprimtarinë e vëllezërve Lajçi dhe pa vonuar arrestohen disa anëtar të grupit. Punën dhe aktivitetin ardhetar e kishte marrë përsipër vëllai, Salihu, ndërsa veprimtaria e Selmanit mbeti e pazbuluar nga hafijet e regjimit.
Selmani vazhdon punën por nuk e ndërpret aktivitetin ilegal. Ai përkujdeset për vëllanë Salihun dhe shokët që gjendeshin nëpër burgje.
Në vitin 1985 Selman Lajçi zë punë në Bankën e Bashkuar të Kosovës, në sektorin e Bujqësisë. Asokohe, me qëllim të ngritjes profesionale regjistron studimet pasuniversitare në Zagreb dhe në vitin 1990 laurohet magjistër i shkencave të agronomisë.
Në vitet 90, të shekullit XX, Selman Lajçi ashtu sikurse edhe shumë idealistë dhe veprimtarë të asaj kohe ndeshet me masat represive të pushtetit okupator, i cili dëboi nga puna dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës, që nuk tregoheshin lojalë ndaj regjimit të Beogradit. Familja Lajçi ishte në shënjestër për shkak të aktiviteti të pashkëputshëm, zingjiror, në dobi të kombit e atdheut. Edhe pse në kushte dhe rrethana represive, Selman Lajçi nuk shkëput aktivitetin e tij atdhetar, pëkundrazi e thellon veprimtarinë në një koncept të ri të veprimit. Merr pjesë në Lëvizjen për Faljen e Gjaqeve, anëtarësohet në Partinë e të Gjelbërve, në Forumin e Intelektualëve. Të gjitha këto Selmani i bënte me qëllime të caktuara. Aktiviteti legal partiak i mundësonte veprimin dhe angazhimin në avansimin e idesë çlirimtare. Shok të idealit kishte vëllanë Salihun, i cili kishte përballuar me sukses dhe stoicizëm të veçantë sfidat nëpër burgjet e Serbisë. Të dy vëllezërit hapëronin si dy rreze depërtuese të lirisë duke ndritësuar errësirën e robërisë dhe vellon e trashë të pacifizmit.
Selmani ishte martuar me Nexhmije Nikçin, me të cilën pati një jetë të harmonishme martesore, të kurorëzuar me lindjen e katër bijëve dhe dy bijave. Krahas aktivitetit ilegal, Selman Lajçi ka zhvilluar edhe aktivitet profesional, duke qenë i angazhuar në ekologji, bujqësi dhe në aktivitete të kësaj natyre. Ishte themelues i revistës “Gurra” dhe i një shoqate të veçantë Sanxhako-Kosovare, e cila kishte për qëllim integrimin e sanxhakasve, shumica e të cilëve ishte me origjinë shqiptare.
Duke qenë se ishte në rrjedha të lëvizjes legale dhe ilegale të kohës, Selman Lajçi mban kontakte ilegaliteti me Adrian Krasniqin, Bahri Fazliun dhe veprimtarë të tjerë. Në nëntor të vitit 1997, në kohën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Drenicës, Selman Lajçi me bashkëluftëtarë kishte themeluar celulën e parë të UÇK-së për Rugovë dhe Lug të Drinit. Zgjerimi dhe konsolidimi i radhëve të UÇK-së Selmanin, Salihun, kushërinjtë dhe shokët e idealit i gjen jo vetëm të përgatitur për luftë kundër pushtuesit, por edhe në fushëbetejë.
Selmani, Salihu, Besniku dhe shumë luftëtarë të Rugovës në korrik të vitit 1998 formojnë Shtabin Rajonal të Rugovës, në fshatin Pepaj. Selmani emërohet përgjegjës për informim i këtij shtabi ushtarak.
Në vonë nga ky shtab formohet Brigada 136 “Rugova” komandant i së cilës ishte vëllai i Selmanit, Salih Lajçi, ndërsa Selmani mbetet komandant për Moral dhe Informim i po kësaj brigade. Pavarësisht nga përgjegjësia në Brigadë, Selmani kryente edhe shumë punë të tjera, duke qenë gjithnjë në ballë të frontit, në furnizim me armë, në përkujdesje logjistike e të tjera. Ai ishte dhënë me tërë qenien në organizim, zgjerim dhe konsolidim të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rajonin e Dukagjinit e sidomos në Rugovë.
Më 24 gusht të vitit 1998, Selman Lajçi ishte në ballë të frontit. në mbrojtje të fshatit Shtupeç i Madh, që rrezikohej nga depërtimi i bandave të armatosura ushtarake e policore serbe. Ndërkohë ai gjendet edhe në pikat e tjera luftarake si në Qafë Hajllë, në Drelaj, Kuçishtë në Qafë të Qyqes dhe gjithandej nëpër bedenet e pamposhtura të Rugovës e të Dukagjinit.
Më 30 dhe 31 gusht të po atij viti Selman Lajçi mobilizon forcat duke i shkuar në ndihmë formacionit të logjistikës që po sillte karavanin me 30 kuaj e mushka të ngarkuar me armatim të marrur në Shqipëria.
Në shtator të vitit viti 1998, Selman Lajçi me bashkëluftëtarë vihet në mbrojtje dhe trajtim të popullatës civile të Dukagjinit, e cila në kushte dhe rrethana shfarosjeje, nga banadat masakruese serbe, ishte nisur për në Shqipëri dhe Mal të Zi. Po në këtë kohë ndihmon për të depërtuar me sukses qindra luftëtarë të Zonës Operative të Shalës, të cilët kishin kaluar me sukses kufirin dhe po përgatiteshin për të depërtuar në Shalë të Bajgorës.
Selman Lajçi dhe trimat që e rrethonin qenë bërë mburoje e sigurt e luftës jo vetëm në Dukagjin. Ai ishte kudo kur e kërkonte nevoja. Ishte edhe atje ku nuk e thërrisnin, por duke e ditur gjendjen, ofronte ndihmë të gjithanshme. Puna, hovi, mundi, djersa, aktiviteti i pandalshëm me një anë dhe trimëria, guximi, shpirti i sakrificës në anën tjetër, ishin veçanti tipike, fizike dhe shpirtërore të Selman Lajçit. Për këto veti të veçanta të temperamenti të tij të gjithë bashkëluftëtarët dhe ushtarët e donin, e nderonin dhe e respektonin.
Selmanin duket sikur e kishte pritur koha, sikur kishte lindur për të kontaktuar me UÇK-në, në Dukagjin, ku ishte hyrje dalja e madhe, porta e madhe e të gjitha zonave të luftës, nga Drenica deri në Karadak.
Iu kishte përgjigjur me shpejtësi të rrufeshme kërkesës së komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj për tërheqjen e të plagosurve nga Jabllanica deri në Rugovë. Bashkëluftëtarët dhe ushtarët e tij si: si Flamur Zekaj, Mahir Lajçi, Avdi Halilaj, Enver Krasniqi e të tjerë, spikasin shpirtin luftarak, ndjenjet tejet të shprehur të sakrificës, kujdesin prindëror ndaj ushtarëve sidomos në momente delikate të luftimeve.
Selmani ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në transportimin dhe kontratimin e armëve që u blenë si në Shqipëri ashtu edhe në Rozhajë e Mal të Zi. Përveç aktivitetit në luftë dhe në lëvizje të pandalshme për të mbajtur nën kontroll vijen e frontit, Selaman Lajçi mbante edhe ditar, apo kronikë lufte. Eprori i UÇK-së i Zonës së Dukagjinit, Faton Mehmetaj, ka botuar në gazetën javore Fokus disa pjesë të ditarit të shkruara nga Selman Lajçi në frontet e luftës prej fillimit të muajit prill 1999.
1.4.1999.
“Sot rreth orës 10.00 u dëgjuan detonime në drejtim të Istogut dhe të Cercës. Pasi shkam në vijën e frontit, kuptuan se ishin sulmuar Cerca dhe Lubozhda. Forcat e brigadës 133 dhe disa luftëtarë të Brigadës 136, “Rugova,” iu kundërvunë hordhive serbe. Ata filluan të granatojnë pozicionet tona. Ballafaqimi zgjati rreth gjashtë orë. Serbët granatonin me minahedhës 82.mm., topa të kalibrave të mëdhenj dhe praga. Në mesin e luftëtarëve nuk pati të plagosur ndërsa nga popullata civile janë plagosur katër fshatarë të Vrellës….
2.2.1999
Rreth orës 14.00 shkova në Shtabin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Pasi u takova me Azemin, Agimin dhe Naimin, biseduam për armatimin dhe transportimin e armatimit në këtë zonë. Unë me dëshmi dhe regjistër iu shpjegova se kush i ka marrë armët dhe në ç`sasi.
4.4. 1999
“Ndodhem këtu së bashku me Ujkanin dhe Ramushin. Këtu është luftë dhe kudo ndihet atmosfera e luftës. U kërkua që të përforcohet kjo pikë. Atje shkuan Adriani Emrimi, Xhevdeti, Vetëtima e të tjerë. Kjo zonë është e rrethuar nga të gjitha anët. Me interes është tëheqja e atyre që janë shtrirë në spital.”
7.4.1999
“Në mbrëmje nisemi për në Kaliqan. Gjatë rrugës në kolonë të ushtarëve dhe me disa vetura kaluam rrugën Pejë-Mitrovicë. Policia serbe sulmoi veturat me të plagosur por nuk pati viktima. Konsiderohet se gjatë luftimeve armiku pati humbje”.
8.4.1999
“Ndërkohë rreth orës 14 u paraqit nevoja të shkojmë përforcime te pika e quajtur Te Varret e Jabllanicës. Avdi Halilaj, Xhevdet Lajçi, Enver Krasniqi “Hoxha” Xhezair Belegu, “Vetëtima”, Besniku dhe disa luftëtarë të tjerë u gjeten te pika. Serbët granatonin dhe sulmonin nga Kodra e Novosellës dhe nga kafeneja “Atlantida” në Vitomiricë. Pas disa orë luftimesh plagosen gjashtë ushtarë tanë në mesin e tyre edhe “Hoxha”. Armiku pati humbje në njerëz dhe në teknikë lufte. Aty u vranë 6-8 policë serbë. Numri i saktë nuk dihet, sepse ata i kanë tërhequr kufomat. Në hakmarrje ata dogjen Lagjen e Myrtajve të Koshutanit dhe disa shtëpi shqiptare në Vitomiricë”
17.4.1999
“Me eprorët Naim Maloku, major Muratin, Ruzhdiun, Salihun dhe Ujkanin shkuam në Shtab për një konsultim. Ishte me interes për përgjegjësit e brigadës 136 “Rugova” që të konsultohen me eprorët e lartshënuar përkitazi me pozicionimin e forcave tona, varësisht nga potenciali njerëzor dhe armatimi”.
Këto shënime fragmentare, por shumë kuptimplote, na japim të kuptojmë se Selman Lajçi ishte bërë një me luftën, qoftë në front, qoftë në informim, qoftë duke mbajtur shënime të shkurtëra, por tejet të rëndësishme për luftën heroike të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Edhe pse magjistër, intelektual i nivelit akademik, Selman Lajçi ishte epror dhe ushtar i thejshtë në të njëjtën kohë, ashtu sikur e kërkonte momenti, rrethanat dhe lufta.
Më 18 prill të vitit 1999 u zhvillua një betejë e përgjakshme në bastionin e UÇK-së, të quajtur, Qafë Hajllë. Luftimet qenë zhvilluar fyt për fyt. Atë ditë bie dëshmor Xhavit Lajçi. Luftëtarët trima të Rugovës nuk kishin lejuar forcat serbe ta marrin Qafën. Luftimet kishin vazhduar edhe ditën e nesërme më 19 prill. Në logun e trimërisë, në altarin e atdheut bien dëshmorë edhe Besnik Lajçi dhe Ramush Lajçi. Forcat armike edhe krahas humbjeve të mëdha po përpiqeshin të depërtonin në bastionin e UÇK-së. Selmani me disa luftëtarë merr përsipër tërheqjen e trupit të dëshmorit Ramush Lajçi. Tërheqja e trupit të Besnikut ishte pamundësuar. Në përpjekje mbinjerëzore për të depërtuar te vendi ku kishte rënë Ramushi, në moment Selmani heton pritën armike dhe reagon: ‘Kujdes”! Arma armike merr në shenj trupin e Selmanit, në kohën kur ai së bashku me katër bashkëluftëtarë po përkulej për ta tërhequr trupin e Ramushit. Selmani bie në altarin e Atdheut, bie në Qafën e Hajlës, duke shënuar prapakthimin e turpshëm të forcave serbe, të cilat nuk e pushtuan dot Hajllën as Rugovën. Në përpjekje për ta marrë trupin e dëshmorit Ramush Lajçi, plagosen edhe katër luftëtarë.
Selman Lajçin, Besnik Lajçin dhe Ramush Lajçin, bashkëluftëtarët dhe të afërmit e tyre fillimisht i varrosin, pikërisht në vendin ku kishin rënë, në vendin e përskuqur me gjakun e tyre, që qe bërë muranë e pathyeshme dhe kështjellë fitimtare e lirisë.
Rivarrimi i këtyre tre flakadanëve të lirisë, u bë më 29 gusht të vitit 1999. Me nderime ushtarake dhe me pjesëmarrjen e mijëra liridashësve nga mbarë trojet etnike të Shqipërisë, i varrosin në Qafen e Pepajve, për të hyrë kështu në përjetësi dhe në historinë e së lavdishmes UÇK.
Selman Lajçi ka lënë prindërit, babanë Bekën dhe nënë Zylfinë, si dhe vëllanë Salihun. Ka lënë edhe bashkëshorten, Nexhmijen, pastaj bijtë: Fatosin, Arbërin, Dardanin, Drilonin dhe bijat: Arlindën dhe Djellëzën.
Familja e dëshmorit Selman Lajçi ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Zona Operative e Dukagjinit dhe nga institucione të tjera.
Për jetën dhe veprën e tij janë botuar shkrime nga Faton Mehmetaj, Hasan Hasani e të tjerë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …