Sheradin Berisha: Cilat ishin akuzat e Ibrahim Rugovës kundër UÇK-së?!

 


Çka i thotë Ibrahim Rugova, presidentit Klinton, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?!

Ndonëse takimi i Ibrahim Rugovës me varrmihësin e shqiptarëve Sllobodan Millosheviq futi huti dhe shkaktoi indinjatë të thellë te populli shqiptar në Kosovë e gjetiu, diplomacia amerikane për ta relaksuar këtë gjendje të krijuar, bëri një hap diplomatik në favor të Rugovës.
Cili ishte ky hap “relaksues” diplomatik?
Ambasadori Richard Holbrook, pas takimit të Ibrahim Rugovës me Sllobodan Millosheviqin në Beograd (më 15 maj 1998, dhe takimit të radhës Prishtinë – Beograd më 22 maj në Prishtinë), më 29 maj 1998, Rugovës ia kishte aranzhuar një takim me presidentin amerikan Bill Klinton në Washington.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Klinton pret një delegacion nga Kosova të përbërë nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi dhe Veton Surroi. Në këtë takim, Ibrahim Rugova para presidentit Klinton bën një varg akuzash në adresë të Qeverisë së Shqipërisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rugova me këtë rast z. Klinton i thotë se Qeveria e shqipërisë „është krejtësisht në krahun e grupeve të armatosura (UÇK-së – vërejtja ime). Ajo edhe mund të jetë frymëzuese e tyre, ndoshta edhe organizatore.“ Ndërsa për UÇK-në thotë se janë: „Grupet e armatosura në Kosovë”,”kanë pikëpamje të majta“ dhe „drejtohen nga njerëz që edhe sot e kësaj dite kanë nostalgji për ish figura të njohura komuniste. Si për shembull për Enver Hoxhën, i cili ka qenë diktator i madh komunist“.

Për më tepër, ky njeri që veten e quante ”president” të Republikës së Kosovës, para presidentit Klinton, e akuzon Shqipërinë edhe për radikalizimin e gjendjes në Kosovë!“Nga Shqipëria janë futur armë edhe mjete të tjera. Futen njerëz, futet gjithçka. Kjo e radikalizoi gjendjen dhe mund të shkojë edhe më tutje drejt eskalimit.“ i ka thënë me mburrje Ibrahim Rugova, presidentit amerikan. Dhe këto akuza ndjellakeqe Rugova po i bënte pikërisht në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po fuqizohej me ushtarë të rinjë e armatim të sjellur nga Shqipëria, duke kaluar me rreziqe të mëdha nëpër kufirin shqiptaro – shqiptar.
Më 2 shkurt 1999, Agjencia Shtetërore Informative “Kosovapres”, duke iu referuar Drejtorisë së Shërbimit Informativ të UÇK-së, ka publikuar një pjesë të bisedës Rugova-Klinton, të zvilluar në datë 29 maj 1998 në Shtëpinë e Bardhë në Washnigton.

Pas përfundimit të takimeve në SHBA “presidenti” Ibrahim Rugova, gjatë kthimit për në Kosovë është ndalur në Itali, ku është takuar me Ministrin e Jashtëm italian Lamberto Dini, por agjenda e takimit të tyre nuk është bërë publike asnjëherë. Sa për ilustrim, Lamberto Dini ishte njëri nga miqtë e Sllobodan Millosheviqit, të implikuar në aferën e Telekomit serb, përkundër faktit, që ndaj Serbisë ishte në fuqi muri i jashtëm i sanksioneve ndërkombëtare. Këtë aferë italiano-serbe e ka bërë të njohur gazeta prestigjioze italiane “La Repubblica” (shkurt 2001)

Për shkak të interesave financiare, politike etj, diplomacia italiane në krye me Lamberto Dinin e mbronte dhe mbështeste Serbinë në qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare. Për më tepër, gjatë kohës kur NATO e bombardonte Serbinë (mars-qershor 1999), shefi i diplomacisë italiane L.Dini, Millosheviqit do t’ia jepte (paraprakisht) të gjitha planet sekrete të NATO-s, se cilat caqe serbe do të bombardoheshin nga aeroplanët e aleancës. Madje, gjatë kësaj kohe përmes kryeministrit italian Massimo D’Alema dhe ministri të jashtëm Lamberto Dinit, qeveria italiane, bëri presione të dukshme për një armëpushim të bombardimeve kundër Serbisë gjatë periudhës që koincidonte me Pashkët e vitit 1999 (!!!)
Duke pasur parasysh këto raporte Serbi – Itali, nuk ishte e rastësishme as marrëveshja interne e qeverisë italiane me Sllobodan Millosheviqin për “lirimin” e Ibrahim Rugovës nga “arresti shtëpiak” ( maj 1999) dhe shkuarja e tij me aeroplan special( të siguruar nga qeveria italiane) nga Beogradi për në Itali. (Për këtë çështje do të bëjmë fjalë në një kapitull të veçantë)

Çfarë akuzash thurte Ibrahim Rugova në adresë të UÇK-së?!

Vetë fakti që Ibrahim Rugova në takimin e tij me presidentin amerikan Klinton, më 29 maj 1999 në Washnigton, njësitë e UÇK-së i ka cilësuar si “grupe të armatosura” që “kanë pikëpamje të majta”, pra janë nga ata që kanë patur “ide të majta” dhe se ”drejtohen nga njerëz që edhe sot e kësaj dite kanë nostalgji…për Enver Hoxhën…”, flet qartë se “presidenti”i Republikës së Kosovës ka qenë shumë mirë i informuar, se në krye të UÇK-së janë njerëzit e sakrificës, janë pikërisht ata burra të cilët në periudhën e Titos kishin vuajtur nëpër burgjet jugosllave, ndërkohë që ai personalisht (Rugova) i gëzonte të gjitha privilegjet politike, intelektuale etj., po nga ky sistem i egër antishqiptar.
Përkundër faktit që Ibrahim Rugova, dinte gjithçka për UÇK’në, ai shpeshherë e mohonte ekzistimin e saj, dhe duke e bërë inekzistent UÇK’në, nuk hezitonte ta akuzonte këtë ushtri çlirimtare edhe me lloj-lloj kualifikimesh e epitetesh të çuditshme.
Për të argumentuar këtë gjë, po i referohem disa deklaratave të tij, të botuara në shtypin e kohës.
Më 22. 06. 1996, në gazetën „Rilindja“ Ibrahim Rugova deklaron: “Mendoj se nuk ekziston UÇK-ja“. Meqë ato ditë njësitet e UÇK-së kishin vrarë një polic serbë dhe ajo e kishte marrë përgjegjësinë për këtë atentat, Rugova përpara gazetarëve thotë: “Ne nuk kemi informata se ekziston një organizatë e tillë dhe letrat që dërgohen (aludonte në ato për marrjen e përgjegjësisë) janë pa kurrfarë identiteti dhe pa kurrfarë rëndësie, pos që ta rëndojnë situatën në Kosovë dhe të pengojnë zgjidhjen politike të çështjes në Kosovë. Unë mendoj se nuk ekziston një organizatë e tillë“.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur më 1 nëntor 1996, në pyetjen e gazetarit, për marrjen e përgjegjësisë nga UÇK’ja, të një vrasjeje në Surkish të Podujevës, Ibrahim Rugova përgjigjet: ”Ne nuk jemi në dijeni se në Kosovë veprojnë forca të tilla, por ata kanë për qëllim të keqësojnë edhe më shumë gjendjen në Kosovë dhe të krijojnë tensione të reja”. (Lexo “Bota Sot” 2 nëntor 1996)
Ibrahim Rugova duket se ka gënjyer, kur deklaronte se “nuk ekziston UÇK-ja” për faktin sepse ai ka pasur shumë informata për ekzistencën dhe aksionet e UÇK-së. Se Rugova e ka ditur, se, kush po i kryente këto arsione, këtë gjë e pohon edhe znj.Edita Tahiri njëra nga bashkëpunëtoret e tij. Në një intervistë të botuar në librin „Libri i lirisë“, fq.224, në pyetjen për aksionet e sinkronizuara të UÇK-së dhe se çfarë është biseduar për këtë gjë në Kryesinë e LDK-së, Edita Tahiri përgjigjet (po citoi): “…ne e kemi ditur se nga vijnë këto aksione. Kemi pasur kontakte me Sali Çekun, i cili ka qenë udhëheqës i aksioneve që janë zhvilluar në pjesën e Dukagjinit. Pastaj me kontaktet e pjesëve të tjera të Kosovës, kemi qenë të njoftuar për aksionet që zhvilloheshin në Drenicë, Llap dhe në pjesë të tjera, si dhe është ditur për Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e për figura të tjera që kanë qenë bartës të këtyre aksioneve…” – përfundon citati. Rrena thonë i ka këmbët e shkurta!
Kah mesi i janarit 1997 kur UÇK’ja kreu një atentat kundër rektorit famëkeq të UP-së Radivoje Papoviq, në konferencën me gazetarë, të mbajtur më 24.01.1997, Ibrahim Rugova lidhur me këtë rast deklaron (po citoi): „Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK’je. Dënojmë edhe njëherë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë, si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI dhe INTERPOL-i, të shihet se çfarë ishte ai shpërthim mjaft i sofistikuar. Po ashtu dënojmë edhe rastet e vrasjet që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre“ – përfundon citati. (Lexo: Gazeta “Rilindja”, 25. 01. 1997)

Të gjithë me indinjatë i kujtojmë ato ditë, pas 24 janarit 1997, kur UDB’a serbe ndërmori një fushatë të egër burgosjesh, e cila rezultoi me vrasjen e tre luftëtarëve të UÇK-së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës, në 31janar 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë. Në një intervistë që u botua më 9 shtator 1997 në gazetën „Frankfurter Rundshau“, ( në të njejtën ditë e publikoi edhe QIK-u), në pyetjen e gazetarit mbi UÇK-në, e cila që nga prilli i vitit 1996 kreu disa atentate ndaj policisë serbe, Ibrahim Rugova do të përgjigjet, se: ”Nuk di se kush është prapa asaj lëvizjeje. Mund të jetë që këtë ta kryejnë shërbimet serbe me qëllim që në këtë mënyrë ta diskreditojnë çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në mënyrë „që të duket se shqiptarët janë terroristë“. Madje në një gazetë tjetër gjermane “Faz”, Ibrahim Rugova, pa hezitim thotë se: ”Krahas UÇK’së, serbët kanë sajuar edhe frontin e çlirimit kombëtar dhe një lëvizje për çlirimin e Kosovës” (!!!) ( Lexo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Dokumente dhe artikuj), botimi dytë, prill 1998, faqe 181)

Disa spekulime flasin për krijimin e saj (UÇK-së) nga shërbimet sekrete serbe – thotë Rugova

Më 1 dhjetor 1997 Ibrahim Rugova gjatë qëndrimit të tij në Bruksel dha një intervistë për gazetën belge “Le Soire” dhe në pyetjen e gazetarit Eduard Van Velthem, lidhur me sulmet kundër policisë serbe në Kosovë, siç thotë ai „të një ushtrie misterioze e quajtur UÇK“, Ibrahim Rugova thekson me bindje, se “nuk ka asnjë informacion për ekzistimin e një organizate të tillë. Disa spekulime flasin për krijimin e saj (UÇK-së) nga shërbimet sekrete serbe, për të pasur pretekst për një intervenim brutal dhe për të diskredituar imixhin tonë joviolent.” No coment !!!
Në një tjetër intervistë dhënë të përjavshmes zvicrane „Facts“ (botuar edhe në gazetën „Rilindja“, më 15. 12. 1997), në pyetjen e gazetarit: “Që nga viti 1996 u paraqitën disa sulme të armatosura në stacionet policore dhe përgjegjësinë për këto sulme e merr UÇK- ja. A paraqet kjo një faktor të ri politik?”, Ibrahim Rugova përgjigjet: “Ne nuk kemi kurrfarë informatash lidhur me një organizate të tillë. Sipas të gjitha gjasave është fjala për disa individë të frustruar. Parimisht është i pamundur konstituimi i një organizate të tillë, ngase ne jemi të kontrolluar rigorozisht në çdo rrafsh njerëzor. Në shtëpitë shqiptare nuk ka armë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund t’i shërbejë regjimit serb si pretekst për një fushatë të re represive në Kosovë. Elementet me papërgjegjësi shoqërore regjimi serb i përdorë për qëllime të veta
Ibrahim Rugova përveç baltosjes së UÇK-së në mënyrat më të ulëta njerëzore, nuk hezitonte që të jap edhe mesazhe me karakter friksues në popull.
Ja një shembull.
Më 5 – 7 mars 1998, gjatë kohës kur po vazhdonte operacioni i përgjakshëm i ushtrisë e policisë serbe në Prekaz të Drenicës, (me ç’rast u vranë barbarisht tërë familja e Shaban Jasharit në krye me komandantin legjendar Adem Jashari), në një emision të radios “Deutche Wele”, (datë 07. 03. 1998) u emitua një intervistë e Ibrahim Rugovës dhënë gazetës gjermane ”Der Spiegel”. Në pyetjen e gazetarit: ”A mund të ndalohet fillimi i një lufte në Kosovë?” Rugova përgjigjet: ”Një luftë normale nuk do të ketë, – dhe vijon – “mund të ketë vetëm masakër. Për nga këndvështrimi ushtarak, ne nuk do të kishim kurrfarë shansi, për dy ditë do të mund të na shkatërronin të gjithëve.“

Në pyetjen tjetër se “edhe shqiptarët po kryejnë akte terroriste?” “- Nuk e përjashtoj ekzistencën e një grupi shqiptarësh të mllefosur. Mirëpo, njëkohësisht jam i bindur që spekulimet lidhur me një ushtri çlirimtare dhe veprat e kryera prej saj janë ireale, përgjigjet Rugova, – duke shtuar se ai është i bindur për inolvimin e shërbimit sekret serb në këtë çështje se vetë e marrin UÇK-në si pretekst për vrasjet mbi popullatën shqiptare.” (Lexo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Dokumente dhe artikuj), botimi dytë, prill 1998, faqe 239/240) Në këtë prononcim lidhur me UÇK-në Rugova theksoi: “Sa i përket këtij grupi unë ende po bëj hulumtime për të zbuluar se kush janë ata dhe nëse ekzistojnë, por kjo mund të jetë lojë serbe”. (Lexo Nikë Xheloshi-Kosova 1999…Tiranë 2002, fq.146-147)

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …