Situata me EHKK në Malishevë mbetet e qetë dhe nën kontroll të plotë.
Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me Ethet Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) ka mbajtur sot takimin e radhës, në të cilin është vlerësuar gjendja endemike në komunë. Sipas vlerësimeve të paraqitura, situata mbetet e qetë dhe nën kontroll të plotë.
Takimi u drejtua nga kryesuesi i shtabit, Amrush Helshani, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi, ndërsa anëtarët e shtabit raportuan për aktivitetet e realizuara deri më tani në kuadër të zbatimit të masave parandaluese.
Gjatë takimit u diskutua për fushatat e vetëdijesimit të qytetarëve, trajtimin e rasteve të thumbimeve, procesin e dezinsektimit, si dhe repelimin e kafshëve, të cilat janë masa të parapara në Strategjinë Kombëtare për Luftimin dhe Parandalimin e EHKK-së.
Bazuar në të dhënat e prezantuara, situata aktuale vlerësohet e menaxhueshme dhe nën kontroll të plotë. Deri më tani, në Komunën e Malishevës nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me Ethet Hemorragjike Krime Kongo.