Smajl Asllan Jashari (29.9.1951 – 5.3.1998)

Smajl Asllan Jashari (29.9.1951 – 5.3.1998)

Tri ditë rresht, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët e Prekazit, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 56 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari.
Ranë për të fituar përjetësinë, 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit, 6 anëtarë të familjes së Sadik Jasharit, tre të familjes së Kajtaz Jasharit e të tjerë.

Smajli ishte djali i Asllan Jasharit, luftëtar i forcave çlirimtare të Shaban Palluzhës. Babai Asllani, së bashku me Nebih Mehën dhe shumë luftëtarë të Prekazit ka rezistuar kundër depërtimit të forcave okupatore serbe në Kosovë në janar e shkurt të vitit 1945, me ç’rast edhe ka qenë i plagosur. Asllani, kudo në prani të bijve dhe të afërmeve prore kishte rrëfyer trimëritë e Shaban Palluzhës e të Mehmet Gradicës, kryetrimave të Drenicës të asaj kohe. Ai edhe pse i pashkollë kishte frymëzuar bijtë me idealet e lirisë dhe të bashkimit.
Shkollën fillore, Smajli e kreu në Prekaz, ndërsa tetëvjeçaren në Skënderaj. Pasi kishte kryer shërbimin e dhunshëm ushtarak në Strumicë dhe në Shtip të Maqedonisë, së bashku me disa bashkëvendës shkon për të punuar punë krahu në Slloveni, ku asokohe kishte shumë punëkërkues nga mbarë Drenica.
Në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar arrin të zë punë në ndërmarrjen e quajtur “Novo Gradnja” në Prishtinë. Me rastin e shpërthimit të demonstratave të marsit e të prillit të vitit 1981, Smajl Jashari së bashku me shokët e punës dhe punëtorët e ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” ishin në ballë të demonstruesve, duke u përleshur fyt për fyt me policinë, me qëllim për të mos lejuar të rrihej dhe të vritej rinia e pafajshme studentore. Edhe pse kishte marrë pjesë aktive, në të gjitha demonstratat, Smajli, ashtu sikur edhe qindra e mijëra punëtorë të tjerë dënohet vetëm për kundërvajtje politike, meqë regjimi vasal i Azem Vllasit e Ali Shukriut kishin heshtur pjesëmarrjen e punëtorisë shqiptare në demonstratë, me qëllim për ta paraqitur atë si lëvizje separatiste pa ndikim te masat e gjera.
Smajli sërish ishte kthyer në punë, tashmë i kalitur në barrikadat çlirimtare të rinisë studentore me kërkesë për liri, barazi e vetëvendosje.
Më vonë deri në futjen e masave të dhunshme të regjimit serb në vitin 1989, ka punuar në ndërmarrjen “Buduçnost” në Skënderaj.
Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Smajl Jashari ashtu sikur mijëra shqiptarë nga Kosova, me qëllim për të mbijetuar, meqë regjimi i Milosheviqit i kishte flakur të gjithë punëtorët nga ndërmarrjet, ai mësynë Gjermaninë, ku ka jetuar disa vjet, ndërkohë që ka punuar në intervale të ndryshme kohore.
Në vjeshtë të vitit 1997, Smajl Jashari, duke qenë në njohuri të aktivitetit të luftëtarëve të lirisë, të bashkuar rreth Adem Jasharit, kthehet në familjen e tij në Prekaz. Mbante kontakte sidomos me Hamëz Jasharin me të cilin e kishte kushëri dhe shok të gjeneratës. Ai i kishte premtuar Hamzait se në rast të rrethimit do të rezistonte në shtëpinë e tij, ashtu sikur ishin besatuar pothuajse të gjithë Jasharët e Prekazit, të cilët asokohe përbënin bërthamën më të fuqishme të rezistencën në Kosovë.
Shtëpia e Smajlit ndodhet përballë “Fabrikës së Municionit”, ku forcat serbe kishin dislokuar qindra policë dhe ushtarë, meqë po përgatiteshin për ta sulmuar Prekazin. Duke qenë se shtëpia e tij ndodhej në radhën e parë të sulmit, vizavi me forcat serbe, ai më 4 mars ngarkon anëtarët e familjes së ngushtë në një traktor dhe i nis në drejtim të Kostercit. Në kohën kur po largohej me familjen në traktor, takon Hamëz Jasharin, të cilit i tregon se sapo të dërgonte anëtarët e familjes deri te “Lisat e Klinës” do të kthehej dhe me pushkën e tij “italiane” do të rezistonte deri në fishekun e fundit. Ashtu edhe kishte ndodhur. Në orët e mbrëmjes, Smajl Asllan Jashari ishte futur në kullën e tij dhe po vështronte lëvizjet e forcave serbe të cilat ndodheshin ballë për ballë. Me të filluar sulmi barbar serb kundër Jasharëve, ishte dëgjuar edhe pushka italiane e Smajl Jasharit, i cili kishte goditur në drejtim të forcave të këmbësorisë serbe, që kishin filluar breshërinë e goditjeve mbi të gjitha shtëpitë e Jasharëve.
Smajl Jashari ishte plagosur rëndë nga furia e forcave armike. Trupin e tij të plagosur rëndë, forcat serbe e kishin tërhequr në brendi të “Fabrikës së Municionit”. Atë e kishin parë Sala Jashari, Besarta Jashari dhe Naser Jashari të cilët po mbaheshin në arrest.
Smajli la babanë, nënën, bashkëshorten Rrahimen, bijtë: Islamin, Visarin, Beharin, bijat Zyrafeten, Selvijen dhe vëllezërit: Hasanin, Dibranin, Hysenin dhe Fadilin.
Trupi i Smajl Jasharit, së bashku me të gjithë Jasharët e rënë dhe të viktimizuar në epopenë e Marsit 1998 prehet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prekaz.
Për jetën dhe veprën e tij ka shkruar Bedri Tahiri në librin “Drenica një shekull trimërie” Prishtinë 2005.
Familja e Asllan Jasharit ka marrë mirënjohje për birin dëshmor nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga Kuvendi komunal dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Familja i ka ngritur lapidarin para shtëpisë ku kishte lindur dhe ku kishte përmbyllur jetën me armë në dorë duke luftuar kundër forcave masakruese e barbare të okupatorit serb. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …