Supremja pezullon procesin e gradimeve në Policinë e Kosovës

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të pezullojë përkohësisht procesin e gradimeve në Policinë e Kosovës, duke miratuar kërkesën për masë të përkohshme sigurimi ndaj disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë. Sipas aktvendimit PA.nr.16/2026, është ndaluar përkohësisht zbatimi i nenit 7, paragrafët 2 deri në 5 të këtij udhëzimi, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata. Padia është paraqitur më 10 qershor nga një qytetare me inicialet V.Z. nga Vitia, e cila ka kërkuar shpalljen e pavlefshme dhe shfuqizimin e pjesshëm të dispozitave të kontestuara, me arsyetimin se ato cenojnë parimet e barazisë, meritokracisë dhe avancimit profesional në Policinë e Kosovës. Sipas padisë, dispozitat në fjalë u mundësojnë zyrtarëve policorë që nuk kanë ushtruar funksione mbikëqyrëse apo udhëheqëse në gradën e rreshterit, të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën toger, në të njëjtën procedurë me zyrtarët që kanë kaluar etapat paraprake të gradimit dhe kanë fituar përvojën përkatëse në pozita drejtuese. Paditësja pretendon gjithashtu se rregullat e reja lejojnë që zyrtarët me së paku dhjetë vjet shërbim aktiv, por pa avancime të mëhershme, të konkurrojnë njëkohësisht për dy grada më të larta, duke anashkaluar kufizimet standarde që kërkojnë kohë të caktuar qëndrimi në gradën paraprake. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se ekzistojnë dyshime serioze lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara dhe se vazhdimi i procesit të gradimit mund të prodhojë pasoja të vështira për t’u korrigjuar në rast të një vendimi të mëvonshëm në favor të paditëses.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama: Tubimi ka devijuar, po dëmton imazhin e vendit dhe turizmin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në protestat që …