Sërish vjen marsi, sërish përgjaken shqiptarët, sërish përkujtohet krenaria e lavdia…

Sërish na erdh, Marsi,


Marsi i luleve të lirisë.


Marsi i cili nuk kalon dot as edhe njëherë pa përgjakjen e shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen në trojet e tyre. Kësaj radhe filloi  me përgjakjen e fëmijëve shqiptarë në Iliridë, me therjen e një nxënëseje shqiptare në qendër të Shkupit, në kohën kur në Kosovë fillon përkujtimi në shënim të 15-vjetorit të përgjakjes së madhe  dhe heroizmit titanik të Jasharëve, në Prekaz, në kohën kur në Iliridë fillon fushata e dalldisë zgjedhore, ku shqiptarët drejtojnë  heshtat e djallëzisë kundër njëri tjetrit, por jo kundër shqiptarë-vrasësve të fëmijëve e vëllezërve të tyre.


 


Edhe marsi i vitit 2013 na gjen të ndarë, të copëtuar në 6 shtete, me politikanë të dështuar, me udhëheqës të lakueshëm e të përshtatshëm, me politikanë që interesat partiake e grupore i kanë  vendosur mbi interesin kombëtar.


Sërish na erdh marsi i kësaj pranvere të hershme, ashtu sikur në vitin 1981, ashtu sikur në vitin 1989, ashtu sikur në vitin 1998…


Ka diçka enigmatike në botën e shqetësuar shqiptare, që lidhet me marsin e zgjimit dhe që vazhdon pastaj me përgjumje, kotje, hamendje, hezitime…


Marsi, muaji i zgjimit,  na përkujton pranverat e hershme shqiptare, pranverat e përgjakura në rrugën tonë historike drejt bashkimit.


 


Sërish erdhi  marsi dhe nuk na gjen dot së bashku, por të shpërndarë e të përçarë, andaj edhe na përgjakin gjakatarët, andaj edhe na rrahin e na tërheqin zvarrë, sepse udhëheqësit tanë servilë e poltronë me çdo kusht duan të mbajnë postet, pozitat, fitimet, e favoret që iu sjellë pushteti. Kur shqiptarët përgjakën te Ura e Vardarit, vetëm sepse janë shqiptarë, madje edhe fëmijë 13 e 17 vjeçar, kur në pikë të ditës, në qendër të Shkupit theret me thikë një nxënëse shqiptare nga fashistët sllavo-bullgarë, politikani ynë në Iliridë, i mbytur në qyqari e mjerim thotë, shyqyr që nuk ishte atje djali im, apo nipi im. 


 


Kur shqiptari vritet në pikë të ditës, në Gostivar, vetëm sepse është shqiptar, partitë politike atje reagojnë ashpër, me fjalë. Kur arrestohet, burgoset e dënohet luftëtari i lirisë, madje edhe kur mizorisht mbytet në burg, po ashtu disa nga politikanët tanë reagojnë ashpër, natyrisht vetëm me fjalë, por jo me një qëndrim unik, por me keqardhje unike, nga brenda gjithnjë e më të përçarë. Kur në pjesën e robëruar të Kosovës të mbetur nën Serbi hiqet dhunshëm lapidari me emrat e të rënëve, dëshmorë, politikanët tanë dërdëllisin dhe filozofojnë se qenka dashur apo nuk qenka dashur të vendoset lapidari në qendër të Preshevës. Marsi i vitit 2013 na solli papritur edhe një ogur të lig, një ogur të zi që po zihet e po  kurdiset në Bruksel.


Dhe marsi shkon, e sërish vjen.


Sërish të ndarë e të përçarë po na gjen…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …