Srebrenica

Shefqet Dibrani: SREBRENICA

Të erdhën serbët dhe t’u hodhën përsipër

siç bie rrufeja mbi çati

bajonetat u vërsulën mbi duar të pambrojtura

tashmë s’kalohej asnjë prag shtëpie

dhe pranvera nuk çelte asnjë derë

 

 

Kishte kohë që në Srebrenicë nga oxhaku tym nuk dilte

ai tym që dikur shkonte thik’ përpjetë

e vetmja thikë që dëshmonte këtu jetën

 

 

Srebrenicë t’i masakruan pabesisht

burrat burrërorë dhe zonjat e zonja, njerëzit e tu

tmerrësisht fëmijët në gji të qumështit t’i ngulfatën

 

 

Srebrenicë mbi ty ra ploja e krimit modern

përpara marshit të OKB-së

mbi ty qytet ra mallkimi siç bien mortët nga qielli

në zymtësinë e një nate plot ankth

 

 

Srebrenicë në ty dita shënjoi kumtin e zi

e nesërmja gdhiu e qetë, s’kishte më kush të bënte of e uf

të nesërmen askush nuk doli në derë

as dhembje s’kishte më

ishte mesjeta e errët apo fundi i turpshëm

i Shekullit Modern

kjo gjë nuk thuhet në kronikat që dimë

as nuk shkruhet mbi letrat e ngrëna nga dhëmbët e territ

 

 

Srebrenicë të ranë në pikë të diellit

para syrit optik të kamerave

kurse OKB-ja bënte sehir kasaphanën

e cila turpëroi vetë Evropën dhe njerëzimin

gjithë Shekullin që i mbylli sytë e në ëndërr

pa Makbethin

 

 

Mbi ty Srebrenicë qëlloi jo vetëm serbi

po tërë 100 vjeçari modern dhe vjetran

tash ti je një qytet i pushkatuar

dhe me statujat e vrara, me ujin e vrarë, zogjtë

ajrin dhe lulet, edhe ndërgjegjen e vrarë

Srebrenicë ti je qyteti i varreve dhe i tragjedisë

së filmuar në celuloid nga syri optik, shih si krenoheshin

ushtarë në anën tjetër për krimin bizar

tetëmijë njerëz të vrarë

tetë mijë njerëz në të njëjtin varr

 

 

Ky është bilanci i turpit ballkanik e më përtej

prandaj dhe kortezhi mortar zgjatet në pakufi

si në romanin e mikut tim Visar Zhitit me të vetmin faj

që serbin e patën fqinjë

 

 

Në fund të fundit në Srebrenicë ra kambana që theu

bronzin e heshtjes dhe njerëzit dolën nga varret e tyre.

 

 

* Srebrenica gjendet në Lindje të Bosnjës. Në korrik të vitit 1995 rreth 8 000 burra, gra, djem dhe fëmijë myslimanë u zhdukën, pasi forcat serbe pushtuan Srebrenicën, një zonë që Kombet e Bashkuara e kishin deklaruar ”vend të sigurt”.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …