Gjyq

Shpallen të pafajshëm imamët: Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami, si dhe Fuad Ramiqi

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ka bërë të ditur sot në seancën gjyqësore se pas një procesi të gjatë, gjykata nuk ka vërtetuar gjendjen faktike ashtu siç ka figuruar në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit andaj në mungesë të provave ka  liruar nga të gjitha akuzat, imamët: Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami, si dhe politikanin e veprimtarin, Fuad Ramiqi. Në këtë rast, imamët Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami, si dhe Fuad Ramiqi akuzoheshin për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë.

Sipas aktakuzës, e cila ishte ngritur për qëllime politike, për të vërtetuar se si organet e ndjekjes në Kosovë po ndiqnin imamët e quajtur të radikalizuar, thuhej se Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin, në Siri. Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohej se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri. Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë. Fuad Ramiqi akuzohej  se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. (KALLXO.com)

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …