Tërnava

Shënohet 68-vjetori i Medresesë “Alauddin”, por edhe kësaj radhe u anashkalua segmenti i rezistencës kombëtare

Në ambientet e Medresesë së mesme “Alauddin”, me një program të pasur kulturor, u shënua 68-vjetori i themelimit të këtij institucioni. Në këtë solemnitet morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, drejtori i Medresesë, Jakup ef. Çunaku, stafi mësimdhënës dhe nxënës.

Në këtë përvjetor, nuk u fol asnjë fjalë lidhur me kontributin konkret kombëtar të nxënësve të kësaj Medreseje, në vitin 1965-1966  dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Me qëllim për t i njoftuar gjeneratat e reja të medresistëve po u sjellim disa të dhëna për rolin dhe kontributin që i kanë dhënë kombit e atdheut disa nga medresistët, tashmë të harruar nga Drejtoria e kësaj shkolle.

 

( Disa  fragmente të shkëputura  nga fejtoni në dorëshkrim i Ahmet Qeriqit, për Medresenë Alauddin, i cili do të botohet së shpejti në faqen zyrtare të Radios-Kosova e Lirë).

Më 1 nëntor të vitit 1951 ka filluar mësimi në Medresenë Alauddin në Prishtinë

 

Këshilli Ekzekutiv i Këshillit Krahinor për Kosovën e Metohinë me vendimin Nr. 29503, të datës 26.06.1949, me kërkesë të kreut fetar dhe të popullatës me besim islam, kishte dhënë pëlqimin e hapjes së Medresesë së ulët në Prishtinë. Megjithatë, për shkaqe teknike( për shkak të mungesës së lokalit), medreseja nuk ia filloi punës deri në vitin shkollor 1951-52, saktësisht më 1 nëntor të vitit 1951). Ndërtesa e saj qe vendosur në lokalet e një ish- mejtepi, që gjendej buzë lumit të Vellushës së Epërme në oborrin e Xhamisë, “Alaud-din” të Prishtinës.

Medreseja e ulët e Prishtinës, filloi punën mbi bazën e plan-programit të miratuar nga KBI (Kryesia e Bashkësisë Islame). Në këtë medrese do të mësonin nxënës nga republikat e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo ishte medreseja e parë që do të funksiononte, duke pasur bazë mësimi gjuhën shqipe. Pranë medresesë ishte ndërtuar dhe konvikti, për nxënësit meqë një pjesë e madhe e tyre ishte nga viset shqiptare të mbetur nën Jugosllavi. Ndërsa mësimet zhvilloheshin mbi bazën e plan-programit mësimor, administrimi dhe jeta organizative në këtë medrese përcaktohej mbi bazën e një rregulloreje të posaçme që përfshinte 147 nene. Në bazë të këtij dokumenti percaktoheshin të gjitha normat e mbarëvajtjes së medresesë. Aty përcaktoheshin kompetencat e drejtorit, të edukatorëve, të kujdestarit të klasës, të mësimdhënësve etj.

Nxënësit e Medresesë së Ulët, “Alaud-din në Prishtinë” gjatë çdo viti shkollor zhvillonin mësimin në  2o deri 22 lëndë mësimore, dyfishin e të gjitha shkollave në Kosovë. Lëndët mësimore ishin: Kur’ani, Gjuha shqipe, Gjuha serbe, Gjuha turke, Gjuha arabe, Matematika, Fizika, Kimia, Higjiena, Botanika,  Akaidi, Fikhu, Ahlaku, ( Edukatë islame) Histori islame, Histori e përgjithshme, Gjeografi, Bukurshkrim, Imamat,  Bukurshkrim arabisht, Fiskulturë.

Orientimi kombëtar i medresistëve ishte shumë i shprehur, mbase më shumë se në shkollat  e tjera të Kosovës. Pikërisht për këtë e them me përgjegjësi se  në vitet 60 të shekullit 20, askund në shkollat e Kosovës nuk është lexuar më shumë literaturë e ndaluar nga Shqipëria sesa në Medrese. Vetëm tetë  muaj pas botimit të romanit “Lumi i vdekur” ai është lexuar ilegalisht në Medrese. Po ashtu ndër veprat më të lexuara, të cilat e them me përgjegjësi se i kanë lexuar shumica e medresistëve ka qenë romani Afërdita dhe romani  Pse, i Sterjo Spases, Lumi i vdekur, i Jakov Xoxës, Sikur t isha djalë, i Haki Spërmillit, Lulja e Kujtimit, e Foçion Postolit,  e prej vitit 1959 ka qenë romani, “Gjarpërinjtë e Gjakut” i Adem Demaçit,  të cilin e kishim fqinj të parë të dashur e të respektuar. Ishte i vetmi që nuk na ndëshkonte fizikisht kur topi binte në oborrin e tij. Ai na kthente topin dhe na porosiste të mos kalonin mbi mur, por të dilnim e të hynim në oborr nga dera, e cila nuk ishte edhe aq larg. Një fqinje ( një “inxhe” që nuk ia kam mbajtur mend emrin),  që na urrente, kur topthi binte atje, na shqyente dhe na gjuante sërish ashtu të shqyer  në oborrin e Shkollës.

Në vitin 1964, kur ende ishim larg gjuhës së njësuar të kombit, një hoxhë atdhetar, Mulla Sherif Ahmeti, na diktonte të shkruanin në gjuhën letrare, madje me pjesoren e zgjeruar, ashtu sikur dëgjonim të flitej në Radio-Tiranë. Tinës lexonin edhe vepra të Hafiz Ali Korçës, Ibrahim Dalliut, të Gjergj Fishës, Adem Demaçit. Kjo ishte Medreseja e asaj kohe. Një ndikim të theksuar kombëtar ushtronin mësimdhënësit e lëndëve shoqërore si: Ramadan Jusufi, Halil Vllahiu, e disa të tjerë.

Shikonim  filma, përcillnim pjesët teatrale, blinim gazeta e revista, përcillnim ngjarjet sportive dhe ishin në korrent të zhvillimeve shoqërore si të gjithë nxënësit e shkollave të tjera, edhe pse të papranuar dhe çuditërisht të përbuzur e të injoruar…

Medresistë kanë qenë të  izoluar  dhe të keqtrajtuar në krahasim me bashkëmoshatarët në shkollat e tjera.

Në Konviktin e Medresesë dalja në qytet ka qenë e lirë vetëm të martën pas dite, meqë ishte ditë tregu dhe ditën e diel pas dite. Ditëve të tjera dilej vetëm me leje dhe me arsyetim të faktuar. Dalja pa leje ndëshkohej me një racion  bukë, shpeshherë edhe me ndëshkim fizik, rrahje të duarve me vizore apo thupër.

E kishim të ndalura ta hiqnim nga koka kapelën gjatë daljes së qytet, andaj edhe ishim bërë objekt i përqeshjeve e cinizmit të bashkëmoshatarëve, të cilët na identifikonin dhe gjuanin me rromuze, “shikoj hoxhallarët”…

Kapelat, që i kemi bartur në kokë kanë qenë ato franceze të kohës dhe plisa të bardhë. Urrejtja e lehtë dhe e fortë kundër medresistëve ishte pjesë e qëndrimit zyrtar komunist, edhe pse Medreseja ishte shkollë e regjistruar, por nuk pranohej statusi i  njëjtë  me atë të shkollave të tjera. Kalimi prej medresesë në një shkollë laike nënkuptonte ri-provimin e të gjitha lëndëve, madje edhe të atyre shoqërore e shkencore. Medresistët mund të regjistroheshin me provime pranuese në Orientalistikë, apo edhe në Fakultete të tjera gjithnjë  me provime të shumta pranuese.

Gjeneratat e medresistëve të Prishtinës prej vitit 1959 e deri në vitin 1966, flas për kohën në të cilën kam qenë nxënës, kanë qenë nxënësit e vetëm të diskriminuar sa i përket të drejtave dhe lirive njerëzore, në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavinë e kohës. Përveç demonizimit të ushtronte regjimi, mbizotëronte një klimë e urrejtjes edhe nga shumica e bashkëmoshatarëve. Përballja me injorimin, përçmimin, urrejtjen, ishte një padrejtësi uloke e egër dhe aspak njerëzore. Edhe në këto kushte të injorimit dhe mospranimit, medresistët iu kanë përgjigjur idealistëve të kombit, sepse shumica kishte prejardhje nga kundërshtarët e regjimit jugosllav dhe kishte trashëguar edukatë të pastër kombëtare.

...Grupi i LRBSH-së në Medrese  ka qenë grupi i vetëm të rinjve, pikërisht në lagjen ku ishte edhe bërthama e Lëvizjes, Adem Demaçi, Tefik Sahiti, Sabri Novosella, Selatin Novosella, që kanë vepruar në kuadër të kësaj organizate.

Nga një grup prej më se 12 medresistëve, të moshës jo madhore janë dënuar: Ahmet Aliu, nga fshati Krojmir i Drenicës, me këtë mbiemër më  njihnin të gjithë në medrese. Mbiemri Qeriqi  iu kishte vënë familjes në vitin 1967. Isha dënuar fillimisht 1 muaj burg efektiv meqë isha i mitur. Në ankesën e Prokurorisë dënimi ishte rritur me dy muaj burg efektiv dhe 1 vit me kusht.

 Po ashtu një vit e gjysmë burg ka qenë i dënuar Imer Mehmeti nga Kremenata. Ai nuk ishte i mitur andaj edhe ishte dënuar më rëndë. Me nga një muaj ishin dënuar: Riza Gjoka nga Tuzi i Malit të Zi dhe Shemadin Akiti nga Zajazi i Kërçovës. Ishin maltretuar, rrahur e mbajtur në hetuesi edhe Mehmet Gashi, Januz Hoxha nga Bllaca i cili kishte pranuar angazhimin, por meqë ishte penduar nuk ishte dënuar me burg. Është marrë nën hetime dhe është maltretuar edhe Ali Isufi nga Dabishevci, mbase edhe Hasan Ballovci dhe disa medresistë të tjerë. Arrestimi ka ndodhur më 6 nëntor të vitit 1965, në orën tetë të mëngjesit, për shkak se dy anëtarë të grupit, Imer Hysiqi nga Shtimja, dhe Bajram Sadiku nga Reçaku,  në fillim të nëntorit të vitit 1965, kishin kaluar kufirin dhe ishin vendosur në Shqipëri ku edhe jetojnë aktualisht me familjet e tyre. Ata nuk ishin nxënës të medresesë por të Shkollës Ekonomike të Prishtinës.

Lidhja jonë me organizatën ka qenë përmes, Feti Mehdiut, i cili nuk ishte dekonspiruar. Fetiu ishte më i moshuar dhe më i përmbajtur. Unë kisha mohuar se ai më kishte drejtuar te Sabri Novosella, të cilin e kam vizituar dy herë në shtëpi. Sabriu nuk ka përmendur si anëtarë të organizatës asnjë nga medresistët. Mirëpo ne jemi  vetëdekonspiruar më vonë duke bërë përpjekje për riaktivizim që nënkuptonte afishimin e flamujve, flamurin kuqezi me apo pa shqiponjë, sepse ai qepej individualisht  dhe shkrimin e parullave si “Kosova asht Shqipëri”, etj.

Po kështu, duhet theksuar se në ato vite nuk pranohej statusi i shkollës së rregullt edhe pse dëftesa e medresistit e periudhës për të cilën po shkruaj kishte 20 deri në 22  lëndë, fetare, shoqërore e shkencore. Në krahasim me të gjitha shkollat e Kosovës, ne ishim nxënësit që në të njëjtën kohë kryenin dy shkolla, tetëvjeçaren dhe shkollën e ulët fetare. Merreni me mend sa kohë i ka kushtuar një nxënësi të medresesë, mësim,  1o deri 12 orë në ditë.

Medresistët e asaj kohe ishin nxënësit më të përgatitur, meqë përveç lëndëve të rregullta të tetëvjeçares në të njëjtën kohë mësonim edhe lëndët fetare, pastaj gjuhën arabe, e cila kishte orë javore po aq sa gjuha shqipe, në fillim ishte edhe gjuha turke, pastaj gjuha serbokroate, më vonë mbase edhe ndonjë gjuhë tjetër.

Askush deri sot nuk ka shkruar për këtë fenomen të nxënësve, jo të një gjenerate por më shumë se të dhjetë gjeneratave, të cilët gjatë një viti shkollor kanë kryer dy klasë, njërën me lëndë fetare, tjetrën me lëndë shkencore e shoqërore.

Pjesa dërrmuese e nxënësve që pranoheshin në Medrese meqë kishte numër të kufizuar vinte nga të gjitha trojet shqiptare, nga Ulqini, Kraja, Anamali, Plava, Gucia, Medvegja Presheva Kumanova, Shkupi, Tetova Zajazi Kërçova, Gostivari dhe pjesët e Kosovës.  Në gjeneratën e viti 1959-1960, nga rreth  70 nxënës sa kishte medreseja ishin nga më shumë se nga 35 fshatra e qytete të trojeve shqiptare nën Jugosllavi si: Plavë, Guci, Ulqin, Tuz, Gostivar, Tetovë, Zajas, Kumanovë, Preshevë, Medvegjë, Besianë, Prishtinë, Mramor, Dabishevc, Surkish, Ballovc, Krojmir, Kizharekë, Belinc, Godanc, Pjetërshticë, Firajë,  Pejë, Novosellë, Gjakovë, Prizren, Zhur, Bllacë e Therandës, Kaçanik, Zajaz, Gjilan, Zhegër, Ivajë, Vërboc, Gjilan…

….

Medresistët në UÇK

Shumë nga medresistët që iu bashkuan luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë. Po të krahasohet me numrin e përgjithshëm të shkollave, Medreseja e Prishtinës tejkalon çdo shkollë në Kosovë me numrin e të rënëve dëshmorë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A nuk është një fakt ky, që tregon  se ata dinjitarë të lirisë kishin marrë armën, në radhë të parë për kombin, pastaj pse jo edhe për fenë, kujt mund t i ketë prishur punë kjo?

Kjo është lista e dëshmorëve të UÇK-së  që zyrtarisht ishin pjesë e institucioneve të BIK-ut ose nxënës të Medresesë, por nuk është lista e plotë.

Abdullah Muqaj, Abidin Myrtezi, Alban Xhemajli, Arben Hyseni, Arif Shala, Asan Hasallari, Behar Abdylmexhiti, Beqir Krasniqi, Fadil Rashiti, Feti Sofi, Habib Hoxha, Hajdin Aruqi, Hajrullah Bega, Halim Bajraktari, Hysen Zeka, Isak Mazreku, Ismail Mziu, Ismet Limani, Januz Zejnullahu, Muhamed Biqku, Muhamet Ukshini, Muharrem Gashi, MustafeVeseli, Nisret Ajdari, Nuhi Ismajli, Nysret Musa

(Ramadan Shkodra, Sadik Mehmeti, Agim Gashi: Monografi, Botoi BIK-Prishtine 2010.)

 

Në luftën e UÇK-së  kanë rënë edhe Selim Selimi,  Fadil Rashiti e të tjerë. Ndërsa në radhët e luftëtarëve të lirisë kanë qenë qindra ish medresistë nga gjeneratat e shumta.

Po të mos kishte pasur klimë kombëtare në Medresenë e Prishtinës, asnjë medresist nuk do t’ iu kishte bashkuar luftës, ashtu sikur nuk iu bashkua asnjë prift katolik, asnjë prift  ortodoks i Shqipërisë,  për priftërinj   e kam fjalën jo për katolikët atdhetarë, të cilët kanë rënë edhe dëshmorë.

Një numër jo i vogël nga shkollat e tjera fetare në Kosovë e Maqedoni kanë rënë edhe në luftën e UÇPMB-së dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, në mesin e tyre edhe Komandanti i parë i kësaj lufte, Harun Aliu, i martirizuar në pritë nga forcat sllavomaqedone në Radushë të Shkupit, në vitin 2012.

( Pjesë dhe fragmente  nga fejtoni në dorëshkrim i Ahmet Qeriqit, për Medresenë Alauddin, i cili me disa foto dhe ilustrime do të botohet së shpejti në faqen zyrtare të Radios-Kosova e Lirë).

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …