leoni

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova: Me 61 vota vështirë të arrihet progres në agjendën e reformave evropiane

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova: Me 61 vota vështirë të arrihet progres në agjendën e reformave evropiane

Nuk është i lehtë përparimi në agjendën e reformave evropiane, kur dihet që Qeveria i ka vetëm 61 ose 62 vota dhe se për shumë nga reformat, nevojiten dy të tretat e shumicës. Kështu tha sot  shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova,  gjatë takimit që pati me deputetët e Nismës për Kosovën. Apostolova po ashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me punën e Kuvendit,  duke pohuar se politikanët janë shumë të përqendruar në zgjedhje ,e shumë pak në punën e Kuvendit.

 

“Jemi shumë të shqetësuar rreth asaj se Kuvendi nuk po punon me këtë rregullsi, me të cilën dëshirojmë dhe me të cilën ne presim të punoj. Së pari, patëm zgjedhje të menjëhershme, të cilat në njëfarë mënyre vonuan tranzicionin dhe reformat, të cilat po fillonin dhe po merrnin shpejtësi në Kosovë. Pas kësaj kishim një periudhë mjaft të gjatë,  deri në formimin e Qeverisë, kështu që Kuvendi nuk ishte në gjendje të fillonte punën. Edhe pas formimit të Qeverisë, deri më tani, unë shoh vetëm tre takime. Pra, kuptoj plotësisht se politikanët janë shumë të përqendruar në zgjedhje. Por megjithatë, ka disa reforma dhe ka disa çështje shumë të rëndësishme, të cilat duhet të trajtohen dhe të vendosen në Kuvend. Nëse implementojmë MSA-në, në zhvillim ekonomik, konkurrencë, industritë mbrojtëse, do të keni një zhvillim më të mirë ekonomik në vend. Pra, varet nga ju sa doni të përparoni në agjendën e reformave. Unë jam e vetëdijshme se sigurisht nuk është e lehtë,  kur qeveria ka 61-62 vota për momentin. E di që shumë nga këto reforma kanë nevojë për dy të tretat e shumicës”, tha ajo.

E shefi i Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën Bilall Sherifi tha se kjo Qeveri është e pakët në numra, por ata llogarisin në mbështetjen e partive opozitare, për vendimet që kërkojnë më shumë se 61 vota. Ai tha se deputetët nuk duhet ta vazhdojnë luftën politike, kur  është në pyetje  agjenda evropiane

 

 “Qeveria e Kosovës, kjo mazhorancë, ka në të vërtetë numra, në numra është e paktë,  61 nganjëherë bëhen 62, shpesh herë mbesin 60. Në aspektin formal janë 61 numra dhe e dimë që shumë reforma shumë dhe vendime duhet të kalojnë me më shumë vota dhe këtu llogarisim në mbështetjen  dhe të deputetëve të partive opozitare, për faktin se agjenda shtetërore, agjenda e integrimeve evropiane, nuk duhet të na bëjë që të vazhdojmë luftën politike…Mendojmë që kjo Qeveri ka një vullnet me z, kryeministër  Haradinaj dhe kabinetin në përgjithësi,  që nga klisheja të kalojnë në diçka reale, në diçka substanciale. Ne si Grup parlamentar jemi deklaruar edhe brenda takimeve të brendshme që kemi pasur që asnjë Qeveri as kjo nuk do ta ketë bllanko mbështetjen. Por varësisht nga rezultatet,  të cilat do t’i arrijmë në çdo 6 mujor. Edhe ne edhe do ta vlerësojmë edhe punën tonë edhe punën gr upin tonë dhe të ministrave tanë por dhe punën e Qeverisë në përgjithësi.  Dhe do të shohim se ia vlen të ecim më tej, apo të shkojmë tek sovrani, sa herë  që vlerësojmë se punët nuk po ecin ashtu siç duhet. Pra duhet të shpresojmë dhe duhet t’i japim mundësi kësaj qeverie  që së paku për një vit , gjashtë muaj të tregoj se është ndryshe”, tha Sherifi.

Sherifi pati dhe kritika për dialogun mes Kosovës dhe Serbinë, për të cilin tha se është eksperimental dhe i cili nuk i ka sjellë rezultatet e pritura.

 

“ Ky lloj i dialogut  që po zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, është për herë të parë  që në historinë e njerëzimit ndodh. Ky lloj i dialogut, kjo rrugë që është zgjedhur për të pajtuar dy palë, nga fundi duke i marrë gjërat nga fundi jo nga koka, është për herë të parë dhe mund të themi se është eksperimental dhe nuk dimë se si do të përfundoj. Deri më tani është ka marrë me shumë kohë se sa që ka dhënë rezultate”, tha ai.

Deputeti tjetër i Nismës  Haxhi Shala  tha se sa më shpejt  duhet të ndodh transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, e  për këtë tha se nevojitet dhe përkrahja e BE-së,  për të bindur listën Serbe  për këtë.

 

“ Sa i përket FSK-së,  unë mendoj që edhe ne edhe bashkësia evropiane, në këtë rast ju  dhe miqtë tjerë duhet të kontribuojë sa më shumë tek lista serbe,  që ta përkrah një transformim të FSK-së në forca të armatosura. Nëse kjo nuk ndodh në një kohë shumë të shkurtë,  unë besoj që do të kemi një zmbrapsje të FSK-së, të profesionalizmit të FSK-së, sepse është një rënie  e disiplinës, e  zhvillimit të FSK në qoftë se rrin në këtë Status Qou. Sepse e di që në ushtri nuk duhet të ketë ngecje të punëve. Duhet të ketë avansim të tyre”, tha ai.

 

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …