Zjarrfikësit

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, ka reaguar ndaj gjendjes së vështirë në të cilën ndodhet

Me rastin e 4 Majit- Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, shtetet e shumita të botës organizojnë aktivitete të ndryshme solemne, manifestime të ndryshme në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat që bëjnë në aktivitetet e tyre dhe gatishmërinë emergjente që tregojnë zjarrfikësit për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë.

Me rastin e kësaj date Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj gjendjes së vështirë në të cilën ndodhet, duke thënë se nuk kanë status të drejtë juridik dhe definim të kompetencave menaxhuese, dualizëm i krijuar në mes të pushtetit qendror dhe lokal. Me rastin e Ditës ndërkombëtare të zjarrfikësve 4 Maji, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës thotë se këtë shërbim edhe këtë vit e gjen në gjendje të pa lakmueshme dhe mjaft të rëndë në të gjitha aspektet, si organizimi, menaxhimi, kapacitetet teknike dhe resurset humane njerëzore. “Zjarrfikësit rrezikojnë shëndetin ku dëshmojnë rastet e lëndimit në vendin e punës dhe askush nga institucionet nuk doli në ndihmë, ku të gjitha shpenzimet mjekësore është dashur t’i kryejnë vetë zjarrfikësit. Në vazhdimësi kemi kërkuar nga institucionet, që nga viti 2008, që kjo gjendje të përmirësohet, por asnjëherë nuk treguan gatishmëri për të zgjedhur problemet dhe situatën e krijuar”, thuhet në reagim. Për më tepër, sindikata përkujton se zjarrfikësit funksionojnë në shpërputhje të plotë me ligjet në fuqi, të injoruar, të anashkaluar dhe pa asnjë përkujdesje institucionale, që ka ngritë indinjatë te thellë te kjo kategori e të punësuarve.

“Zjarrfikësit nuk kompensohen për orët jashtë orarit, ndërrimet e natës, festat shtetërore, koeficienti më i ulët nga të gjitha kategoritë e të punësuarve në vend, andaj i ftojmë institucionet vendimmarrëse që urgjentisht të shtrohet kjo çështje dhe të krijohen  kushte normale për punë. Mbesim me shpresë që institucionet të reflektojnë pozitivisht në kërkesat tona, thuhet mes tjerash në reagimin e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …