Brickos

Shkëlzen Hilmi Haradinaj (25.3.1970-16.4.1999)

Shkëlzen Hilmi Haradinaj (25.3.1970-16.4.1999)

Në luftën e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk qenë shumë të rralla as familjet shqiptare, të cilat vunë gjithçka në shërbim të saj, edhe duke u radhitur i madh e i vogël në radhët e UÇK-së. Duke pasur si bosullë orientuese shembullin legjendar të sakrificës të familjes Jashari të Prekazit, ato u bënë familje emblematike, me të cilat identifikohet jo vetëm Kosova e çliruar, por edhe mbarë kombi shqiptar. Në radhën e këtyre familjeve emblematike shqiptare bën pjesë edhe familja Haradinaj, nga Gllogjani i komunës së Deçanit. Në gjirin e saj u rritën dy dëshmorët e kombit, Luan Haradinaj e Shkëlzen Haradinaj dhe katër gjeneralët e famshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Luani, Shkëlzeni, Ramushi e Dauti, bij të prindërve Hilmi e Rukë Haradinaj. Si ushtarë të lirisë, në shumë beteja, të zhvilluara në Gllogjan e në fshatrat përreth, morën pjesë edhe dy djemtë e tjerë të Hilmiut, Enveri e Frashëri, motra e tyre Mejremja, si dhe vetë ai.
Dëshmori Shkëlzen Haradinaj ka lindur më 25 mars të vitit 1970, në Gllogjan. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në fshatin Rrezarë. Meqenëse nevojat ekonomike të familjes kërkonin angazhimin e tij, Shkëlzeni nuk kishte mundësi të vazhdonte studimet. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, në vitet 90, ai ndihmoi të atin, i cili punonte në një dyqan, në Rrezarë.
Vorbulla e lëvizjes së rezistencës kombëtare, të cilën, si kudo në Kosovë edhe në këtë pjesë të saj, e kishte çelikosur gjaku i bijve të kësaj treve, dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Shkëlzenin e tërheq që në moshën e hershme të rinisë. Përveç vëllezërve, Ramushit e Dautit, të cilët, po ashtu ishin bërë pjesë e kësaj lëvizjeje, në rrethin e shokëve të tij të idealit bënte pjesë një numër i madh të rinjsh, ndër të cilët, përveç vëllezërve Luanit e Ramushit, edhe Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Gazmend Mehmetaj, Bujar Haradinaj, Ali Haxhosaj, Myrtë Zeneli, Agron Mehmetaj, Naser Brahimaj, Lahi Brahimaj e atdhetarë të tjerë. Në vitet 1989 e 1990, kur populli i Kosovës po ballafaqohej me formën e egër të shtypjes serbe, pas heqjes së autonomisë formale të Kosovës, ai mori pjesë në protestat e organizuara në Deçan e në vende të tjera, duke dhënë provat e para të luftimit të pushtuesit serb. Duke pasur një ndërgjegje të lartë kombëtare, Shkëlzeni kishte arritur ta kuptonte me kohë se çlirimi i Kosovës do të mund të bëhej vetëm me zjarrin e luftës së armatosur dhe kurrsesi me fraza të filozofisë së kristianizmit pacifist e nënshtrues. Prandaj, që në vitin 1993, anëtarësohet në njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat ishin formuar në trevën e Dukagjinit. Në organizimin e këtyre njësiteve, krahas Shkëlzenit, një rol të pazëvendësueshëm kishte edhe vëllai i tij, Luani, përmes të cilit ai ishte njohur me figura të shquara të UÇK-së, nga vise të ndryshme të Kosovës, siç ishin dëshmorët Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, Mujë Krasniqi, Naser Brahimaj, por edhe udhëheqësit e tjerë, si Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Rexhep Selimi e të tjerë. Në periudhën e veprimit ilegal të UÇK-së, shtëpia e Hilmi Haradinajt ishte bërë bazë e fuqishme e saj, prej ku luftëtarët e lirisë niseshin në aksione sulmi kundër njësiteve të policisë e të ushtrisë serbe. Në shumë prej këtyre aksioneve mori pjesë edhe Shkëlzeni, siç janë rastet e sulmeve mbi stacionet policore në fshatrat Irzniq, Baballoq e të tjera, që nga viti 1995 e deri në fillim të luftës. Më 29 gusht të vitit 1995, në stacionin e policisë serbe në Irzniq u vranë 2 policë dhe u plagosën 4 të tjerë. Ndërsa, brenda vitit 1997, (në muajt gusht, shtator e nëntor), Shkëlzeni mori pjesë në një sërë aksionesh guerile kundër këtyre forcave pushtuese. Një aksion i tillë, kundër forcave serbe u ndërmor edhe më 27 nëntor të vitit 1997, një ditë pasi në afërsi të Llaushës në Drenicë, te vendi i quajtur Klisyrë, trimat e komandantit legjendar, Adem Jashari, u dhanë një grusht të rëndë forcave militare serbe, që po shkonin për të arrestuar luftëtarin Abedin Rexha.
Me rastin e sulmit serb mbi Prekazin, kundër komandantit Adem Jashari, më 5 mars të vitit 1998, njësitet e UÇK-së, ku bënte pjesë edhe dëshmori Shkëlzen Haradinaj, vetëm brenda një nate, në zonën e Dukagjinit ndërmorën 22 sulme të armatosura kundër forcave serbe. Në këtë mënyrë, armikut iu bënë të qarta përmasat e organizimit të UÇK-së, si dhe vendosmëria e saj për t’iu përgjigjur atij në çdo cep të Kosovës.
Edhe pas fillimit të luftës frontale në zonën e Dukagjinit, më 24 mars të vitit 1998, e deri në rënie, Shkëlzeni u dëshmua luftëtar i pakompromis kundër pushtuesit serb, duke marrë pjesë në betejat e njëpasnjëshme, në Lug të Baranit, në Rekë të Keqe e në Lug të Drinit. Arma e Skifterit, apo e Xenit, siç quhej ai me emrat e luftës, shkrepi në Gllogjan, Lumbardh, Shqiponjë, Smolicë, Junik, Gërgoc, Kralan, Pozhar, Maznik, Baballoq, Gramaqel, Ratishë, Dashinofc, Kotradiq, Osdrim e ku jo në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit. Në betejën e Gllogjanit, më 24 mars të vitit 1998, e cila shënoi fillimin e luftës kundër militarëve serbë në zonën e Dukagjinit, dëshmori Shkëlzen Haradinaj u shqua me aftësi të rralla organizative e ushtarake. Përkrah vetes kishte shumë bashkëluftëtarë, si Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj, Himë Haradinaj, Bujar Haradinaj, por edhe vëllezërit, Ramushin, Dautin, Enverin e Frashërin, motrën, Mejremen, si dhe babanë, Hilmiun. Në këtë betejë, armiku pësoi humbje të theksuara. Pas kësaj beteje, ai shtoi aktivitetin në drejtim të zgjerimit të vijave të frontit, si dhe të organizimit ushtarak në këtë zonë, në përgatitje për luftime të reja.
Kur forcat serbe sulmuan pozicionet e UÇK-së në fshatrat Gramaçel e Baballoq, në mesin e shumë luftëtarëve të pathyeshëm të lirisë, Ramiz Batusha, Zenun Mataj (që të dy dëshmorë), Naser Morina, Lulëzim Morina, Maliq Ndrecaj, Ilir Foniqi e të tjerë, ishte edhe Shkëlzeni. Në luftë e sipër ai mori plagë mjaft të rënda. Ndonëse me plagë të pashëruara, ofensiva e egër serbe, e ndërmarrë në muajt korrik e gusht të vitit 1998, atë e gjeti në vijën e frontit. Në këtë kohë, Shtabi Operativ i UÇK-së i Zonës së Dukagjinit, po ballafaqohej edhe me veprimtarinë subversive të grupit dezertues të Tahir Zemajt, i cili ishte shef i këtij shtabi. Shkëlzeni ishte ndër luftëtarët më këmbëngulës për ta vazhduar rezistencën, me gjithë dëmin e madh që sabotuesit e luftës i sollën UÇK-së në këtë zonë.
Pas ikjes nga Kosova dhe dezertimit nga lufta, të Tahir Zemajt me përkrahësit e tij, në shtator të vitit 1998, Shkëlzeni, së bashku me vëllezërit, Ramushin, i cili deri atëherë kishte qenë zëvendësshef i Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, Dautin, Bujar Haradinajn, Luan Nimanajn, Fatmir Nimanajn, Hasim Halilajn e me dhjetëra luftëtarë të tjerë, bëri riorganizimin dhe konsolidimin e UÇK-së në këtë zonë. Në këtë kohë ai u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ndihmëskomandant i Mbrojtjes Territoriale të Zonës Operative të Dukagjinit. Për merita të dëshmuara, në zhvillimet e mëtejme, në nëntor të vitit 1998, ky shtab e ngarkoi atë me detyrën e ndihmëskomandantit për operacione luftarake në ZOD. Tashmë në këtë zonë ishte formuar dhe vepronin brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, brigada 132 “Myrtë Zeneli” e Brigada 134, kurse ishte në formim e sipër edhe brigada 133 “Adrian Krasniqi, e cila do të operonte në pjesën veriore e verilindore të Rrafshit të Dukagjinit. Pjesëtarët e këtyre brigadave ndërmorën sulme në shumë vendpozicionime të armikut. Në një sulm të tillë, në fshatin Dujakë të Gjakovës, Shkëlzeni vrau disa policë serbë, duke u plagosur edhe vetë për të dytën herë. Plagë të reja do të marrë edhe në luftimet e zhvilluara në frontin e Ratishës, të cilat zgjatën disa ditë rresht, në janar të vitit 1999.
Në fillim të prillit të vitit 1999, kur në trevën e komunës së Deçanit e të Gjakovës u zhvilluan luftime të ashpra, Shkëlzeni organizoi tërheqjen e ushtarëve të plagosur në drejtim të Burimit (ish-Istogut), ku vepronte brigada 133 “Adrian Krasniqi”. Në këtë rast ai komandoi njësinë e pararojës për të mundësuar transferimin e këtyre ushtarëve në një terren më të sigurt. Disa ditë më vonë, Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet u kthye në malet e Maznikut, ku ndodhej e strehuar popullata civile, e cila ishte vënë nën rrethimin e armikut. Ai fillon luftimet për të çarë këtë rrethim. Në shkëmbim të zjarrit me armikun, më 16 prill të vitit 1999, bie për lirinë e Kosovës, për të cilën kishin luftuar shumë breza atdhetarësh shqiptarë. Në të njëjtën fushë të betejës, nga plumbat e armikut ranë edhe dëshmorët Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj dhe Hasim Halilaj, që të tre nga fshati Gllogjan. Trupat e këtyre dëshmorëve të kombit u varrosën në vendin e rënies, në malet e Maznikut. Katër muaj më vonë, më 24 gusht të vitit 1999, ata u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Dëshmori Shkëlzen Haradinaj kishte 6 vëllezër e tri motra: Ramushin, Luanin, Dautin, Enverin, Frashërin, Vetonin, Mejremen, Valbonën dhe Antigonën. Ai ka lënë bashkëshorten, Syzanën dhe dy djemtë, Shqipdonin e Luanin, i cili e ka trashëguar emrin e axhës dëshmor, Luan Haradinaj. Familja e tij ruan për kujtim shenjat e madhështisë e të trimërisë së dëshmorit, jelekun antiplumb, uniformën e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, një rrip xherdani, orën e dorës, me të cilën, sa e sa herë e kishte matur çastin e arritjes së lirisë e gjëra të tjera.
Dëshmori Shkëlzen Haradinaj është shembull i luftëtarit trim e i heroizmit atdhetar. Figura e tij shndrit si yll i përjetshëm në qiellin kombëtar shqiptar. Emrin e këtij dëshmori të graduar pas rënies, nga SHP i UÇK-së, me gradën gjeneralkolonel, e mori Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit. Emri i dëshmorit Shkëlzen Haradinaj, sikurse edhe i bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë, sot rrezaton madhështi në Kompleksin Memorial në Gllogjan. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …