Takimi i Vjenës

 


Takimi i shumëpritur i ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë të Austrisë, ndodhi në rrethana të reja, por jo edhe të papritura.
Duke qenë se pozicionet e dy palëve negociuese, të Prishtinës dhe Beogradit, lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, kanë mbetur pozicione të ngrira, analistët dhe diplomatët qenë treguar skeptikë në mundësinë e arritjes së ndonjë rezultati, që në fillimin e bisedimeve. Megjithatë ndodhi ajo që edhe ishte pritur, sepse si Prishtina ashtu edhe Beogradi tashmë e kanë të qartë se procesi i filluar i zgjidhjes së statusit të Kosovës, tashmë ka hyrë në trajtim të diplomacisë ndërkombëtare, dhe ai status do të zgjidhet, u pajtuan apo nuk u pajtuan Prishtina dhe Beogradi.
Kryenegociatori ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, z. Marti Ahtisari, disa ditë para fillimit të takimit kishte bërë me dije se procesi i zgjidhjes së statusit nuk mund të bllokohet nga Beogradi, ndërsa, në rast se do të ndodhte ajo, atëherë mund të kërkohej zgjidhja e statusit edhe pa kompromis. Si duket ky sinjal drejtuar Qeverisë së Beogradit, bëri që takimi i Vjenës të mbahet “ me sukses” ndërsa palët u detyruan ta dëgjonin njëra tjetrën.
Trajtimi i temës së “decentralizimit” në fillimin e bisedimeve mes palëve negociuese, lë për të kuptuar se Beogradi pretendon që në start të marrë hapin drejt legalizimit të enklavave serbe në Kosovë, duke përfituar nga propozimi për krijimin e 16 komunave të reja, ku serbët do ta kishin shumicën dërrmuese.
Paralajmërimi paraprak i Grupit të Unitetit në Prishtinë, se çështja e decentralizmit nuk do të negociohet me Beogradin, sepse kjo qenka çështje e brendshme e proceseve politike të Kosovës, tashmë po shihet se kanë qenë vetëm një farsë për konsumim të brendshëm, meqë pikërisht çështja e decentralizmit është leva kryesore, rreth së cilës, edhe në takimet e tjera do të thyhen heshtat, sepse qeveria e Serbisë përmes këtij procesi di si të përfitojë favore të caktuara, jo vetëm për serbët vendorë, por edhe për lidhjet e drejtpërdrejta që Beogradi pretendon të ketë jo vetëm me serbët vendorë, por edhe me një pjesë të Kosovës, për qëllime që tashmë dihen.
Ekipi negociator i Beogradit ka bërë të ditur se në takimin vijues që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, më 17 mars 2006, do të kërkojë që komunat me shumicë serbe të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me Beogradin, sidomos në arsim, ekonomi, tregti, kulturë. Ka mbetur të diskutohet edhe çështja e gjyqësisë dhe sigurisë si dhe çështje të tjera që Beogradi i trajton si qasje të procesit të decentralizimit, edhe pse në esencë këto janë qasje të fillimit të përkufizimit së statusit të Kosovës.
Në anën tjetër, gjatë takimit që kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu pati me anëtarët e ekipit negociator të Prishtinës, pas takimit të Vjenës, ka deklaruar sërish se ekipi negociues i Prishtinës nuk do të lejojë kompromis, sa i përket projektit të decentralizmit të hartuar nga pala shqiptare e Kosovës. Sesa do të jetë i qëndrueshëm ky prononcim, do të kem rast të shohim dhe të bindemi, më 17 mars 2006, kur edhe do të rifillojnë bisedimet. Insistimi i ekipit serb, që përmes procesit të decentralizimit të sigurojë lidhjet direkte të enklavave serbe me Beogradin, mbase do të jetë maksimumi që bashkësia ndërkombëtare do t’ i japë Serbisë, në mënyrë që Kosova të fitojë statusin e pavarësisë së kushtëzuar. Tash për tash nuk shihet ndonjë opsion tjetër më i besueshëm, kur dihet se edhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, përveç Rusisë, janë pajtuar që çështja e Kosovës të zgjidhet në pajtim me të drejtën për vetëvendosje të shumicës shqiptare, e cila përbën 90 për qind të popullatës së përgjithshme të Kosovës.
Procesi i përkufizimit të statusit të Kosovës tashmë po ndodh. Edhe pse jemi në fillim të procesit të bisedimeve, të cilat sipas analistëve e diplomatëve të caktuar botërorë, do të jenë bisedime të gjata dhe të mundimshme, fare lehtë vërehen konturat e statusit të ardhshëm politik të Kosovës, kontura të cilat janë sheshuar dhe janë përsëritur sa e sa herë nga diplomatët ndërkombëtarë. Kosova nuk do të kthehet më nën dominimin dhe hegjemonizmin serb, ajo nuk do të lejohet të bashkohet me Shqipërinë. Kosova do të jetë multietnike, edhe pse është rajoni më i pastër etnik në Ballkan dhe Kosova doemos do të behet pjesë e integrimeve evropiane.
Kosova do të “shpërblehet” me një lloj pavarësie, në radhë të parë falë gjakut të derdhur rrëke për liri në luftën heroike dhe fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë sakrificave dhe përpjekjeve të mëdha shekullore për lirim nga robëria dhe jo falë kalkulatorëve të politikave ditore, të cilët po bëjnë përpjekje që kapitalin shekullor të rezistencës t’ia atribuojnë vetvetes, apo grupimeve të cilave iu përkasin. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …