Limak Kosovo
Fillimi / Dëshmorët / Selatin Xhelil Gërxhaliu (30.2.1950 – 31.5.1999)
Selatin Xhelil Gërxhaliu (30.2.1950 – 31.5.1999)

Selatin Xhelil Gërxhaliu (30.2.1950 – 31.5.1999)

Në fshatin Studime të komunës së Vushtrrisë, më 31 maj të vitit 1999, forcat okupatore serbe kishin kryer një masakër çmeritëse, duke vrarë e masakruar fëmijë, gra e pleq. Në mesin e familjeve të shuara nga barbaria sodomiste serbe kishte pësuar edhe familja nëntëanëtarëshe e dëshmorit të kombit Selatin Gërxhaliu, shtatë fëmijët, bashkëshortja dhe vetë Selatini. Atë ditë të kobshme bandat serbe kishin vrarë e masakruar, përveç të tjerëve, edhe 31 anëtarë të tjerë të familjes së gjerë, Gërxhaliu.
Selatin Xhelil Gërxhaliu ka lindur më 30 shkurt 1950 në fshatin Martiraj (ish- Studime e Poshtme) të Vushtrrisë. Shkollën fillore e ka kryer në Vushtrri, ndërsa të mesmen-Shkollën Teknike-drejtimi i xehetarisë-në Mitrovicë.
Prindërit e tij, nënë Salihja e babë Xhelili, edhe pse jetonin në një skamje të thellë, ishin kujdesur që bijtë e tyre t’i rritnin dhe t’i edukonin në frymën atdhetare.
Pas kryerjes së shkollës së mesme, edhe pse kishte prirje e talent për të punuar punë të ndryshme në bujqësi e ndërtimtari, nuk pati fatin të gjejë ndonjë punë për t’i siguruar ekzistencën ekonomike familjes së vet shumë anëtarë. Në vitet ’70 detyrohet të marrë rrugën e hidhur të mërgimit. Fillimisht zë punë në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, e më vonë do të shkojë për të punuar punë krahu edhe në Austri, Gjermani, Itali etj.
Në vitet ’80, kthehet në vendlindje, duke qenë aktiv në të gjitha manifestimet masive që organizoheshin në atë kohë kundër pushtuesit serb, si në Vushtrri, Mitrovicë e Prishtinë.
Në kohën e organizimit të radhëve në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Selatini, si atdhetar i flaktë që ishte, iu bashkua celulave të para të UÇK-së, që u krijuan në rrethin e Vushtrisë, duke dhënë ndihmesën e tij në furnizimin e ushtarëve të UÇK-së me armë, me ushqime e veshmbathje, por edhe me barna. Ishte pjesëtar i Brigadës 142, e më vonë i Brigadës 141 ‘’Mehë Uka’’ të Zonës Operative të Shalës. Shokët e luftës dhe të gjithë ata që e kanë njohur e përshkruajnë atë si një burrë shtatlartë, trim e bujar, njeri serioz e i mbrujtur me ideale të larta patriotike e mbi të gjitha luftëtar i përkushtuar për çlirimin e vendit nga barbaria serbe.
Lufta që bënte UÇK-ja dhe bombardimet e NATO-s kundër makinerisë ushtarake serbe, bënë që barbarët t’i vërsuleshin popullatës civile në shenjë hakmarrjeje. Më 31 maj të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forca të mëdha policore-ushtarake e paramilitare serbe kishin ndërmarrë një ofensivë në shkallë të gjerë në rrethinën e Vushtrrisë.
Atë ditë të kobshme, forcat policore-ushtarake e paramilitare serbe rrethojnë edhe shtëpinë e Selatinit me ç’rast bie dëshmor Selatini dhe martirizohen anëtarët e familjes së tij, si dhe 31 të afërm të familjes Gërxhaliu. Në Studime barbaria serbe kishte kryer edhe një vepër tjetër kriminale monstruoze kundër njerëzimit, kundër popullatës shqiptare me qëllim të shfarosjes dhe të dëbimit të dhunshëm të kësaj popullate për në Shqipëri.
Nga familja e Selatin Gërxhaliut kanë shpëtuar vëllai i vetëm, Nexhmedini, i cili në atë kohë ndodhej në Gjermani, si dhe motra Hasnia.
Selatini ka qenë i martuar me Fixhrien. Ata kanë pasur 6 djem dhe 1 vajzë, të gjithë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Barbarët serb vranë dhe masakruan të gjithë fëmijët e Selatinit:
Shaban Gërxhaliu, 17 – vjeçar, nxënës, Shahin Gërxhaliu, 15 – vjeçar, nxënës, Muharrem Gërxhaliu, 14 – vjeçar, nxënës, Mexhid Gërxhaliu, 11 – vjeçar, nxënës, Abdurrahim Gërxhaliu, 10 vjeç, nxënës, Salahudin Gërxhaliu, 7 vjeç, nxënës, dhe motrën e tyre të vetme Mubera Gërxhaliu, 8 vjeç, nxënëse.
Selatini është varrosur më 1 qershor te vitit 1999,  në fshatin Martiraj (ish- Studime e Poshtme). Varrimi është bërë nga disa bashkëluftëtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së, afër vendit të rënies, aty ku janë varrosur edhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe të afërmit e tij.
Në vendin e rënies familjarët dhe bashkëluftëtarët kanë ngritur një lapidar.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Idriz Bibaj (15.11.1974 – 26.9.1999)

Feriz Idriz Bibaj (15.11.1974 – 29.6.1999)

Lladroci është një vendbanim i lashtë i Llapushës, në të cilin në harmoni të plotë ...