Shpend Sefer Berisha (27.6.1960 – 31.5.1999)

Shpend Sefer Berisha (27.6.1960 – 31.5.1999)

Se ç’rëndësi historike për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte thyerja e kufirit që ndante vëllazërit e një nëne, flet gatishmëria e grupit të Muhamet Malësorit me shtatë studentë të Krushës së Madhe, vendosmëria e grupit të Mujë Krasniqit me dyzetë dëshmorë, trimëria e Agim Zenelit të pythyeshëm që t’i shpartallojë paramilitarët në Rogovën e Hasit, gatishmëria e Zef Markalleshit prej Vraniqi të Dushkajës që për thyerjen e Pashtrikut t’i dërgojë të gjithë djemtë e të mos i kthehen as Preni e as Mema, flet edhe gatishmëria e djelmoshave nga Tetova, Gostivari, Kumanova, Medvegja, Bujanoci e Presheva në krye të të cilëve prinin djelmoshat nga Shqipëria: Tahir Sinani, Arian Brahimi, Indrit Cara, Halit Coka, Dinë Koleci, Naim Qema, Bilbil Breçani, Artan Kovaçi, Adem Mazreku, Skerdilajd Llagami, Lefter e Ndriçim Bica, Agim Muja, Arif Dautaj, Besnik Brati, Halim Bardhi, Enver Vila, Fatmir Doçi, Hazir Mala, Hamdi Mulaj, Isa Malaj, Mehriman e Xheladin Dautaj, Qazim Dautaj, Ramë Gecaj, Xhemë Bardhoshi, Xhevat Lleshi, Osman Lleshi e shumë djelmosha të tjerë. Këtë rëndësi e dinte edhe plejada e guximtarëve të Betejës së Gurrazhubit që me gjak i lau gurët dhe karakollet e kufirit të mallkuar në fundmajin e vitit 1999 dhe u flijuan aty ku me shekuj i vëllai ndahej prej të vëllait e këta ishin: Astrit Suli i Luzajt të Lumasit të Beratit, Flurim Rushiti, Ejup Kasumi, Aliriza Selmani, Abdurrahman Gërdellaj, Bafti Haxhiu, Beron Gashi, Safet Peci, Salih e Gani Saramati, Selver Maçkaj, Zejnullah Zena, Xhelal Sopi dhe Shpend Berisha.
Dëshmori i kombit Shpend Berisha, i Seferit dhe i nënës Naile të Bytyçëve të Dejnit të Anadrinit, i vëllai i Zymës, Lushit, Zekës, Mehmetit, Hysenit, Skënderit, Mustafës e Xhevatit, bashkëshort i Florie Bytyçit prej Kromnikut të Anadrinit, babë i Seferit, Liridonit, Arbnores dhe i Dinores, është i lindur në Valijak të Klinës, më 27 qershor të vitit 1960, në një familje të shquar për qëndrimin që përherë kishte ndaj çdo pushtuesi të këtyre trojeve. Ai u rrit duke dëgjuar rrëfime për vrasjet e viteve 1919, si në Zatriq ashtu edhe në Valijak, rrëfimet për Xajë Pataçanin, Malë Bashotën e Mustafë Ibishin, e këngë për heroizmin e Nak Berishës, Kamer Loshit e Ahmet Delisë. Gjatë shkollimit në Shkollën e Mesme Bujqësore që asokohe punonte në Sferkë, Shpendi merr pjesë në të gjitha protestat. Organet serbe të pushtetit e ndiqnin, por nuk arrinin ta zënë e në vend të tij ata e zunë të vëllain, Lushin, të cilin e rrahën disa herë, prandaj menjëherë pas kryerjes së shkollës fillore e të mesmen, Shpendi vendosi të marrë rrugën e kurbetit në mënyrë që, t’u shpëtojë ndjekjeve, atje ta sigurojë kafshatën e gojës por edhe të pajiset me mjetet e nevojshme materiale, sepse ai e kishte të qartë se populli shqiptar do të shkundet prej pluhurit të robërisë. Për vend të qëndrimit në kurbet zgjodhi Shtutgardin. Edhe pas mërgimit të Shpendit, familjes Berisha nga Valijaku nuk i ndalen keqtrajtimet, veçanërisht ato të inspektorit Vaskë Mogiqi prej Binçe. Menjëherë pas rënies në kontakt me grupet për mobilizimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjermani, Shpendi kontakton me organizatorët. Me të nisur rezistenca e armatosur në Prekazin e Komandantit Legjendar Adem Jashari e në Gllogjanin e Luan Haradinajt, Shpend Berisha, u bashkohet atdhetarëve të shquar dhe vendos të depërtojë në Kosovë. Pas arritjes në Durrës, një kohë kalon në ushtrime dhe stërvitje ushtarake që osokohe zhvilloheshin nën përkujdesjen e eprorëve të shquar të Ushtrisë Shqiptare, por meqënëse kishte kondicion dhe një fizik të përgatitur për luftë, përpiqet që menjëherë të depërtojë në Kosovë. U afrohet qendrave stërvitore në pjesën veriore të Shqipërisë dhe mobilizohet në strukturat stërvitore të drejtuara nga eprori Adem Shehu, më vonë komandant i Brigadës 153 “Hyzri Talla” të Zonës Operative të Llapit.
Shpend Berisha sistematizohet në formacionin e eprorit Kemajl Shaqiri në bashkëveprim me kompaninë I të Batalionit II të Brigadës 128 të Zonës Operative të Pashtrikut, nën komandën e Ruzhdi Saramatit. Sërvitjet e fundit përgatitore i mbaron në Burrel të Shqipërisë, së bashku me Avdi Ibrahimajn, Hilmi Bytyçin, Arben e Yll Rashkën, Salih Saramatin, Gani Saramatin, Mehedin Shalën, Nexhmedin Eminazerin, Arben Shabanin, Agron Ukajn, Sabit Tarën, Behajdin Kadirin, Bujar Durgutin, Gazmend Cenën, Selami Merxhën, e shumë bashkëluftëtarë të tjerë prej të gjitha viseve të trojeve entike. Brigada ndërmerr hapa të guximshëm që në kuadër të operacioneve të “Shigjetës” ta thyejë kufirin e mallkuar shqiptaro-shqiptar nëpër Pashtrik, prandaj komandantët e këtyre operacioneve; Kemajl Shaqiri e Ruzhdi Saramati, Shpend Berishën e emërojnë komandant të kompanisë ndërsa për zëvendës, Shpendi e mbante Bahtir Haxhiun, sot të dytë dëshmorë të kombit.
Luftimet për thyerjen e kufirit fillojnë më 25 maj, ndërsa Shpendi ashtu siç i kishte hije emrit të tij dhe vatrës së Berishëve, u printe shokëve në të gjitha ndërmarrjet luftarake, për të avancuar sa më shpejtë kah Hasi dhe Anadrini, në të cilat areale gjithashtu kishte luftime të përgjakshme. Por, më 31 maj të vitit 1999, me të arritur në Gurrazhub, në pozicionet “Mbi Krua” në lagjen “Martinaj” plagoset rëndë dhe nuk u mbijetoi plagëve dhe përjetësohet në altarin e lirisë luftëtari Shpend Berisha. Krahas Shpendit plagoset rëndë Mehedin Shala i Rahavecit, sot invalid i luftës. Shokët e Brigadës 128 arrijnë për t’i tërhequr deri në Krumë, kur Mehmedit i imputohet dora e majtë, ndërsa trupi i pajetë i Shpendit përcillet në Kukës. Trupi i pajetë i Shpendit, rreth 60 ditë pushoi në “Varrezat e Dëshmorëve” në Kukës, ndërsa me rastin e organizimit të ceremonive të rivarrimit, trupi i Shpend Berishës, djalit të axhës të Bedri Berishës, të rënë më 28 maj 1999 në “Betejën e Mileskës” e kushëri i 12 valijakësve të vrarë e të masakruar, rivarroest në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Landavicë.
Sot emri i Shpend Berishës shkëlqen në varret e dëshmorëve në Kukës, në mbivarroren e Kopshtit të Dëshmorëve në Landavicë, në lapidarin e Valijakës, por edhe në këngët e rapsodëve popullorë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …