Serbia nuk pengoi pavarësinë e Malit të Zi, mbase me kushtëzime lidhur me statusin e Kosovës

 


Ndarja e Malit të Zi nga Serbia ndodhi, ashtu sikurse edhe ishte pritur. Me vëllezërit e tyre serbë nuk dëshirojnë të jetojnë serbët e Malit të Zi, të cilët vetën e quajnë malazez dhe të cilët nuk kanë asnjë dallim mes veti, qoftë në pikëpamje entiteti, gjuhe, kulture apo feje. Megjithatë, Mali i Zi, tani e tutje nuk do të jetë pjesë e Unionit Serbi Mali i Zi dhe ky Union tashmë është varrosur, ashtu sikurse është varrosur edhe Jugosllavia paraprake. Mirëpo ende ka mbetur Serbia, gjithnjë kolonialiste dhe hegjemoniste, ka mbetur e tërë, e paprekur, e tillë sikurse ka qenë në kohën e pushtimit të viseve shqiptare, hungareze, bullgare e rumune. Përderisa serbët dashur pa dashur u ndanë nga sllovenët, kroatët, boshnjakët, sllavomaqedonët e tashmë edhe nga më të afërmit e tyre, nga serbët malazezë, ata nuk pranojnë të ndahen nga shqiptarët, me të cilët nuk i lidh as gjuha, as, feja, as kultura, as bashkëjetesa, por vetëm armiqësia 12 shekullore.
Këtu qëndron paradoksi. Serbia dëshiron t’ i mbajë nën robëri shqiptarët, sepse këta edhe mund t’i mbajë pengë e robër, me faktin se as janë të aftë vetë të ndahen, as kanë përkrahje ndërkombëtare, as duan të bashkohen për të krijuar forcën e nevojshme kombëtare, as kanë udhëheqës që kanë preokupim çlirimin dhe bashkimin e trojeve atdheut. Logjikisht, me rastin e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90, shqiptarët do të duhej të ishin të parët të ndaheshin. Mirëpo nuk ndodhi ashtu, sepse Serbia kishte krijuar dhe përkrahur klasën pacifiste shqiptare, e cila i përdhunoi proceset çlirimtare historike dhe u bë pengesa kryesore në luftën tonë çlirimtare. Dhe si për çudi, përderisa nga Serbia u ndanë të gjitha kombet e tjera sllave të ish Jugosllavisë, me gjak e pa gjak, në përbërjen e saj “de jure”, sipas rezolutës 1244, ende mbesin shqiptarët, hungarezët, sanxhakasit, rumunët dhe pjesëtarë të popujve të tjerë. Serbia do të mundohet me çdo kusht ta mbajë peng Kosovën për ta ruajtur në këtë mënyrë: Vojvodinën, Timokun, Sanxhakun dhe Kosovën Lindore. Mirëpo, a do të arrijë ta bëjë këtë?
Serbia jo rastësisht në Konferencën e Dytë të AVNOJ-it më 1945 kishte përcaktuar kufijtë e republikës sovrane, e cila në gjirin e vet kishte futur edhe dy njësi autonome, Kosovën dhe Vojvodinën. Njësi të tilla autonome nuk kishin të drejtë të formonin republikat e tjera të federatës jugosllave. Në këtë mënyrë politikanët shovinistë e largpamës serbë kishin ndërtuar strategjinë e tyre rezervë, në rast të dobësimit apo prishjes së Jugosllavisë.
Tash kur nga Serbia u nda edhe Mali i Zi, nuk mund të rrinë të qetë as hungarezët në Vojvodinë, as myslimanët në Sanxhak, as rumunët e asimiluar në krahinën e Timokut në Serbinë verilindore, por as shqiptarët e Kosovës Lindore. Serbinë e presin punë shumë të mëdha dhe të rrezikshme në të ardhmen. Nuk ka kurrfarë logjike, as kurrfarë arsyeje, që të detyrohen të jetojnë përdhunshëm nën serbët, pjesëtarët e entiteteve, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me serbët, përderisa nga radhët e tyre ndahen vetë serbët, që jetojnë në një vend, i cili nga sllavët qysh në mesjetë u emërtua, Cerna Gora, (Mal i Zi).
Nuk mund të dëshmohet me asnjë fakt historik përkatësia kombëtare malazeze, edhe pse dihet historikisht se në Mal të zi ka ndodhur një përzierje racore, një amalgamim shqiptaro-sllav që solli në asimilimin e këtij entiteti. Gjuhë e malazezve është gjuha serbe, feja është e njëjtë, ortodokse, kultura, tradita eposi, historia ritet, krejtësisht të njëjta. Mirëpo ja që malazezët tashmë kanë përvetësuar një identitet të tyre, hibrid, një identitet gjeografik, dhe më në fund ia dolën, që përmes dallimeve dhe mospajtimeve politike e ideologjike me Serbinë, të ndahen nga shteti amë, që i kishte formuar si shtet xhandar në Ballkan, duke mos i kursyer dhjetëra mijëra serbë të vrarë sidomos në luftë kundër shqiptarëve në kohën e okupimit të Shkodrës.
Mirëpo nuk duhet harruar se në këtë shtet të ri, të vogël numerikisht dhe territorialisht gjysma e popullatës nuk e pranon përkatësinë kombëtare hibride malazeze. Ata, edhe më tej do të mbesin serbë të Malit të Zi dhe në të ardhmen mund të kërkojnë të ndahen nga Mali i Zi dhe t i bashkohen Serbisë. Nuk do të shuhen antagonizmat kombëtare, fetare e politike përmes aktit të Referendumit. Serbia nuk do ta pranojë lehtë humbjen, edhe pse ajo nuk do të ngutet tash për tash, meqë ka probleme me çështjen e Kosovës.
Ndarja e Malit të Zi pikërisht në kohën kur do të vendoset edhe statusi përfundimtar i Kosovës, mbase është bërë me qëllim tjetër, me qëllim perfid të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Miqtë e Serbisë në Bruksel dhe në KS të OKB-së, ndarjen e Malit të Zi do ta interpretojnë si humbje të Serbisë dhe do të përpiqen të mos i shkaktojnë asaj edhe një humbje tjetër, shumë më të dhembshme.
Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …