Fatime Xhemail Bazaj (28.2.1979 – 5.3.1998)

Fatime Xhemail Bazaj (28.2.1979 – 5.3.1998)

Dëshmorja Fatime Bazaj është e lindur më 28 shkurt të vitit 1979, në fshatin Qëndresë (ish-Terstenik) të Drenasit. Prindërit e saj, Xhemaili e Zadja kishin lindur e rritur dhjetë bij e bija: Xhavitin, Miniren, Zyrafeten, Ukën, Hajrinë, Fatimen, Smajlin, Shqipen, Afërditën dhe Ardionin. Dy prej fëmijëve të tyre ata i kishin rritur për t’ia falur lirisë së Kosovës: Fatimen e Smajlin.
Fatimja e kishte kryer arsimin fillor në shkollën “Zenel Hajdini” të fshatit Qëndresë. Pastaj kishte vijuar mësimet e arsimit të mesëm, në shtëpitë-shkolla, meqenëse objekti publik i shkollës së mesme në Drenas tashmë mbahej i pushtuar nga organet e pushtetit serb, të cilat nuk i lejonin fëmijët shqiptarë të hynin në të për shkak se në vitet 1990-1991 ato kishin vënë në zbatim politikën raciste të apart’heidit kundër shqiptarëve.
Rrethanat në të cilat u rrit e u edukua Fatimja i dhanë asaj karakter të veçantë, duke e bërë një vajzë malësore, trimëreshë, të zhdërvjelltë, me vetiniciativë e solidare. Me pjekurinë e saj, preokupimet dhe interesimin e shfaqur, ajo sikur thoshte se kishte lindur për sakrificë dhe madje për sakrificën sublime në shërbim të lirisë së atdheut.
Lidhjet familjare që familja e Fatimes kishte me Familjen Jashari nga Prekazi, i kishte dhënë asaj mundësi edhe më të mëdha për të absorbuar frymëzim nga trimëritë e Prekazit legjendar. Prandaj, duke e pasur të motrën të martuar në derën e Hamit Jasharit dhe duke pasur dhëndër veprimtarin dhe bashkëluftëtarin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Musë Jasharin, e nga ana tjetër, duke pasur edhe nusen e të vëllait, Smajlit, Hatixhen, nga dera e Qerim Jasharit, Fatimja e kishte përherë të hapur rrugën për në Prekaz. Atë e kishte bërë për vete sidomos atmosfera e organizimit të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e planeve për luftimin e armikut. Ajo pothuajse u bë çikë Prekazi sidomos pas sulmit të forcave të policisë serbe kundër lagjes Jashari në janar të vitit 1998, kur ato u zmbrapsën me turp. Që prej asaj ngjarjeje, Fatimja, bashkë me të vëllain Smajlin, pothuajse përherë qëndroi në Prekaz, në pritje të ndonjë sulmi të ri, me qëllim të mbështetjes së rezistencës së luftëtarëve të UÇK-së. Ata tashmë ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fatimja e kishte pritur me entuziazëm të madh daljen publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skënderajt. E dashuruar në uniformën e kësaj ushtrie, ajo së shpejti filloi edhe t’i qepë ato, madje në këtë detyrë angazhoi edhe vajzat e fshatit, shoqe të saj, në këmbim të ndihmës që u kishte dhënë atyre në përgatitjen e qëndismave të pajës së nusërisë.
Momenti i pritur për t’i dalur në ndihmë bazës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz dhe pjesës së atdheut të robëruar, e quajtur Kosovë, arriti në mëngjesin e datës 5 mars të vitit 1998, kur forca të mëdha të policisë serbe sulmuan vatrën e nderit shqiptar në Prekazin legjendar, duke rrethuar nga të katër anët lagjen Jashari. Cak i sulmit, përveç shtëpisë së Komandantit Legjendar Adem Jashari, ishte edhe shtëpia e Hamit Jasharit, jo vetëm pse edhe vetë ai shumë herë më parë i kishte thyer heshtat me armikun serb, por edhe pse dy bijtë e tij, Musa dhe Sahiti ishin bashkëluftëtarë të devotshëm të Adem Jasharit. Prandaj, fillimisht në drejtim të shtëpisë së Hamit Jasharit ishin nisur dy tanke të forcave serbe. Ato i kishte vërejtur luftëtari Valdet Jashari, i cili atë natë kishte qëndruar në roje, prandaj së shpejti për këtë ngjarje i njofton luftëtarët dhe anëtarët e tjerë të familjes, brenda në shtëpi. Pa pritur që makineria serbe t’i afrohet më shumë shtëpisë, luftëtarët e ndodhur aty, nisin rrufeshëm breshërinë e gjuajtjeve kundër saj. Ndërkohë, gjuajtjet fillojnë edhe nga shtëpitë-kala të Shaban Jasharit e Sadik Jasharit. Edhe trupat ushtarake e policore të Serbisë po sulmonin në drejtim të shtëpive të rrethuara, nga të gjitha llojet e armatimit të rëndë. Në ato çaste filloi jo një betejë, por lufta e gjatë midis forcave çlirimtare shqiptare dhe atyre pushtuese serbe, e cila luftë nuk pushoi deri në largimin e pushtuesit serb nga Kosova, më 20 qershor të vitit 1999 dhe në dhënien fund të sundimit të egër serb gati njëshekullor në Kosovë.
Luftimet në Prekaz zgjatën tri ditë pa ndërprerë, më 5, 6 e 7 Mars, ku luftëtarët dhe familjarët e familjve Jashari, duke përfshirë edhe fëmijët dhe pleqtë qëndruan deri në fishekët e fundit. Në atë vend të shenjtë therori, në altarin e lirisë ranë 12 anëtarë të familjes së Hamit e Sadik Jasharit dhe tre luftëtarë të tjerë të cilët që nga sulmi i mëparshëm policor kundër Familjes Jashari, më 21 janar të vitit 1998, nuk i ishin ndarë kësaj familjeje, duke qenë të gatshëm për beteja të reja. Ata ishin Fatime Bazaj e Smajl Bazaj, motër e vëlla, nga fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i Drenasit dhe nipi i Hamit Jasharit, Isak Halili nga Dubovci i Drenasit. Vëllai i Isakut, Sadiku, i cili po ashtu ishte në mbrojtje të dajave, mori plagë lirie.
Trupi i dëshmores Fatime Bazaj, si dhe i shumë dëshmorëve të rënë në epopenë e Prekazit më 5, 6 e 7 Mars 1998, nuk ëhtë gjetur. Ai është bërë një me hirin e kullave të pamposhtshme të Jasharëve. Ky ëhtë hiri që ringjalli lirinë e Kosovës.
Përjetësinë e kujtimit për dëshmoren Fatime Bazaj e ruan pllaka përkujtimore me emrin e saj në Varrezat e Dëshmorëve në Kompleksin Përkujtimor Adem Jashari në Prekaz. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …