Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi për mes një shkrimi e ka komentuar raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ai ka thënë se ngecjet që janë identifikuar duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës. “Raporti për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka identifikuar shumë përparime në sektorin drejtësisë, por edhe shumë sfida që kemi përpara. I jemi mirënjohës SHBA-së për investimet dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në sektorin e drejtësisë. Të gjitha ngecjet që janë identifikuar në këtë raport duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe të punohet me dinamikë më të madhe në përmirësimin e tyre. Ne duhet ta vazhdojmë luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe t’i garantojmë të drejtat e qytetarëve të të gjitha komuniteteve tona, si vlera mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tonë”, ka shkruar Thaçi.
