Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paraqitur një kërkesë zyrtare për themelimin e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do të hetonte rastet e vdekjeve të ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80. Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, Kamberi theksoi se rreth 135 ushtarë shqiptarë humbën jetën në rrethana të dyshimta, shpesh të regjistruara si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”. Sipas tij, familjet e viktimave kanë raportuar shenja dhune mbi trupat e kthyer, ndërsa mungesa e hetimeve të pavarura ka forcuar bindjen se bëhej fjalë për vrasje me motive etnike e politike. Ky fenomen ka mbetur i heshtur dhe i padokumentuar në diskursin publik në Serbi, duke reflektuar mungesë serioze të përballjes me të kaluarën dhe të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Kamberi në një reagim. Deputeti shqiptar paralajmëroi se kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi – që pritet të rikthehet këtë vit, pas heqjes në vitin 2011 – ngjall shqetësime të mëdha tek shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në Serbi jetonë mbi 60.000 shqiptarë, shumica në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të cilët vazhdimisht ankohen për diskriminim dhe mungesë të përfaqësimit të barabartë. (Radio Evropa e Lirë)
