Smajl Latifi: Haliti u bë mburojë e atdheut, i gatshëm të flijohet për lirinë

Në Drenoc, me nderime të larta, u varros ushtari i lirisë, HALIT HAXHIU.

Të luftosh për një kauzë të drejtë, siç ishte lufta e kombit shqiptar për çlirimin e trojeve të pushtuara, do të thotë të bëhesh pjesë e historisë. Në kohën kur u dha kushtrimi i lirisë, bashkë me shumë shokë e bashkëfshatarë, Haliti u bë mburojë e atdheut, i gatshëm të flijohet për lirinë. Ai dhe familja e tij u bënë pjesë e rezistencës dhe e ndihmuan luftën me aq sa ditën e mundën. Motiv i secilit luftëtar të lirisë, ishte: ia vlen të luftojmë e të biem vetëm për gjërat pa të cilat nuk ia vlen të jetojmë dhe jeta pa liri nuk kishte kuptim për Halitin, prandaj u bë një me luftën dhe fitoren, duke u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në kohën kur dhuna e terrori kishte shtrirë pushtetin e vet të egër mbi shqiptarët. Qëndroi me dinjitet deri në fund dhe detyrat ushtarake i kryente me përpikëri e përkushtim.Sa herë që zgjohemi në mëngjes dhe shohim diellin teksa përhap rrezet e ngrohta mbi atdhe, mendja shkon tek ata që qëndruan dhe qenë gati të flijohen për lirinë. Pavarësisht se a është mirënjohëse shoqëria, apo nuk është, në brendi të tij, luftëtari e ndien krenarinë e të qenit dalzotës i atdheut, prandaj atë e mbështjell një vello e hollë e krenarisë dhe e ndershmërisë. Jam i bindur se familjarët e Halitit do ta kthejnë dhimbjen në forcë dhe do të ecin me kokën lart në jetë, duke u shërbyer me krenarinë e vëllait, të birit e të babait të tyre, luftëtar lirie. Luftëtari i lirisë, Halit Haxhiu, na la me zemra të thyera, por jemi të kënaqur që e kishim shok, mik e bashkëluftëtar. Kujtimi e nderimi për të do të jetojnë aq sa të jetojmë edhe ne, bashkëkohanikët dhe bashkëluftëtarët e tij, madje edhe përtej nesh, sepse frytet e luftës e të punës së tij do t’i shohin, vlerësojnë e shijojnë gjeneratat që vijnë pas nesh. Lavdi e nderim për jetën dhe veprën e njeriut të luftës e të paqes, Halit Haxhiu!

Të gjitha reagimet:

Ti, Sejdi, Enver dhe 150 të tjerë

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Skenderajt do të organizoj akademi përkujtimore për heroin Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorë tjerë

Nën organizimin e Shoqatës së sh-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të enjten me 16 maj, në …