Shukri Buja kritikon opozitën: Historia nuk matet me fjalë, por me qëndrimin kur vjen momenti për të vepruar

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka kritikuar ashpër deputetët e opozitës lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe protestat kundër miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Buja ka bërë një krahasim me zhvillimet politike të vitit 1989, duke kujtuar protestat e asaj kohe dhe përballjen me forcat e atëhershme policore serbe. Ai ka thënë se në vitin 1989, ndërsa deputetët e atëhershëm votonin për ndryshimin e statusit kushtetues të Kosovës, qytetarët protestonin në rrugë dhe përballeshin me dhunë. Buja ka shprehur zhgënjimin e tij me deputetët opozitarë, të cilët, sipas tij, nuk ndërmorën veprime për të penguar largimin e deputetëve të pozitës që nuk e mbështetën ligjin në leximin e dytë. “Turp për deputetët e opozitës!”, ka shkruar Buja, duke shtuar se ata nuk patën guxim, sipas tij, “t’ua mbyllnin dyert deputetëve të pozitës që nuk e përkrahën ligjin në leximin e dytë, që të mos largohen nga Kuvendi”. Buja ka përmendur edhe përballjen e tij me policinë gjatë protestës së fundit, duke thënë se, së bashku me protestuesit, u përball me gaz lotsjellës dhe dhunë, ndërsa tentonin të pengonin deputetët të qëndronin në Kuvend për votimin e ligjit. Në fund, ish-komandanti i UÇK-së u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të mos mjaftohen vetëm me deklarata politike. “Historia nuk matet me fjalë. Historia matet me qëndrimin kur vjen momenti për të vepruar”, ka përfunduar Buja.

Kontrolloni gjithashtu

PDK kërkon që Ligji për Specialen të shqyrtohet në ora 17:30, Haxhiu: Ndërhyrje brutale në rendin e ditës

Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së që shqyrtimi i …